Me rastin e 30 – vjetorit të Shkollës Shqipe në Kantonin e St. Gallenit mësuesi Vaxhid Sejdiu iu bëri një dhuratë nxënësve, kolegëve dhe prindërve në prag të festës së 7 Marsit, iu dhuroi një libër duke përfshirë 30 vjet, punë dhe aktivitet kombëtar në kuadër të shkollave shqipe të këtij kantoni, por edhe më gjerë.
Autori në 500 faqet e këtij libri sjell historikun e shkollës shqipe të këtij kantoni duke sjell para lexuesit një libër me të dhëna të rëndësishme historike dhe kombëtare. Aty lexuesi ka mundësi të takojë aktivitetet e nxënësve të shkollave shqipe, mësuesit dhe përkushtimin e tyre, shkollat ndër vite në nivel kantoni, nxënësit e shkollave shqipe që sot janë studentë të Universiteteve prestigjioze në Zvicër, veprimtarët e shkollave shqipe etj.
Ky libër është një përpjekje për të prezantuar ardhjen, organizimin dhe angazhimin e shqiptarëve në Kantonin e St. Gallen-it, të Zvicrës, me theks të veçantë hapjen e pikave shkollore dhe përpjekjet për ruajtjen e gjuhës shqipe.
Në dhjetë kapitujt e librit janë trajtuar përpjekjet e mërgimtarëve shqiptarë në Kantonin e St. Gallen-it nga iniciativat individuale për hapjen e shkollave shqipe, duke vazhduar me Shoqatën “Motrat Qiriazi”, Lidhjen Kantonale të Prindërve Shqiptarë “L.P.Sh.”, Lidhjen Kantonale të Arsimtarëve “L.A.Sh.” dhe deri te formimi i L.A.P.Sh. “Naim Frashëri” për Kantonin e St. Gallen-it. Janë trajtuar me kujdes të gjitha fazat e zhvillimit të shkollës shqipe në nivel kantonal si dhe bashkëpunimi i L.A.P.Sh.-it kantonal me shkollat tjera apo me kantonet tjera. Duke e shfletuar librin nga faqja e parë deri në faqen e fundit vijmë në përfundim se autori ka të drejtë kur shkruan se “Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit është vatër e bashkimit kombëtar”.
L.A.P.Sh. i Kantonit të St. Gallenit
Sektori për informim