ELONA AGOLLI

FONDACIONI KULTUROR

“DRITËRO AGOLLI”

Tiranë, më 29 shtator 2023

Të dashur nxënës dhe prindër,

Shumë i dashur prof. Vaxhidi,

Të nderuar përfaqësues të shoqatës atdhetare Kulturore “Bashkimi”,

Të dashur të ftuar të pranishëm,

Në një atmosferë të veçantë organizohet sot kjo pasdite e bukur, vlerësimi  së cilës përmes fjalës së duhur, mbiemër apo figurë letrare do të ishte i vështirë. E them këtë pasi në vetvete kjo ngjarje përmbledh shumë cilësi: ajo është edukative, mbi të gjitha, pasi duke njohur poetin dhe fjalën e tij të lëvruar, synohet drejtpërsëdrejti në dashurinë për gjuhën letrare shqipe, gjë që ndikon në përmirësimin e kulturës gjuhësore të brezit të ri, i cili aq shumë ka nevojë për këtë gjë.

Kjo pasdite ka edhe një tipar domethënës: Ajo frymëzon për një atdhedashuri të pamatur, për një dashuri e vëmendje ndaj vlerave kombëtare, trashëgimisë s sonë shpirtërore e kulturore.

Dhe së fundmi kjo pasdite ngre në piedestal punën e palodhur të mësuesve, të ndriçonjësve të mendjes dhe të shpirtit të nxënësve.

Janë ata përhapësit e diturisë, edukatorët e dashurisë për vendlindje e mëmëdhe, për gjuhën amtare e për historinë e kombit.

“Njeriu mëson gjithë jetën, – thoshte shpesh në biseda Dritëroi, – ai është student gjithmonë, qëkur është i  vogël e derisa bëhet plak. Mëson të ecë, të bëhet i ri, të dashurojë, mëson të bëhet plak e mëson të vdesë. Në jetën e njeriut mosha e re është mosha e të papriturave, e sfidave. Por, njëkohësisht është edhe mosha më  e mirë për të lexuar e shijuar leximin, atëherë kur libri të bëhet shoku më i mirë në çaste të lumtura por edhe në ato të trishtuara. Por nuk mjafton vetëm kaq, edhe libri i jetës, i natyrës, i shoqërisë, është po aq i rëndësishëm.”

Kështu këshillonte e bisedonte shpesh Dritëroi me të rinjtë, nxënësit e studentët.

Të dashur nxënës të shkollës shqipe,

Me librin jeta bëhet më e gëzueshme, ashtu si edhe me poezinë, arti me sublim i njerëzimit. Të mëdhenjtë njerëz të kulturës, të punës së mendjes, kanë bërë që toka amë të ketë më shumë dritë. Siç vjershëronte  rilindësi i shquar Naim Frashëri.

Në mes tuaj kam qëndruar

e jam duke përvëluar,

që t’u ap pakëzë dritë,

natënë t’ua bënj ditë.

 

Unë jam shumë e lumtur që sot kujtohet data e lindjes së babait tim, i cili me plot mburrje mund ta them, që është poeti frymëzues i brezave e brezave, i dashuri bard i popullit tonë, i shqiptarëve kudo që ata ndodhen, ndriçonjësi e optimisti në kohë të zymta, por edhe realisti e vëzhguesi i mprehtë në kohëra paqe e të zakonta.

Përmes prozës e poezisë së lëvruar nga ai, letërsia shqiptare ka kapur maja, duke theksuar fort tipare te identitetit tonë të patjetërsueshëm e të pangjashëm me askënd.

Është ky identitet kombëtar i cili do të bashkojë brezat ngaherë. Veçse përmes studimit, leximit dhe përhapjes së kulturës së trashëgimisë letrare shqiptare, identiteti ynë bëhet i pacenueshëm.

Uroj shumë që pasdite të tjera poetike e letrare të vijojnë në të ardhmen, që prof. Vaxhidi të mbajë përherë  ndezur flakën e atdhedashurisë, dashurisë për gjuhën shqipe, për letërsinë e vlerat kombëtare.

Do të kisha ardhur me shumë dëshirë, por disa probleme akute të shëndetit më ndaluan udhëtimin drejt jush. Shpresoj shumë që t’ju takoj e përqafoj në rastin më të parë,  të mundshëm.

Ju falënderoj sërish nga zemra për organizimin e kësaj ngjarjeje të bukur në nder dhe në kujtim të emrit dhe veprës së babait tim, Dritëro Agolli.

Mirupafshime e mirë u takofshim!

Elona Dritëro Agolli

ELONA AGOLLI: Profesor Vaxhidi, zgjodhi poetin e tij të zemrës – Dritëroin

Jo çdokush mund të bëhet e të jetë mësues i gjuhës amtare. Ai mësonjësi i gjuhës së nënës, nuk mjafton ta njohë mirë vetëm: gramatikën , drejtshkrimin, fonetikën, frazeologjinë e sintaksën, ai mbi të gjitha duhet, që atë ta ketë gjuhën e shpirtit, që ashtu si shpirti  edhe t’i dhembë, por edhe t’i gëzohet fort bukurisë së saj. I tillë është prof. Vaxhid Sejdiu, me kujdesin e të cilit, dje u organizua një pasdite e rrallë me nxënësit e Shkollës Shqipe në Zvicër, duke synuar që përmes dashurisë për poezinë dhe letërsinë të çmohet gjuha e bukur shqipe. Ai zgjodhi poetin e tij të zemrës, Dritëroin, duke e nisur ai i pari urimin për datën e lindjes së poetit, në këtë prag vjeshte, pasi përligjshēm është ajo, dashuria më e sinqertë e tij dhe e nxënësve të tij që duhet të urojë shkrimtarin.

Të falem nderës mësonjësi i përkryer, që përmes ngjarjeve të vogla e modeste në sy, përcjell mesazhe të mëdha!