Shënime nga ditari i mësuesit

Të dashur nxënës,

Gjatë kohës së pandemisë, që e kaluam së bashku, në një distancë të pa përjetuar deri më tani, ishin rrëfimet, vargjet, kujtimet dhe fotografitë e shumta nga arkivi i shkollave shqipe, që më ofronin edhe më shumë me ju, se sa orët e rregullta mësimore.

Nxënësit  e shkollës shqipe në Neuenhof, të Kantonit të Argau-ut

Sa herë që ua dërgoja mësimet më shkonte mendja te shëndeti i juaj, te e ardhmja juaj, sepse ju jeni bukuria e jetës shqiptare në mërgim. Merreni me mend, të lindur në vend të huaj, por me përkushtim mësoni shqip dhe krenoheni me gjuhën dhe kulturën shqiptare. E them me plot gojën, ju jeni pasuri kombëtare. Dhe unë, ashtu sikurse edhe prindërit tuaj, por edhe kolegët tjerë që punojnë në shkollat shqipe, kudo qofshin ata,  krenohemi me ju. Nuk mjafton të thuash jam shqiptar dhe pastaj vazhdon të belbëzosh në një gjuhë të përzier. Prandaj gjithmonë ju kam udhëzuar dhe ju udhëzoj mësoni shqip sepse kjo gjuhë, është gjuha e shekujve, është gjuha e baballarëve tanë, që e kanë ruajtur me gjak, me jetë, por njëkohësisht mësoni edhe gjuhën e vendit- gjuhën gjermane, edhe gjuhën angleze sepse sa më shumë gjuhë që mësoni, aq më shumë vleni.

Nxënësit  e shkollës shqipe në Rüti, të Kantonit të Cyrih-ut

Nxënësit  e shkollës shqipe në Rüti, të Kantonit të Cyrih-ut

Në fund të këtij viti shkollor 2019/20, e pashë të arsyeshme, t`iu bëj një urim të veçantë, sepse edhe ky vit shkollor ishte i veçantë. Të bëj një urim, për ju që shëmbëlleni me rrezet e diellit, që ndriçoni fletoret e juaja me shkronjat e gjuhës shqipe, si dhe përkundër faktit që keni lindur dhe po rriteni larg atdheut përsëri ju rrezatoni shqip.

Nxënësit  e shkollës shqipe në Flums, të Kantonit të St. Gallen-it

Nxënësit  e shkollës shqipe në Flums, të Kantonit të St. Gallen-it

Të ngarkuar me angazhime shkollore dhe të stërngarkuar me kushtet e pandemisë Covid-19,  ju jeni trashëgimtarët e denjë të shkollës dhe gjuhës shqipe. Edhe pse në kushte jo të zakonshme, ju vazhduat me përkushtim t`i vijoni mësimet në gjuhën amtare. Që nga dita e parë, posa filluat mësimin në shkollën e rregullt zvicerane, filluat edhe me mësimet në shkollën shqipe. Në këto kushte, ju na dhatë forcë neve mësuesve dhe mbi të gjitha prindërve shqiptarë, të cilët pa fajin e tyre jetojnë dhe punojnë me mijëra kilometra larg atdheut.

Nxënësit  e shkollës shqipe në Volketswil, të Kantonit të Cyrih-ut

Nxënësit  e shkollës shqipe në Volketswil, të Kantonit të Cyrih-ut

Gjatë këtij viti shkollor na munguan aktivitetet shkollore, nuk arritëm ta festojmë 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, apo siç e quajmë ne, –  “Dita e Shkollës Shqipe”, nuk arritëm ta festojmë mbrëmjen e semimaturës, nuk arritëm të zhvillojmë turnirin në futboll apo të bëjmë ndonjë shëtitje me karakter shkollor. Por, shpresoj që posa të fillojmë vitin e ri shkollor, nuk do të na mungojnë edhe aktivitetet e lira, të cilat e mbushin shkollën shqipe plot gëzim dhe hare.

Nxënësit  e shkollës shqipe në Fehraltorf, të Kantonit të Cyrih-ut

Nxënësit  e shkollës shqipe në Rüti, të Kantonit të Cyrih-ut

Edhe përkundër ngarkesë së madhe të masave të pandemisë, edhe ky vit shkollor përfundoi dhe unë kam shumë arsye t`iu uroj shëndet dhe pushime të këndshme sepse ju jeni rreze e diellit, ju rrezatoni shqip në shkollë, në familje…

Nxënësit  e shkollës shqipe në Uster, të Kantonit të Cyrih-ut

Nxënësit  e shkollës shqipe në Uster, të Kantonit të Cyrih-ut

Këto fotografi të veçanta, të bëra në javën e fundit të vitit shkollor ( më vjen keq prej atyre nxënësve të cilët nuk ishin pikërisht javën e  fundit); në pikat shkollore në Volketswil, në Rüti, në Fehraltorf, në Flums, në Uster dhe në Neuenhof përshkruajnë urtësinë, bukurinë dhe madhështinë e Shkollës Shqipe në Zvicër.

Dhe me gjithë zemër,  ju uroj shëndet dhe pushime të këndshme, sepse ju më ringjallni shpresën se gjuha shqipe në familjet shqiptare nuk mund të shuhet lehtë.

Ju nxënës të dashur, që e ruani me përkushtim gjuhën e të parëve, mua dhe prindërve tuaj, na i bëni më të lehta plagët e mërgimit.