Festat e fund-vitit sollën edhe numrin tetë të revistës “Bashkimi” në Uster të Zvicrës, e cila dëshmon edhe njëherë angazhimin e anëtarëve të kësaj Shoqate në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare.
Në 28 faqet e saj, lexuesi gjen informacione të ndryshme, nga aktivitetet e shoqatës, njihet me anëtarët e rijë dhe në veçanti aktivitetet e grupit të valleve, në gjirin e të cilit rregullisht bëjnë ushtrime mbi njëqind valltare e valltarë të moshave të ndryshme. Shoqata i kushton një rëndësi të veçantë edhe shkollës shqipe, e cila në vazhdimësi e ka përkrahur atë duke e mbështetur në aktivitetet shkollore por edhe më gjerë. Jo, vetëm revista por edhe shoqata shihet qartë se nuk është një revistë që mbron vetëm ngjyrat lokale, por kur bëhet fjalë për gjuhën dhe kulturën shqiptare, ajo i shtrin krahët kudo ku ka aktivitete shqiptare.
Në faqet e revistës në mënyrë të plotë lexuesi njoftohet edhe për hapjen e shkollave të reja shqipe në Vevey të Kantonit të Wadt, në Seebach, të Kantonit të Zyrihut, në Sion, të Kantonit të Valisit, në Cham të Kantonit të Zug-ut, në Wittigkofen të Kantonit të Bernës, në Baar të Kantonit të Zug-ut, në Zvicër.
Kjo revistë vazhdon të informoj prindërit shqiptarë edhe për shkollat tjera, të cilat padyshim janë lajmi më i mirë për të gjithë mërgimtarët, të cilët jetojnë në këto vendbanime dhe në fshatrat për rreth.
Nxënësit e Shkollës Shqipe në Cham dhe në Wittigkofen së bashku me mësueset e tyre
Nxënësit e shkollës shqipe në Vevy (VD) dhe në Baar, të Kantonit Zug së bashku me mësueset e tyre
Dhe fare në fund ashtu siç kam shkruar për numrin e parë, si dhe për numrat e tjerë, çdo shfletim i kësaj reviste të sjell një ndjesi të rrallë, të bënë për vete, të gëzon, edhe pse në vend të huaj, të bën të ndihesh krenar. Një pamje, që ta ndriçon ditën, që të gëzon, që të sjell freskinë e vendlindjes, e atdheut. Respekt për Shoqatën që ka ide të tilla, ide të cilat bashkojnë shqiptarët dhe i shpien në rrugë të mbarë, në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare.