… shënim për një dhuratë me vlerë për nxënësit e “Shkollës Shqipe” në Uster… Dhuratë revistat “Yjet”, “Yjësia”, “Klikimi”…të cilat orën mësimore e shndërruan në një festë, shumë të dashur për nxënësit. Dhe për këtë jemi shumë falënderues stafit botues te revistës për fëmijë nga Shkupi Litera Group dhe në veçanti znj. Samije Limani, kryeredaktore e revistës.
Nga Vaxhid Sejdiu
Në përpjekjet tona të përditshme me qëllim që të përfshijmë sa më shumë nxënës në kuadër të orëve mësimore në gjuhën amtare, kemi takuar edhe njerëz të përkushtuar, të cilët janë të gatshëm të na japin forcë, të na bëhen krahë, me qëllim që gjuha shqipe të përhapet gjithë andej ku ka shqiptarë. Gjatë këtyre 2-3 viteve të fundit kemi bashkëpunuar dhe bashkëvepruar me ata të cilët interesin kombëtar, gjuhën dhe kulturën kombëtare e kanë në rend të parë. Kemi pasur raste të marrim pjesë, natyrisht bashkë me nxënësit e shkollave shqipe në emisione të ndryshme, në aktivitete shkollore dhe manifestime kushtuar festave kombëtare, kemi dhënë intervista, kemi shkruar njoftime dhe ftesa me qëllim që prindërit shqiptarë në mbarë Zvicrën të njihen sa më afër me sukseset e shkollës shqipe” në Zvicër, si dhe me qëllim që të njihen me hapjen e pikave të reja shkollore, me qëllim që edhe fëmijët e tyre t`i vijojnë mësimet në gjuhën amtare.
Shpërndarja e revistave “Yjet”, “Yjësia” apo “Klikimi” te nxënësit e shkollës shqipe solli gëzim dhe argëtim në klasë. Në faqet e revistës nxënësit hasën në një mori temash të ndryshme të trajtuara me kujdes për moshën e tyre. Një revistë mirë e ideuar në bazë të klasave, dhe me një trajtim tematik shkollor dhe edukativ. Mbi të gjitha gjatë shpërndarjes së revistës më ra në sy, se për revistën fizike interesimi është më i madh se për atë digjitale. Ajo zgjon kërshërinë te fëmijët duke e bërë diçka më reale.
Dhe kjo revistë orën mësimore e shndërroi në një festë, shumë të dashur për nxënësit. Dhe për këtë jemi shumë falënderues stafit botues te revistës për fëmijë nga Shkupi Litera Group dhe në veçanti znj. Samije Limani, kryeredaktore e revistës.