Kohëve të fundit kemi një shtim të dukshëm jo vetëm të pikave shkollore në botë ku fëmijët shqiptarë i vijojnë mësimet në gjuhën amtare, por kemi edhe ide të reja, ku fëmijët shqiptarë kanë mundësinë ta përdorin gjuhën shqipe dhe nëpërmjet formave tjera të komunikojnë shqip në mes veti. I tillë është emisioni gjithëpërfshirës “kikiriki-shqip me fëmijë” që transmetohet LIVE të dielën e dytë të muajit në orën 11:00-12:00 në Vjenë, në studion e “Radio Orange” 94.0 MHz. Ky emision krijohet në Vjenë dhe, për fatin e fëmijëve shqiptarë, dëgjohet kudo në botë edhe falë arkivës në faqen e internetit www.ejamene.com

E bukura e kësaj “dritare” në gjuhën shqipe është se ajo ka filluar të komunikojë, jo vetëm me fëmijët e Vjenës apo qyteteve për rreth, por i ka bërë bashkë edhe fëmijët nga disa shtete të botës, duke e bërë emisionin diçka të veçantë dhe shumë të afërt me fëmijët, për temat të cilat trajtojnë. Drejtuesja e emisionit Desara Beqari Gjonej e thotë me plotë gojën dëshirën dhe qëllimin e emisionit ne kemi për qëllim t’ua sjellim gjuhën shqipe sa më pranë fëmijëve të Diasporës.”

Autorja u ka dhënë hapësirë edhe fëmijëve që ta udhëheqin emisionin bashkë me të, duke shqiptuar fjalë në gjuhën shqipe si dhe duke krijuar fjalorin e parë shumëgjuhësh në radio: shqip-gjermanisht-anglisht.

Emisioni krijohet dhe drejtohet bashkë me fëmijët shqiptarë në Vjenë dhe dëgjohet në mbarë botën. Dëgjuesit e vegjël kanë  mundësinë të dëgjojnë intervista të ndryshme barcoleta, kuriozitete, tregime, gjëegjëza, lojëra online, si dhe nuk mungojnë as fotografi nga emisionet në radio. Gjithashtu fëmijët shqiptarë kudo në botë mund të bëhen reporterë të jashtëm të këtij emisioni duke kontaktuar me e-mail: kikiriki@o94.at

 

Mësuesja Lumnije Klinaku, me nxënësit e “Shkollës Shqipe” – Cham e Rotkreuz (Zvicër)

Përshtypja ime e fortë ishin temat e caktuara për emisionet e radios, siç ishte ajo i muajit të nëntorit me temën “Gëzuar Festat e Nëntorit 2023” apo emisioni i muajit dhjetor “Gëzuar festat”.

Emisioni i nëntorit dedikuar i tëri festës ë 28 Nëntorit, ku nxënësit nga vende të ndryshme në Evropë si Suedia, Italia, Zvicra, Gjermania dhe Shqipëria, do t`i bashkohen emisionit me urimet e tyre apo duke recituar vargje për gjuhön shqipe, flamurin, shqiponjën dhe Shqipërinë.
Dallojmë nxënësit e Shkollës shqipe” në Zvicër të pikave shkollore në Rotkreuz dhe Cham të Zvicrës,  ku mësuesja Lumnije Klinaku Neziri së bashku me nxënësit kënduan Himnin e Flamurit, apo nxënëset Melodia nga pika shkollore Rotkreuz me përshëndetjen e saj, duke u uruar të gjithë fëmijëve festën e 28 nëntorit, kurse Eliza, Jara dhe  Amina vazhdojnë gjatë emisionit me fëmijët e tjerë të këndojnë dhe recitojnë shqip.

​Emisioni i dhjetorit kishte sjellë fëmijë të tjerë në studio. Ata ishin nga shkolla shqipe “Shqiponjat e mëndafshta” në qytetin Bari të Italisë, të cilët begatuan emisionin me përshëndetjet apo urimet e tyre.

Emisioni  “kikiriki-shqip me fëmijë”, është një ide e mrekullueshme për fëmijët shqiptarë kudo ku ndodhen dhe si i tillë duhet të dëgjohet dhe të ndiqet jo vetëm nga fëmijët por edhe nga prindërit shqiptarë së bashku me fëmijët e tyre. Kështu i japim më shumë motivim producentes së emisionit Desarës dhe fëmijëve të ekipit  “Kikiriki” ta çojnë përpara këtë nismë.

 

Mësuesja dhe producentja e emisionit Desara Beqari Gjonej me nxënësit e emisionit “kikiriki-shqip me fëmijë” në studion e “Radio Orange” në Vjenë

Një fjalë e urtë popullore thotë “bashkimi bën fuqinë” dhe ne të gjithë së bashku nga të katër anët e botës mund t`i japim një përkrahje më shumë mësueses Desara dhe nxënësve të saj.

“Shkolla Shqipe” në Zvicër mësueses Desara dhe nxënësve të ekipit të saj u dëshiron shumë suksese dhe u urojmë Gëzuar Festat.

Vaxhid Sejdiu