LAPSh “Naim Frashëri” – Zvicër mbylli edhe zyrtarisht vitin shkollor 2025/26.
Një urim për të gjithë ata që gjuhën dhe atdhedashurinë i kanë frymëzim jete!
“Shkolla Shqipe” – LAPSh. “Naim Frashëri” në Zvicër e mbylli edhe zyrtarisht vitin shkollor, duke iu bërë njëkohësisht thirrje prindërve shqiptarë që të fillojnë regjistrimet e reja për vitin shkollor 2026/2027. Në kalendarin vjetor janë paraparë edhe 33 pika të reja shkollore, të cilat pritet që, pas fillimit të vitit të ri shkollor, të nisin punën në përhapjen e dritës së dijes në gjuhën shqipe.
Të dashur nxënës, prindër të nderuar dhe kolegë të respektuar,

Me përfundimin e vitit shkollor 2025–2026, mbyllim edhe një kapitull të suksesshëm të punës sonë në shkollat shqipe në Zvicër, në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri”.
Të dashur nxënës, ju falënderojmë për përkushtimin, vullnetin dhe dashurinë që treguat gjatë gjithë vitit ndaj mësimit të gjuhës shqipe. Me punën, sjelljen dhe sukseset tuaja na keni bërë krenarë dhe keni dëshmuar se gjuha amtare mbetet ura më e fortë që ju lidh me identitetin, historinë dhe kulturën shqiptare. Ju urojmë që këtë dashuri ta ruani gjithmonë dhe ta vazhdoni edhe në vitin e ardhshëm shkollor.
Prindër të nderuar, ju falënderojmë për besimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme. Kujdesi juaj ndaj Shkollës Shqipe, përkushtimi për ruajtjen e gjuhës amtare dhe edukimin e fëmijëve tuaj në frymën e traditave dhe kulturës shqiptare janë themeli i suksesit tonë të përbashkët. Pa mbështetjen tuaj, shumë nga arritjet e këtij viti nuk do të ishin të mundura.

Kolegë të dashur mësues në mbarë Zvicrën, ju shpreh mirënjohjen më të sinqertë për punën tuaj të palodhur, profesionalizmin dhe përkushtimin që treguat gjatë gjithë vitit shkollor. Falë angazhimit tuaj, mijëra fëmijë shqiptarë në Zvicër kanë mundësi të mësojnë gjuhën, historinë dhe kulturën e tyre. Ju jeni ambasadorët më të mirë të arsimit dhe identitetit shqiptar në diasporë.
Gjatë këtij viti shkollor realizuam me sukses mësim, aktivitete kulturore, manifestime dhe projekte të shumta, duke dëshmuar edhe një herë se Shkolla Shqipe është një vatër e rëndësishme e ruajtjes së gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar.
Tani është koha për pushim. Ju urojmë të gjithëve pushime të mbara, të qeta dhe të gëzueshme, qofshin ato në vendlindje 🇦🇱🇽🇰 apo kudo tjetër ku do t’i kaloni. Ju dëshirojmë shëndet, lumturi, dashuri, çaste të bukura me familjet tuaja dhe shumë energji për vitin e ri shkollor.
Faleminderit nga zemra për një vit të mrekullueshëm!
Mirupafshim në vitin e ri shkollor 2026–2027!
Me respekt dhe mirënjohje,
Dr. Vaxhid Sejdiu
Mësues dhe bashkëkryetar i L.A.P.Sh. “Naim Frashëri” – Zvicër










