Mbylli sot punimet katër ditore Seminari i XVI mbarëkombëtar me mësuesit e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë, i cili u organizua në Universitetin “Ismail Qemali”, në Vlorë.
Aktiviteti i ditës së sotme u moderua nga znj. Shqiponja Lamçe, përfaqësuese e MAS-it të Republikës së Shqipërisë dhe znj. Barbana Dobra, përfaqësuese e MASHTI-it të Republikës së Kosovës.
“Shqipja në diasporë: Politikat shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë” ishte tema e kumtesës së mbajtur nga dr. Mimoza Hysa. Me përfundimin e prezantimit të kumtesës u zhvillua një bashkëbisedim i shkurtër me mësuesit e pranishëm.
Në përfundim të Seminarit të XVI dolën disa përfundime e rekomandime së bashku me sfidat për realizimin e tyre me synim mbështetjen e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë.
I gjithë ky aktivitet u mbajt nën organizimin e stafit të ministrive të dy shteteve, të Shqipërisë dhe të Kosovës. Në fund të Seminarit mësuesve të pranishëm iu shpërndanë çertifikata në shenjë mirënjohje për punën që bëjnë për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe për pjesëmarrjen në këtë aktivitet.
Të gjitha kumtesat, diskutimet dhe reflektimet do të botohen në një libër të posaçëm.