Mësimdhënësja e nderuar Ardiana Bejko në vështrimin e saj për librin “Shkolla Shqipe, në kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar” e prof. Dr, Vaxhid Sejdiut shkruan kështu: “Gjuha jonë e ëmbël shqipe, është gjuha që na ndez krenarinë të gjithëve, por sidomos më shumë ne mësimdhënësve të gjuhës shqipe në diasporë. Ky studim sjell për të gjithë këtë mesazh: për ta bërë më të sigurt të nesërmen e gjuhës sonë amtare duhet ta njohim të shkuarën dhe punën e bërë nga paraardhësit tanë. Autori shpjegon qartë se gjuha amtare është identiteti më i spikatur i një kombi dhe të mësuarit e gjuhës amtare nuk është vetëm një proces arsimimi, por është edhe më shumë, është vlerë e kulturës dhe e traditës kombëtare. Populli ynë thotë: “Gjuha ruhet aty ku shkruhet!” Pikërisht për këtë dua të falënderoj punën e Dr. Vaxhid Sejdiut, i cili reflekton me përvojën e tij, opinionin e gjerë shqiptar, duke i dhënë edhe më shumë përparësi, mësimit shqip në diasporë.
Kjo përmbledhje e veprimtarisë së Shkollës Shqipe në Kantonin e St. Gallenit, si vatër e bashkimit kombëtar, për herë të parë na sjell në mënyrë kronologjike dhe hap pas hapi lindjen dhe rritjen e kësaj shkolle si dhe kontributin e shumë atdhetarëve në mbarëvajtjen dhe rritjen e saj. Ndryshe nga ç’ ndodh rëndom, nga ajo që shumë studiues kërkojnë të shkruajnë histori vetëm të mbështetur në kujtime të dëshmitarëve, Dr. Sejdiu ilustron çdo rresht dhe fakt me foto dhe dokumente autentike të veprimtarisë së kësaj shkolle shqipe. Ai do të përshkruajë me përpikëri çdo veprimtari dhe zhvillim të punës didaktike dhe patriotike në tridhjetë vite. Ky studim shkencor i ngjan një tabloje në miniaturë, ku përvijohet shëmbëlltyra e saktë e tërësisë së një veprimtarie të bukur për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit.
Ndërsa mësimdhënës Shaban Kabashi thotë për këtë libër: “Në këtë libër paraqitet puna reale e bashkatdhetarëve tanë, të bashkëpunëtorëve, arsimtarëve e prindërve tanë të organizuar nëpër shkolla, klube e shoqata për të ruajtur e kultivuar gjuhën tonë, kulturën e traditat tona dhe identitetin tonë. Vlen të theksohet që shqiptarët kudo që janë kanë qëllim ruajtjen e gjuhës sonë, prandaj edhe kërkohet angazhim ngase ruhet kombi ynë që është edhe themel i godinës sonë shtetërore.
Historikun e shkollës shqipe ndanë në tri periudha.1990-1995 hapat drejt pavarësimit të shkollës shqipe,1995-1999,hapja e shkollës shqipe në mbarë Zvicrën dhe 1999 gjer sot.”
Në fillim të vështrimit të tij për këtë libër profesor Isuf Bytyçi shkruan:
Kush jemi ne dhe nga vijmë?
Cila është gjuha, kultura dhe flamuri ynë kombëtar?
Cili është identiteti ynë?
Këtyre pyetjeve u jepet një përgjigje e natyrshme në librin „Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar“, autor i së cilës është mësimdhënësi dalluar Dr. Vaxhid Sejdiu. Lexuesi do të ketë mundësi ta njohë sakrificën, përpjekjet dhe angazhimin e mësuesve, prindërve dhe nxënësve, jo vetëm për ta ruajtur gjuhën dhe shkollën shqipe, por për ta bërë atë sa më funksionale në shërbim të fëmijëve shqiptarë, që lindin dhe rriten larg atdheut.
Puna me nxënës, angazhimi i tij me prindër dhe organizimi aktiviteteve të lira dëshmojnë se shkolla shqipe është më shumë se dy orë në javë mësim në gjuhë amtare. Ajo është institucion edukativ, i cili në thelb ka edukimin kombëtar. Dhe ka të drejtë autori, i cili e pagëzon librin, me titull “„Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar“. I tillë është në bazë të fakteve, që radhiten nga kapitulli në kapitull. Prandaj, unë, nuk do të shkruaj gjatë, por thjesht e shkurt, sepse libri flet vetë. Me mijëra fakte janë që na bindin se në kuadër të këtyre shkollave është zhvilluar një edukim kombëtar për gjeneratat e reja.
Mësimdhënësi Vaxhid Sejdiu, me këtë libër, ia ka arritur qëllimit, sepse i prek dy elemente të ndjeshme dhe kryesore për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë dhe, natyrisht për përgjegjësinë e prindërve shqiptarë në mërgim: e para, edukimi shumë i nevojshëm kombëtar për fëmijët, dhe dyta, obligimi moral dhe kombëtar i shqiptarëve, për ta ruajtur gjuhën e shqipe.
Prandaj, me të drejtë Vaxhid Sejdiu, alarmon dhe na bën me dije, që të veprojmë, sa nuk është bërë tepër vonë, sepse fëmijët shqiptarë nuk kanë kuptim pa gjuhën e nënës.
Profesor Ahmet Qeriqi, drejtor i Radios Kosova e Lirë nga Prishtina e ka shkruar dhe ka titulluar kështu analizën e tij për këtë libër:
“Vaxhid Sejdiu me arsimdashës të tjerë, pishtarë të mbajtjes gjallë të gjuhës dhe shkollës shqipe në Mërgatë”
Disa pjesë të kësaj analize po i lexoj.
Libri, “Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit, vatër e bashkimit kombëtar”, i profesor dr. Vaxhid Sejdiut është një enciklopedi e llojit të vet, në të cilën është përmbledhur po thuajse tërë aktiviteti i autorit dhe i sa e sa mësuesve, mësimdhënësve, mësimdhënëseve, veprimtarëve e arsimdashësve shqiptarë, të cilët me mund e përpjekje të pandërprera, në kushte gjithnjë sfiduese, ia kanë dalë dhe po ia dalin ta mbajnë gjallë gjuhën dhe shkollën shqipe në Kantonin e St. Gallenit në Zvicër, me aq sa ua kanë lejuar dhe ua lejojnë kushtet, në rrethanat ekzistuese shpeshherë të pafavorshme, të vështira dhe me plot sfida.
Autori, Vaxhid Sejdiu, është emër i njohur i shkencës, kulturës, arsimit por edhe veprimtar i palodhshëm në shërbim të çështjes kombëtare. Ai ka një biografi të pasur të aktivitetit arsimor, pedagogjik, letrar, publicistik, të gjitha këto të vëna në shërbim të kombit e Atdheut, në shërbim të ruajtjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve, sidomos në Mërgatë, ku “lufta” për të ruajtur gjuhën e traditën, aq sa mund të ruhet, është një luftë e vështirë dhe shumë e dhembshme për shkak se proceset nëpër të cilat po kalon mërgata jonë, janë të lidhura me gjendjen dezintegruese që mbretëron në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kosovë Lindore dhe në Mal të Zi
Monografia: “Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit, vatër e bashkimit kombëtar” pasqyron më së miri aktivitetin e gjithanshëm, të pandërprerë dhe të vazhdueshëm të “rilindësve” të kohës sonë, të cilët kanë ngarkuar mbi supet e tyre barrën e rëndë për ta ruajtur gjuhën shqipe dhe për ta transmetuar te brezat e shqiptarëve të rinj, në një shtet ku liria e shprehjes, besimit, gjuhës dhe e përkatësisë kombëtare nuk njeh diskriminim klasik, sikur në disa shtete të tjera e veçmas në shtetet e Ballkanit.
Autori i librit, Vaxhid Sejdiu, është njohës i thellë i metodologjisë së punës shkencore, andaj edhe ka arritur që brenda një libri prej 475 faqesh të integrojë një lëndë shumë reprezentative, e cila pasqyron në mënyrë të tërësishme atë aktivitet shumëvjeçar, duke mos lënë anash as edhe hollësi me interes të punës dhe angazhimeve të tij personale, por edhe të stafit e stafeve me të cilët ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon, në këtë veprimtari të dobishme, atdhetare, për ruajtjen e gjuhës shqipe, me aq sa lejojnë edhe kushtet objektive e subjektive. Puna dhe aktiviteti i prezantuar në këtë monografi flet vetvetiu, se cili është niveli që mund të arrihet me vullnet, besim në forcat që disponon individi dhe një kolektiv i organizuar për mrekulli.
Ahmet Qeriqi
Tani disa pjesë të vështrimit tim për këtë libër dua t’i lexoj.
Vështrimin tim e kam titulluar:
“Përkushtimi i mësimdhënësit VAXHID SEJDIU për Shkollën Shqipe”
Puna e veprimtaria kulturore, arsimore, letrare, shkencore, filologjike, në përgjithësi është në radhë të parë një lidhje e fuqishme shpirtërore e njerëzve të ndërgjegjshëm me zhvillimet në përparimin e shoqërisë. Njerëzit e tillë me një përkushtim të madh e me aftësi të mëdha i qasen punës e veprimtarisë për ta bërë botën tonë njerëzore sa më të mirë, sa më të drejtë e sa më humane.
Në këtë kurorë krijuesish e veprimtarësh të denjë është radhitur emri, puna, vepra, përkushtimi dhe gjithë krijimtaria e mësimdhënësit Vaxhid Sejdiut.
Mësimdhënësi prof. dr. Vaxhid është, ta themi, si ajo bleta që shkon në vende të ndryshme të pasura e pastra duke mbledhur nektarin më të mirë. Ai duke punuar e vepruar në Zvicër së bashku me veprimtarë e mësimdhënës të denjë shqiptarë, për ta përhapur sa më shumë e sa më mirë dritën e diturisë dhe ëmbëlsinë e gjuhës shqipe, është shquar jo vetëm si mësimdhënës, por edhe si organizator e veprimtar pa pushuar fare e i përkushtuar në kuptimin e përkryer të veprimtarisë arsimore. Mbi të gjitha atë e shquan atdhedashuria e pastër e lidhur ngushtësisht me veprimtarinë e shëndoshë arsimore e letrare.
Në dritën e kësaj pune e veprimtarie të shkëlqyer, profesor Vaxhid Sejdiu e ka shkruar dhe e ka përgatitur për botim librin e tij : “ Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar”, libër ky që i kushtohet tërësisht arsimit dhe edukimit të fëmijëve shqiptarë në mërgim e në veçanti punës dhe aktivitetit arsimor e kulturor të shqiptarëve në kantonin St. Gallen dhe përmes kësaj veprimtarie ai do ta shtjellojë mrekullisht edhe rolin e ndikimin e saj në shumësinë e aktiviteteve, punëve e veprimtarive që janë bërë në drejtim të jetësimit të bashkimit kombëtar. Ky është edhe ai kulmimi i mirësisë e funksionit të kësaj veprimtarie. Ai që nga fillimi i librit ka bërë përshkrime të qarta e të mirëfillta për sa i takon diasporës dhe ndihmesës që ka dhënë ajo për çështjen shqiptare përgjithësisht, por edhe për shtrirjen e funksionimin e shkollës shqipe në dhe të huaj dhe në veçanti për St. Gallenin e rrethin e tij! Vlen të theksohet shpjegimi që e bën profesor Vaxhidi, për titullin e librit. Ai thotë : “Thënë shkurt pa marrë parasysh se nxënësit, prindërit, mësuesit dhe veprimtarët e saj vijnë nga të gjitha trojet shqiptare (nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi, nga Serbia Jugore), përpjekjet e tyre bashkohen në shërbim të gjuhës dhe shkollës shqipe. Për të gjithë, pa dallim gjuha dhe kombi janë një. Ata edhe pse jetojnë me mijëra km. larg vendlindjes, larg atdheut, dhe të ndarë në disa shtete duke poseduar edhe dokumente të ndryshme personale, ata kanë një gjuhë dhe një komb.” Kështu na e bën të qartë profesor Vaxhidi, se ata, pra mërgimtarët, jo vetëm dëshirojnë, por edhe punojnë e veprojnë për bashkimin e Atdheut.
Ai na ka sjellë shumë shembuj, e mendime të vyera e shumë të çmuara të mendimtarëve e shkrimtarëve të shquar si Sami Frashëri.
Ja një thënie e bukur, një shprehje e mençur e shumë domethënëse: “Viktimat e gjuhës janë më të shumta se ato të shpatës”. Ta analizojmë këtë shprehje të mendjendriturit, filozofit e shkrimtarit, veprimtarit të shquar të Rilindjes sonë kombëtare Sami Frashëri.
Luftërat kudo e kurdoherë janë të dhembshme, sepse marrin jetë njerëzish, bëhen shkatërrime e sjellin pasoja të mëdha e të rënda materiale e shoqërore, por kur janë të domosdoshme për t’i bërë për liri, drejtësi, për vetëvendosje e bashkimin e atdheut, ato patjetër ndodhin dhe janë të pashmangshme. Por humbjet në luftëra janë më të vogla në krahasim me humbjet e mëdha që ndodhin me të mërguarit në dhera të huaja, në qoftë se këta të mërguar e humbin gjuhën e tyre, gjallërinë e shpirtit atdhetar. Natyrshëm për të ruajtur, për të mbajtur të gjallë gjuhën, e shpirtin atdhetar është nevojë shumë e madhe të kemi shkolla, ku kultivohen ato dhe ku pasurohen njerëzit me këto veti të rrënjëve nga kanë ardhur dhe janë vendosur në vende të huaja.
Kështu profesor Vaxhidi e ka përmbledhur materialin e përgjithshëm dhe ka përgatitur faqe për faqe librin me një përkushtim të theksuar, duke mos harruar për të paraqitur çdo detaj që ka ndikuar në mirëvajtjen e shkollës shqipe.
Gjuha është shtylla kryesore që mbanë një popull. Përvetësimi i saj, dashuria ndaj saj dhe ruajtja e saj siguron vazhdimësinë e kulturës dhe qenësisë si një popull të përbashkuar.
Në rrethana të caktuara gjuha merr edhe më shumë atë peshën e madhe të zhvillimeve e të suksesit në ngjarjet e rëndësishme që ndodhin në zhvillimin e një populli.
Shembulli më konkret janë vëllezërit e motrat arbëreshe që e kanë mbajtur të gjallë gjuhën arbëreshe në zemrat e tyre dhe kjo u ka siguruar vazhdimësinë, por edhe lidhjet e natyrshme vëllazërore me ne shqiptarët.
Kur i dëgjojmë ata, ne menjëherë krijojmë lidhjen e natyrshme mes nesh dhe ajo na kthen në kohëra të lashta, duke parafytyruar se si kanë qenë të parët tanë, si kanë folur, se si i kanë pasur traditat e si kanë zhvilluar jetën. Por, ajo që po ashtu është e tepër e rëndësishme janë lidhjet dhe mbështetjet te njëri- tjetri për siguruar vazhdimësinë tonë të natyrshme edhe në të ardhmen.
Edhe diaspora jonë e më vonshme qoftë në Evropë, në Amerikë , apo vende të tjera duhet të marrë shembull nga ngulimet arbëreshe në Itali. Por, ajo që e bën të domosdoshme madje të qëndrueshme qenësinë tonë, është shkolla dhe mësimi e përvetësimi i natyrshëm i gjuhës dhe kulturës shqiptare në të.
Profesor Vaxhidi i vetëdijshëm për të gjitha këto ia doli ta shkruajë librin e tij: “ Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar” dhe me këtë ai do të paraqesë edhe mundin, por edhe kënaqësinë e të suksesit të nxënësve shqiptarë duke përthithur nga shkolla edhe vitalitetin e gjuhës shqipe.
Në fund do të doja të thosha se ky libër është e do të jetë një nga librat më interesant e me shumë vlerë jo vetëm për shqiptarët e mërguar, por edhe për të gjithë njerëzit që duan të mësojnë më shumë për shqiptarët në Zvicër, për gjuhën shqipe e për shqiptarësinë tonë që gjallëron fuqishëm, si dhe për punët e veprimtaritë e shkëlqyera arsimore, kulturore e atdhetare që bëhen në Zvicër, një pjesë të madhe të së cilave i ka përshkruar me shumë ndjenjë atdhedashurie, me gjuhë profesionale e aftësi shkencore, profesor dr. Vaxhid Sejdiu.
Punët e mira, veprat e mira, që rrezatojnë e shkëlqejnë në mendjen e në zemrën e shqiptarëve janë e do të jenë taban i fuqishëm për të mbajtur të gjallë e të fuqishme jo vetëm ndjenjën e dashurisë atdhetare, por janë edhe një ngrohtësi shpirtërore për vazhdimin e mëtejme të gjallërisë e të jetësimeve tona gjithë-shqiptare. Pikërisht, kështu ka vepruar e punuar, vepron e punon profesor Vaxhid Sejdiu, me mësimdhënës, shokë e bashkatdhetarë të shumtë. Në fund dua t’i uroj nga zemra profesor Vaxhid Sejdiut, punë e veprimtari të mbarë, shëndet e sukses të plotë në misionin e veprimtarinë e tij sa kulturore, shoqërore shkencore, letrare e artistike, arsimore aq edhe atdhetare! I uroj të mos i pushojë mendja, dora e pena për të na dhuruar edhe libra të tjerë që pasurojnë kulturën e dijet tona!
Isuf Ismaili