( Disa fjalë zemre për bashkatdhetarët shqiptarë në mërgim)
Kur kam qenë në vendbanimet, katundet arbëreshe në Itali, duke i dëgjuar fjalët arbëreshe, duke e përjetuar atë dashurinë vëllazërore që ata shfaqnin, duke dëgjuar këngët e mallit, të vajimit e të krenarisë arbëreshe, duke i dëgjuar tingujt e ëmbël të arbërishtes, të fjalëve e brumit të shqipes, më besoni, më dukej sikur isha në Shqipëri, apo në trevat të tjera të saj. Nuk mund t’i ndaj, shpirtërisht, ato katunde, ato vendbanime arbëreshe nga trevat të tjera shqiptare. Ajo, që ne na bënë, fillimisht, të përjetojmë një gjendje të mirë shpirtërore, është gjuha që ata e mbajnë të ngrohtë në zemrat e në shpirtin e tyre, pastaj vijnë me radhë vlerat të tjera vëllazërore që i kemi me ta. Le të jenë arbëreshët shembulli më i mirë i mbijetesës e ruajtjes së qenësisë shqiptare për të gjithë shqiptarët kudo që janë.
Të nderuar prindër të fëmijëve shqiptarë, të dashur vëllezër e motra, së pari ju lutem si vëllai i juaj, por edhe si një mësues i gjuhës së shenjtë, gjuhës shqipe, t’ i lexoni këto që kam shkruar dhe ta vini dorën në zemër për ardhmërinë e fëmijëve tuaj, për vazhdimësinë e qenësisë shqiptare.
Të nderuar prindër të fëmijëve shqiptarë, ka një kohë të gjatë, prej vitit të kaluar, kur kam filluar të punoj me disa nxënës shqiptarë.
Puna dhe aktiviteti me këta nxënës më ka dhënë kënaqësi të madhe shpirtërore, sepse detyra e një mësuesi të gjuhës shqipe, sidomos në diasporë, është detyrë e dyfishtë edhe t’ua mësojë fëmijë shqiptarë gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare edhe e nxisë e të forcojë dashurinë për atdheun, për të gjuhën e kulturën dhe natyrisht për të qenë këta fëmijë, kurdoherë, të lidhur me vendin e të parëve me gjuhën shqipe e me vetitë më të mira të popullit tonë, pra për të qenë këta fëmijë, kurdoherë, shqiptarë të denjë.
Mund t’ju them me krenari se kam arritur rezultate shumë të mira me fëmijët që kanë ardhur në Shkollën Shqipe në Schaffhausen, sepse ata në fillim nuk i kanë ditur fare as shkronjat e gjuhës shqipe, ndërsa tani ata dinë të lexojnë e të shkruajnë mirë e pa gabime, kanë mësuar se kush kanë qenë të parët tanë, nga e kemi zanafillën, ku shtrihen tokat shqiptare, kanë mësuar gramatikë e letërsi, gjeografi e histori, kuptohet jo shumë, por unë i kam përshtatur temat për moshën e gjendjen e tyre, në mënyrë që të mos ngarkohen me mësime të shumta, që të mos iu bëhen ato pengesë.
Të mërkurën që shkoi, pata kënaqësinë të shikoja shumë mirë, kur nxënësit e mi, në dërrasën e zezë, shkruanin fjalitë pa asnjë gabim, Kjo, të them të drejtën, më lumturoi.
Të nderuar prindër të fëmijëve shqiptarë, të dashur vëllezër e motra, ju drejtohem me zemër të çiltër, të pastër dhe ju them shumë qartë, se fatin e fëmijëve tuaj e kemi në dorë ne shqiptarët. Ne së bashku me ju jemi përgjegjës, jemi ne parandaluesit që këta fëmijë të mos shuhen, si shqiptarë. Për të mos shuar si shqiptarë, ata duhet ta mësojnë mirë gjuhën shqipe në shkolla. Gjuha shqipe është pasuria dhe krenaria jonë shqiptare. Gjuha shqipe na mbanë gjallë si popull, si komb. Nga gjuha shqipe na vjen edhe emri ynë si popull, por edhe emri i vendit tonë i trojeve shqiptare.
Profesor dr. Emil Lafe nga Tirana, thotë se “…shqiptarët u bashkuan rreth gjuhës shqipe, siç janë bashkuar gjithmonë rreth gjuhës shqipe e flamurit kombëtar, për të dalë para botës si një njësi, si një unitet, për të treguar lidhshmërinë shpirtërore e kulturore duke i hapur rrugë zhvillimeve të tjera të natyrshme…”
Rëndësia e mësimit të gjuhës shqipe është jo vetëm e madhe, mësim ky që duhet të jetë i domosdoshëm për të gjithë shqiptarët, kudo që jemi, sepse jo vetëm pasurohemi me dijet dhe shprehjet e bukurisë së gjuhës shqipe, por edhe e lartësojmë nivelin kulturor e njëkohësisht i mbrojmë dhe i forcojmë rrënjët e krenarinë e qenësisë shqiptare.
Mësimi i gjuhës shqipe për shqiptarët e mërguar merr një rëndësi edhe më të madhe, sepse në vende të huaja gjithmonë ka rreziqe për t’u harruar kultura e gjuha e mërgimtarëve. Prandaj mësimi i gjuhës shqipe është mbrojtja më e mirë e zanafillës shqiptare.
Të vetëdijshëm për këtë, mësimdhënësit e bashkatdhetarët tanë të udhëhequr nga prof. dr. Vaxhid Sejdiu po bëjnë punë dhe veprimtari të lavdërueshme kulturore e atdhetare, prandaj edhe organizimi i shoqatës “Shkolla Shqipe” në Zvicër ka gjithnjë e më shumë suksese.
Kudo në Zurich e në kantone të tjera po hapen shkollat në gjuhën shqipe
Deri më tani janë hapur 46 pika shkollore, ku marrin pjesë rreth 700 nxënës. Pika të tjera shkollore janë në procesin përfundimtar drejt hapjes.
Ju lutem, të bashkëpunojmë e të veprojmë, sepse kështu jemi në udhë të mbarë, prandaj është detyrë e juaja dhe e jona të përhapim dritën e diturisë së gjuhës shqipe dhe të sigurojmë mundësinë që brezat e ardhshëm ta ruajnë vazhdimësinë shqiptare dhe kjo vazhdimësi fillon me mësimin e gjuhës, letërsisë, historisë e kulturës shqiptare në shkolla.
Ne, jemi dëshmitarë se pjesa më e madhe e fëmijëve shqiptarë në mërgim flasin me shumë vështirësi, madje atyre iu mungojnë pjesa më madhe e fjalëve në gjuhën shqipe. Nëse kështu vazhdohet, këta fëmijë do të jenë të pandjeshëm ndaj gjuhës, atdheut, kulturës e qenësisë shqiptare.
Ne mund jemi evropianë të mirë, nëse nuk e mohojmë veten tonë. Njeriu nëse e mohon veten e tij, pra nëse nuk e respekton gjuhën e kulturën, historinë e qenësinë e tij, nuk mund të jetë i mirë as për vendin e huaj. Pra ne, fillimisht, duhet të jemi shqiptarë të mirë, pastaj edhe zviceranë a evropianë të mirë.
Kjo është detyrë, por është edhe mision i shenjtë, prandaj të bashkohemi rreth gjuhës shqipe e vlerave të mirëfillta shqiptare e njerëzore se kështu dalim para brezave faqebardhë. Më ndihmoni, ju lutem, të hapim dyert e shkollave shqipe në Schaffhausen.
Puna me fëmijët do përkushtim e durim të madh, ata janë në gjendje të mësojnë shumë mirë, kur ne kemi bashkëpunim e bashkëveprim. Ata janë në gjendje, njëkohësisht, të mësojnë tri a katër gjuhë pa ndërprerje, prandaj edhe gjuhën shqipe do ta mësojnë, padyshim, por kushti i vetëm është të vijnë në shkollën shqipe e të na ndihmoni edhe ju në punën e misionin e shenjtë për përvetësimin e përforcimin e mësimit në gjuhën shqipe.
Puna me këta fëmijë në diasporë, nuk është njësoj si puna me fëmijët që janë në trojet shqiptare, sepse ata të gjitha mësimet i bëjnë në gjuhën shqipe, gjuhën shqipe e kanë gjuhën e përditshme, ndërsa këta këtu në mërgim, e mësojnë në radhë të parë, gjuhën e vendit në shkollë, ku jetojnë. Kështu, këta fëmijë nuk mund ta mësojnë shpejt gjuhën shqipe, por me durim e pak nga pak, duke mos u ndalur bashkëpunimi ynë do të na çojë te rezultatet e shkëlqyera.
Më ndihmoni, ju lutem në punën e shenjtë për gjuhën e kulturën shqiptare.
Të mos harrojmë se për ne shqiptarët kudo që jemi, veçanërisht për ne në mërgim, gjuha shqipe është gjuhe e zemrës.
Në mbyllje të këtij shkrimi do të doja të shtoja edhe disa përjetime.
Kur kam qenë në vendbanimet, katundet arbëreshe në Itali, duke i dëgjuar fjalët arbëreshe, duke e përjetuar atë dashurinë vëllazërore që ata shfaqnin, duke dëgjuar këngët e mallit, të vajimit e të krenarisë arbëreshe, duke i dëgjuar tingujt e ëmbël të arbërishtes, të fjalëve e brumit të shqipes, më besoni, më dukej sikur isha në Shqipëri, apo në trevat të tjera të saj. Nuk mund t’i ndaj, shpirtërisht, ato katunde, ato vendbanime arbëreshe nga trevat të tjera shqiptare. Ajo, që ne na bënë, fillimisht, të përjetojmë një gjendje të mirë shpirtërore, është gjuha që ata e mbajnë të ngrohtë në zemrat e në shpirtin e tyre, pastaj vijnë me radhë vlerat të tjera vëllazërore që i kemi me ta. Le të jenë arbëreshët shembulli më i mirë i mbijetesës e ruajtjes së qenësisë shqiptare për të gjithë shqiptarët kudo që janë.
Mësimdhënës:
Isuf Ismaili.
+41 76 405 45 32
isufismaili.al@gmail.com