Isuf Ismaili: Veprimtari sa kulturore po aq atdhetare për jetën e veprën e të madhit Dritëro Agolli
Më, 1 tetor 2023 përjetuam kënaqësi të madhe , të jashtëzakonshme në veprimtarinë e shkëlqyer të vartës sonë arsimore ”Shkolla Shqipe” në Uster të Zvicrës, të prirë nga profesor dr. Vaxhid Sejdiu, veprimtar, mësimdhënës, shkrimtar, humanist e atdhedashës i shquar.
Në këtë ditë u bashkuam ne mësimdhënësit, nxënësit, prindërit, bashkatdhetarët dhe dashamirësit e gjuhës e letërsisë sonë, për të nderuar jetën e veprën e poetit, dramaturgut, prozatorit, njeriut humanist, dashamirësit të të gjithë shqiptarëve, atdhedashësit të shquar Dritëro Agolli, i cili ka botuar vepra të shquara që e kanë dritësuar e dritësojnë letërsinë e gjuhën shqipe. Vepra këto që kanë motive të shumta, të pasuruara me bukurinë e pasurinë e gjuhës shqipe, gjuhës së këndshme, të pasur, të çiltër, të rrjedhshme e të dashur me të cilën që Dritëroi ynë i madh jo vetëm ka folur, por edhe i ka shkruar veprat e tij që janë e do të jenë pasuri e madhe në krijimtarinë e tërësishme letrare e kulturore shqiptare. Nga të gjitha këto motive në veprën e tij ngre kokë, motivi i atdhedashurisë, i përkushtimit për Shqipërinë e tërësishme e të natyrshme, siç thoshte ai, se Shqipëria përtej Drinit është Kosova e viset të tjera shqiptare që qenë të pushtuara nga Jugosllavia dhe pjesa tjetër është Shqipëria këtej Drinit, një Shqipëri e bashkuar përgjithmonë në zemrat e mendjet tona.
Organizimin e kësaj veprimtarie të shquar mbresëlënëse e kanë organizuar me shumë përkushtim, me profesionalizëm të përkryer profesor dr. Vaxhid Sejdiu e bashkëshortja e tij Qefsere Osmani, mësimdhënëse dhe nxënësit e mrekullueshëm, të cilët edhe pse në mërgim, recituan, kënduan me shumë përkushtim e dashuri dhe e ndriçuan mendjen e zemrat e tyre por edhe mendjet e zemrat tona, me poezitë e prozën e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli. Në këtë organizim qe e dha ndihmesën e saj edhe shoqata kulturore “Bashkimi” në Ushter (Uster) të kantonit Cyrih në Zvicër, po ashtu dhanë ndihmesën e tyre edhe disa mësimdhënës, prindër të nxënësve e veprimtarë, nxënësit etj., por protagonistët kryesor janë mësimdhënësit e shkëlqyer Vaxhid e Qefsere Sejdiu.
Në këtë pasdite kulturore u nisën ditët e festimeve për ditëlindjen e shkrimtarit të shquar të letërsisë sonë Dritëro Agolli, në nderim të jetës e veprës së tij. Në këtë ditë sa poetike, artistike, ku shëmbëlleu poezia e Dritëro Agollit, qe e ftuar edhe bija e tij e nderuar Elona, që përkujdeset me shumë përkushtim e dashuri të mbajë ndezur zjarrin e krijimtarisë letrare, njerëzore, atdhetare, shoqërore e përgjithësisht kulturore, që na vjen nga vepra e Dritëroit tonë të madh. Ajo flet me mall e dashuri të madhe jo vetëm pse Dritëroi është i ati i saj, por edhe sepse ai është shkrimtari dhe atdhedashësi i të gjithë popullit shqiptar e trojeve të tij natyrshme arbërore. Por, për shkaqe shëndetësore, ajo nuk pati mundësi të vinte në mesin tonë, por megjithëkëtë ajo na e dërgoi një video, nga e cila na përshëndeti e na uroi përzemërsisht dhe premtoi se në organizimet kulturore e artistike, shoqërore e vëllazërore në të ardhmen do të vijë e do të na nderojë me praninë, fjalën e përkushtimin e saj.
Në këtë pasdite kulturore e mori fjalën profesor Vaxhidi, i cili foli për jetën e veprën e Dritëro Agollit, me shumë përkushtim, profesionalizëm e nderim.
Duke mos u zgjatur më shumë në këto momente, uroj që veprimtari të tilla të kemi sa më shumë, uroj që profesor Vaxhidi, mësusese Qefserja, mësuesit të tjerë, nxënësit dhe bija e shkrimtarit të shquar Elona të kenë veprimtari të mbarë, shëndet e gjithë të mirat! Nderime e suksese ngaherë!