Mësimi i gjuhës shqipe në Diasporë është e një rëndësie të madhe, duke ruajtur gjuhën amtare dhe identitetin kombëtar e për rrjedhojë ka qenë ndër shqetësimet dhe objektivat konstantë të punës së Ambasadës. Bazuar në të dhënat zyrtare, në Zvicër ka një kontigjent prej 30-35 mijë fëmijë të moshës shkollore që i përkasin diasporës shqiptare.

Pavarësisht përpjekjeve të bëra ndër vite, masivizimi i mësimit të gjuhës shqipe ka qenë problematik. Aktualisht dhe të paktën këto 15 vitet e fundit, numri i nxënësve që mësojnë gjuhën shqipe ka variuar nga 1400 në 1700 syresh në vetëm 12 kantone nga 26 të tilla që ka Zvicra.

Nisur nga kjo situatë, që në gjykimin e Ambasadës është e papranueshme, ajo (Ambasada) vitin e kaluar, 18 Gusht 2019 , ndërmori hapin zyrtar të njohjes së saj si sponsor zyrtar të mësimit të gjuhës shqipe në diasporën shqiptare në Zvicër. Me kryerjen e formaliteteve me autoritetet zyrtare filloi puna për  rigjallërimin e  mësimit të gjuhës shqipe. Për këtë Ambasada organizoi atë që tashmë quhet “Shkolla Shqipe” duke përfshirë mësues të përkushtuar e profesionalë për ti dhënë një shtysë mësimit të gjuhës shqipe. Koordinator i Ambasadës për Shkollën Shqipe u caktua mësuesi veteran Vaxhid Sejdiu. Me marrjen e drejtimit prej z. Sejdiu janë bërë hapa të jashtëzakonshëm. Kështu, vitin e fundit, më punën e pakursyer të tij dhe arsimtarëve të tjerë të inkuadruar në “Shkollën Shqipe”, u hapën 43 shkolla të reja të gjuhës shqipe të cilët kanë një numër të konsiderueshëm nxënësish shqiptarë (648 nxënës) me përfshirjen e 15 mësuesve.

Ndonëse në fillimet e saj, “Shkolla Shqipe” i ka dhënë një impuls të ri mësimit të gjuhës shqipe dhe po vojin me shtrirje në kantonet e Zyrihut, Lozanës, Gjenevës, Bazelit dhe atë të Bernës, me objektiv shtrirjen në tërë territorin e Konfederatës. Fakt është që vitaliteti i “Shkollës Shqipe”, rritja e vazhdueshme e numrit të klasave, nxënësve pjesëmarrës dhe mësuesve të angazhuar. Falë punës së palodhur të mësuesve të angazhuar në kuadër të “Shkollës Shqipe” tanimë ndodhemi para faktit se shkollat shqipe po hapen, prindërit dhe nxënësit po e përjetojnë pozitivisht këtë impuls të ri që ka dhënë “Shkolla Shqipe” e cila po fiton gjithnjë e më shumë terren. Ky realitet pa dyshim që ka vënë në “siklet” disa struktura të kalçifikuara e atrofizuara ndër vite dhe kjo konstatohet në faktin që mjaft mësues apo shoqata prindërish kërkojnë bashkëpunim me “Shkollën Shqipe” dhe Ambasadën. Kjo u vu re dukshëm sidomos  gjatë muajt të fundit kur dhe u realizua shpërndaja e teksteve shkollorë të dërguar nga Qendra për Botimet e Diasporës.

Puna për mësimin e gjuhës shqipe në diapsorë bazohet në Strategjinë e përbashkët të Mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë të qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës si dhe akteve ligjore e nënligjore në mbështetje të saj. Ambasada e RSH në Bernë bashkërendon veprimtarinë e saj për mësimin e gjuhës shqipe me simotrën e saj ambasadën e Republikës së Kosovës dhe atë të Maqedonisë së Veriut.