Pamje nga Takimi i Mësuesve me rastin e Festës së 7 Marsit, organizuar nga KKAD-ë
Më, 6 mars 2022 KKAD (Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë) organizoi, një takim virtual me anë të paraqitjes në Zoom. Takimin në platformë e udhëhoqi prof. Mustafë Krasniqi, ndërsa mësimdhënësja e nderuar Mira Shehu qe moderatore.
Duke pasur parasysh se shumë shqiptarë janë shtrirë në vendet të ndryshme të botës, pjesa më e ndërgjegjshme e tyre është përpjekur e po përpiqet të organizojë sa më mirë mësimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe si dhe mësimin e disa lëndëve të tjera, si histori, gjeografi etj., në shkollat e vendeve ku banojnë. Mësimdhënës të nderuar, madje edhe profesor me tituj e grada shkencore, po përpiqen që të shpëtojnë atë që është e mundur nga asimilimi, apo thjesht ta themi, po përpiqemi, të paktën, një pjesë e mirë e shqiptarëve në mërgatë, të mos shuhen e të mos treten.
Kështu, siç duket edhe gjatë shekujve që kaluan, gjithmonë ka pasur damarë të shëndoshë edhe në mërgatë, nëpër të cilët ka qarkulluar gjaku i pastër i të parëve dhe natyrshëm edhe vullneti për fjalën e ëmbël e të dashur shqipe, prandaj edhe shpirti i arbëreshit, i shqiptarit ka gjallëruar, madje edhe i ka ardhur në ndihmë Atdheut në çdo rrethanë e sidomos kur nevoja ka qenë e madhe për përkrahje e ndihmesë.
Gjuha shqipe i përhap rrezet e shkëlqyera atje ku mësohet, shpirti i shqiptarit gjallëron dhe krijon vazhdimësinë me anën e këtyre rrezeve të ngrohta e të shkëlqyera gjuhësore. Por, ajo që e siguron, në mërgatë, më së miri këtë vazhdimësi, lidhjet e natyrshme me rrënjët e Atdheut, të shqiptarësisë sonë, janë organizimet sa më gjëra, sa më të denja nëpërmjet vatrave arsimore, në shkollat e vendeve ku kanë mërguar shqiptarët. Ndaj një pjesë e mirë e mësimdhënësve dhe organizmave shqiptarë në të katër anët e botës, jo vetëm e kanë vetëdijen e qenësisë shqiptare, por janë edhe për çdo lëvdatë e admirim për punën, veprimtarinë e përkushtimin e madh arsimor, kulturor në gjuhën shqipe e atdhetarizëm shqiptar përgjithësisht.
Në vazhdën e këtij përkushtimi të madh arsimor e kulturor, të këtij atdhetarizmi janë organizuar shkollat shqipe në Gjermani, në Zvicër, në Itali, në Greqi, në Austri, në Amerikë, në Kanada, madje edhe në Australi e në shumë vende të tjera. Prandaj si rrjedhojë e gjithë kësaj, janë edhe takimet e festimet që bëhen qoftë për festat historike shqiptare, qoftë edhe për ato me karakter arsimor, kulturor. Në këtë lidhshmëri është takimi virtual më 6 mars 2022, siç e theksova edhe më sipër, për Ditën e Mësuesit, pra për Festën e Shkollës Shqipe.
Takimi virtual, më 6 mars 2022
Në këtë takim, përveç mësimdhënësve, morën pjesë edhe veprimtarë, por edhe përfaqësuesit e tri shteteve, ku pjesa më e madhe shqiptarëve jetojnë. Pra morën pjesë me fjalën e tyre duke u zotuar se do të na përkrahin e mbështesin : Ministrja e arsimit e Shqipërisë Evis Kushi, zëvendës ministri i arsimit i Kosovës Dukagjin Pupovci, ministri pa portofol – për Diasporën i Republikës së Maqedonisë së Veriut Xhemail Çupi dhe drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporë Mimoza Hysa.
Siç u vu në dukje edhe më sipër, në këtë takim, së pari e mori fjalën profesor dr. Vaxhid Sejdiu, puna dhe veprimtaria e të cilit ka shkëlqyer e shkëlqen në të gjitha situatat, në të gjitha takimet që ai i ka bërë kudo në Zvicër, por edhe në Atdhe e në vende të tjera. Pa këtë punë, pa këtë veprimtari, pa përkushtimin e tij të pazëvendësueshëm as që mund të mendohej e mendohet organizimi, suksesi e mbarëvajtja e mësimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare këtu në Zvicër. Ai diti të mblidhte njerëz të denjë, mësues e mësuese, mësimdhënës të nderuar, kolegë, veprimtarë të çmuar, por ai diti të bashkëpunojë edhe me institucionet qofshin këto në Zvicër, qofshin ato në trojet shqiptare, sidomos me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë dhe atë të Kosovës në Zvicër, përkrahja e të cilave duket qartazi, si shtyllat e mbrojtja më e mirë për vatrën arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër.
Profesor Vaxhidi në emër KKAD- së, ndër të tjera tha: “ Gëzuar festa, gëzuar Dita e Mësuesit! Kjo festë do të na frymëzojë dhe ky frymëzim do të na motivojë edhe më tepër në të ardhmen, me qëllim që të punojmë në shërbim të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Me shumë rëndësi është që ne të gjithë të bëhemi bashkë për t’i ndihmuar fëmijët shqiptarë, që ta ruajnë gjuhën e nënës – gjuhën shqipe.”
Ai më pas shprehu kënaqësinë që në atë takim merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e tri shteteve, ku jetojnë shqiptarët në trojet e tyre. Por, ai vuri në dukje edhe problemet e vështirësitë, që kanë shqiptarët në mërgatë, për rreziqet që na vijnë dhe për mundësinë që institucionet e tri shteteve të na përkrahin dhe mbështesin që të ruajmë të paktën atë që është e mundur.
Në këtë takim morën fjalën krejt natyrshëm edhe mësimdhënës të tjerë, të cilët veç përshëndetjeve, u bashkuan si një zë i vetëm duke kërkuar nga institucionet tona të bëjnë ç’ është e mundur për të krijuar të gjitha mundësitë mësimdhënësve shqiptarë që të vijojnë punën në kushte e rrethana më të favorshme, më gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të rinjtë e të rejat, fëmijët shqiptarë të mësojnë mirë gjuhën e kulturën shqiptare, të jenë sa më afër zhvillimeve e vazhdimësisë shqiptare në Atdhe.
Mbase nuk është e nevojshme të theksojmë ato që kolegët a gazetarët i kanë thënë e shkruar para meje, por unë dua të vë në dukje edhe fjalën e përfaqësuesit të arbëreshëve, pra të profesor Michele Greco, i cili shumë natyrshëm uroi dhe tha: “Jam arbëresh ka Kalabria. Jam shumë i nderuar se marrë pjesë në takim për 7 Marsin, Ditën e Mësuesit. U ju thom një shprehje që na arbëreshët e kemi: “ Është më mirë të dish se të kesh.” Ky është një mesazh që arbëreshëve na kujtoi të mbajmi gjuhën e shpirtin arbëresh gjallë për 600 vjet.”
Përfaqësuesi arbëresh e mbylli fjalën e tij me porosinë që duhet të jemi të fortë e të qëndrueshëm dhe ta mbajmë gjallë gjuhën e shpirtin e shqiptarit duke mësuar mirë gjuhën, duke ditur këtë gjuhë nuk shuhet as dashuria për shqiptarësinë e kulturën tonë.
Një nga mësimdhënësit shfrytëzoi rastin pasi uroi dhe tha se jemi në 50 – vjetorin e formimit të gjuhës letrare shqipe dhe me këtë rast e kujtoi gjuhëtarin e shkrimtarin e shquar arbëresh Fragjisk Pal Solana – Dushko Vetmo i cili ka thënë: “Ne mendojmë që nuk ka një rrugë tjetër, për ta pasuruar dhe përmirësuar gjuhën dhe kulturën arbëreshe përveçse me lidhje sa më të plota me gjuhën dhe kulturën e mëmëdheut. Copëtimi i gjuhës është copëtimi i kombit dhe copëtimi kombit shpie domosdo në zhdukje.”