Shkolla Shqipe, ashtu sikur shkollat e vendit në Zvicër filluan të përfundojnë vitin shkollor, varësisht nga kantonet ku zhvillohet ky lloj mësimi.

Duke marrë shkas nga kjo, ne bisedojmë me njërin nga mësuesit më të përkushtuar në shërbim të gjuhës dhe shkollës shqipe, jo vetëm në Zvicër, por edhe më gjerë. Bashkëbisedojmë me Dr. Vaxhid Sejdiun, mësues i cili bart lart e më lart flamurin  e “Shkollës Shqipe” në Zvicër, jo vetëm në klasat ku punon (nga njëra klasë në tjetrën, nga e hëna deri të shtunën) por edhe në organizimin e “Shkollës Shqipe”, koordinator i së cilës është.

  1. Sejdiu, viti shkollor 2020/21 po përfundon edhe në Zvicër. Gjatë këtij viti janë hapur një numër i madh i shkollave shqipe. Mund të na thoni për realizimin  e qëllimit të parashtruar në fillim të vitit shkollor.

Po, tani jemi në prag të përfundimit të vitit shkollor.  Në disa kantone mësimet sapo kanë përfunduar. Ka mbetur vetëm Kantoni i Zyrihut, në të cilin mësimi në “Shkollën Shqipe”përfundon brenda pak ditësh. 

Mund të themi pa ndroje se nga puna dhe përkushtimi i prindërve dhe mësuesve, jemi shumë të kënaqur. Sukseset janë evidente dhe bashkërisht vazhdojmë rrugëtimin tonë në shërbim të nxënësve shqiptar në Zvicër.

  1. A mund te themi se ky vit për ju dhe për “Shkollën Shqipe” në Zvicër ishte i suksesshëm? – meqë në mediat tona kemi lexuar gjatë tërë vitit për kontributin tuaj, në hapjen e shkollave te reja dhe rritjen e atyre ekzistuese.
  • Edhe pse situata ishte nën ndikimin e kufizimeve të shumta në kuadër të masave të pandemisë, në bazë të rezultateve, ky vit ishte pa dyshim mjaft i suksesshëm; janë shtuar pikat shkollore, me shtrirje dhe në kantone të tjera ku nuk ka pasur një shkollë shqipe është rritur numri i nxënësve. Vlen të theksohet se ka një angazhim më të madh të mësuesve dhe prindërve, pikërisht për këtë mund të themi se “Shkolla Shqipe” në Zvicër është rritur dhe po rritet dita – ditës.
  1. Cilat janë këto rezultate?
  • Në kuadër të “Shkollës Shqipe” në Zvicër, kemi hapur 51 pika shkollore, ku organizohen orët mësimore në gjuhën amtare me mbi 800 nxënës, ndërkohë që janë në proces edhe 24 shkolla të reja, të cilat, për shkak të masave ndaj pandemisë, nuk arritëm t`i hapim. Kemi krijuar Këshillin Pedagogjik me 23 mësues/e, Këshillin e “Shkollës Shqipe” në Zvicër me 23 mësues dhe 51 kryetarët e Këshillave Prindëror, që përbëjnë Këshillin e Shkollës.
  1. Sigurisht këto suksese janë shpresëdhënëse për rritjen e “Shkollës Shqipe” në Zvicër. Por sa keni  pasur mbështetje nga institucionet tona Shqipëri – Kosovë, qoftë nga Ambasadat apo ministritë përkatëse?
  • “Shkolla Shqipe” në Zvicër, është krijuar me mbështetjen e Ambasadës së R. së Shqipërisë në Bernë e cila në vitin 2019 u zyrtarizua si sponsore e njohur e mësimit të gjuhës shqipe në Zvicër. Ajo ka pasur dhe vazhdon të ketë mbështetje si nga Ambasada e RSH ashtu edhe ajo e RK. Në veçanti vlen të theksohet projekti i Komisionit të përbashkët Shqipëri – Kosovë, për hartimin e përzgjedhjes së teksteve shkollore. Pastaj, krijimi i regjistrit të mësuesve në diasporë, ku mësuesit e “Shkollës Shqipe” që kanë aplikuar për tu regjistruar në regjistrin kombëtar të mësuesve janë pranuar dhe pritet të pajisen me certifikata. Aplikimi do të vazhdoj edhe sivjet dhe afati është u hapur deri ne shtator. Po ashtu edhe nxënësit që përfundojnë mësimin e gjuhës shqipe në Zvicër do të pajisen me certifikata të njohura nga të dyja shtetet Shqipërisë dhe Kosovës. E gjithë kjo procedurë bëhet nëpërmjet Ambasadës së RSH-së në Bernë, me shkresa zyrtare, e cila gjithmonë është dhe mbetet e gatshme për te çuar përpara këtë projekt. Të mos harrojmë dhe pajisjen me tekstet shkollore dedikuar diasporës, të prodhuara nga Qendra e Botimeve për Diasporën, dhe të siguruara e të shpërndara që nga viti i kaluar nga Ambasada shqiptare.
  1. Dhe për vitin e ardhshëm?
  • Për vitin e ardhshëm shkollor përveç këtyre pikave shkollore që funksionojnë dhe që janë në proces, përmes Ambasadës së R. së Shqipërisë në Bernë kemi bërë kërkesë edhe për 30 shkolla të reja, me të cilat ne përfshijmë të gjitha kantonet e Zvicrës dhe hapim një dritare të re për masivizimin e shkollës shqipe, me moton “Sa më shumë pika shkollore, më shumë nxënës, më shumë mësues, më shumë prindër në kuadër të shkollës shqipe”. Presim që me fillim të vitit të ri shkollorë 2021-2022 të vinë tekstet e reja shkollore për Diasporën .
  1. Ditë më parë keni bërë edhe promovimin e librit “Shkolla shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar”. Për çka bëhet fjalë në këtë libër?
  • Në këtë libër jam munduar të përfshij angazhimin e prindërve, mësuesve dhe nxënësve të shkollave shqipe në Kantonin e St. Gallenit dhe jo vetëm, gjatë këtyre tre dekadave, në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar. Një përkushtim që vlen të vlerësohet dhe të merret si model në ruajtjen e gjuhës amtare.
  1. Në fund të qershorit u organizua edhe takimi i Mësuesve të Diasporës, në të cilin morën pjesë edhe ministrat e Shqipërisë dhe të Kosovës. I pranishëm ishit edhe ju. A mund të na thoni diçka për përmbajtjen dhe tematikat e diskutuara në këtë takim?
  • Në takimin e datës 22 Qershor, nën organizimin e Qendra së Botimeve për Diasporën, përfaqësues të institucioneve të përfshira si nga R. Shqipërisë dhe R. Kosovës në procesin e mësimit për Diasporë folën lidhur me sfidat dhe problematikat e fushës. Në këtë mbledhje morën pjesë mësues/e të Diasporës nga e gjithë bota, me pranin e Ministrave të Diasporës dhe të Arsimit të R. së Shqipërisë dhe të Kosovës; z. Pandeli Majko, znj. Arbërie Nagavci, znj. Evis Kushi, znj. Liza Gashi dhe drejtoresha e QBD-së znj. Mimoza Hysa dhe ajo e Ministrisë së punëve të Jashtme znj. Mira Hoxha. Nga përfaqësues të lartë të institucioneve të dyja vendeve tona, Diaspora u cilësua si aset, cila është gjithmonë e gatshëm për të kontribuar në fushën e arsimit, me përkushtimin dhe vullnetin e mësuesve shqiptarë. Gjithashtu në këtë takim u vlerësua shpallja e një teksti fitues nga Komisioni i përbashkët Shqipëri-Kosovë për miratimin e teksteve mësimore për Diasporën i cili është i rëndësishëm jo vetëm për cilësinë e mësimdhënies por dhe një vlerë morale. Në këtë takim unë po merrja pjesë në cilësinë e kryesuesit të KKAD-së dhe Koordinatorit të “Shkollës Shqipe” në Zvicër, ku vlerësova punën e komisionit të përbashkët dhe mirëpresim produktet e para. Theksova nevojën nëse do mund të procedohej më shpejt në dhënien e certifikatave për nxënësit që kanë përfunduar programin e gjuhës shqipe dhe pajisjen me certifikata për mësuesit e Diasporës, kërkesa këto që i kemi adresuar me kohë përmes Ambasadës shqiptare në Bernë. Kërkova organizimin e seminareve në përgatitjen e mësuesve. Platforma digjitale është më se e nevojshme, por nevojitet dhe e printuar. Mendoj se tani është momenti që bashkërisht përveçse ti bashkërendisim kërkesat e këtij lloj mësimi, unifikimi i është më se i nevojshëm për te ardhmen në procesin e mësimit te gjuhës shqipe në Diasporë në përgjithësi e në Zvicër në veçanti. Në takimin e nivelit të tillë, “Shkolla Shqipe” në Zvicër, nga të pranishmit u evidentua si shembull pozitiv i funksionimit dhe organizimit për mësimin e gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare.
  1. Dhe në fund keni ndonjë mesazh për familjet shqiptare?

E para, si mësues shumëvjeçar me fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, si mësues me një përvojë të gjatë në fushën e këtij lloj mësimi, apeloj te të gjithë prindërit që fëmijët e tyre t`i regjistrojnë me kohë në shkollën shqipe, dhe jo me vonesë sepse ata të cilët vinë me vonesë nuk ndihen mirë, nuk janë të barabartë me ata të cilët e mësojnë gjuhën amtare me rregull. Edhe më keq e kanë ata të cilët nuk marrin pjesë asnjëherë në orët mësimore të gjuhës shqipe, sepse do të kenë vështirësi në të ardhmen e tyre.

E dyta, rëndësia e gjuhës amtare është shumë më e madhe se sa mendohet nga një numër i konsiderueshëm i prindërve. Pa gjuhën amtare, ata nuk mund të mësojnë në mënyrë profesionale gjuhën e vendit ku jetojnë. Një gjë të tillë e thonë edhe ekspertët zviceranë. Një gjë të tillë e preferojnë edhe mësuesit dhe drejtoritë  e shkollave zvicerane. Nëpërmjet gjuhës shqipe ata mund ta mësojnë më mirë gjuhën e vendit dhe mund të arrijnë një integrim më të lartë në shoqërinë zvicerane, e cila është multigjuhësore e multikulturale dhe që i nxit pikërisht këto vlera e shumë të tjera.

E treta; prindërit e kanë për detyrë, që fëmijëve të tyre, t`ua mësojnë gjuhën amtare.  Pra  është detyrim moral edhe kombëtar jo vetëm i njërit, por i të gjithëve që ta ruajmë gjuhën amtare.