Shkollat shqipe në Zvicër kanë një histori të gjatë, por veçanërisht në 15 -vitet e fundit u “shoqëruan” me një rënie drastike të pjesëmarrjes së nxënësve në to. Nga të dhënat zyrtare mendohet se numri i fëmijëve shqiptarë të moshës shkollore varion nga 35 deri 40 mijë nxënës, kurse mësimet në gjuhën amtare i vijonin vetëm disa qindra. Ambasada e Republikës së Shqipërisë, bazuar në këtë situatë, dhe me kërkesën e disa mësuesve dhe prindërve shqiptarë vendosi, që të ndërmarrë veprimin zyrtar duke u regjistruar zyrtarisht pranë autoriteteve arsimore, me qëllim që t`iu hap rrugë atyre, të cilët dëshirojnë të punojnë në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare. Me mbështetjen e saj, një grup mësuesish vullnetarë së bashku me prindërit krijuan “Shkollën Shqipe” në Zvicër me të vetmin qëllim, që një ditë të kemi më shumë nxënës, më shumë pika shkollore ku mësohet shqip dhe më shumë prindër, të cilët së bashku me mësuesit bëjnë përpjekje, që fëmijët e tyre ta ruajnë gjuhën e nënës. Dhe kjo ditë dëshmohet me punën dhe përkushtimin tonë.
Qëllimi, ishte dhe është që nëpërmjet bashkëbisedimit me prindërit shqiptarë, ta ndryshojmë situatën, objektiv i cili është arritur me hapjen e pikave të reja shkollore në mbarë Konfederatën e Zvicrës, ku mësimet i vijojnë me qindra e qindra nxënës.
Motoja kryesore ishte dhe është që të shkojmë aty ku janë fëmijët shqiptarë, në lagjen e tyre, në shkollën ku vijojnë mësimet në mësimin e rregulltë. Dhe ne, me aktivitetin dhe përkushtimin tonë, arritëm të bëhemi bashkë ( me nxënësit) në pikat e reja shkollore, në orët mësimore apo me prindërit në misionin tonë të përbashkët në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare.
“Shkolla Shqipe” në Zvicër, përveç bashkëpunimit me Ambasadën e R. së Shqipërisë, që e ka të rregullt, bashkëpunon me Ambasadën e R. së Kosovës dhe atë të Maqedonisë së Veriut në Zvicër, bashkëpunon me Qendrën e Botimeve për Diasporën, me Ministritë tona përkatëse të Arsimit si dhe në bazë të kurrikulës së përbashkët Shqipëri – Kosovë.
Bashkëpunimi me Drejtoritë Arsimore të Kantoneve në Zvicër dhe Drejtoritë e shkollave ku janë hapur pikat shkollore në gjuhën shqipe është i përhershëm.
Dhe e gjithë kjo përpjekje vazhdon me të njëjtin ritëm, me qëllim që fëmijët shqiptarë ta kenë sa më afër pikën shkollore për ta mësuar gjuhën e nënës. Dhe për të arritur një gjë të tillë duhet të gjithë të punojmë bashkërisht sepse gjuha shqipe dhe kultura kombëtare na takojnë të gjithëve.
Dhe për t`i sqaruar sa më mirë përpjekjet e ”Shkollës Shqipe” në Zvicër po i prezantojmë disa prej thënieve të mësuesit dhen koordinatorit të “Shkollës shqipe”, Dr. Vaxhid Sejdiut, marrë nga intervistat e tij:
Një integrim i mirë padyshim është shumë i dobishëm, njohja e gjuhëve të huaja është vlerë shumë e lartë, por pa njohjen e gjuhës amtare fëmijët shqiptarë lënë shumë për të dëshiruar. Nëpërmjet njësive mësimore jam munduar t`i njoftoj nxënësit e mi, me historinë e popullit shqiptar, gjeografinë shqiptare, përpjekjet e gjeneratave në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare sepse gjuha dhe kultura shqiptare janë vlerë botërore. Jam munduar t`ua dëshmojnë nëpërmjet fakteve se pa marrë parasysh nga vinë dhe çfarë pasaporta kanë ata në rend të parë janë shqiptarë. Jam munduar nëpërmjet fakteve, që në të ardhmen e tyre gjatë shkollimit, temat e prezantimit në klasë, në shkollën zvicerane të marrin edhe nga gjuha dhe kultura shqiptare sepse kemi çka shpalosim. Ne nuk duhet të turpërohemi nga gjuha dhe kultura jonë, por duhet me bindje ta promovojmë atë. Dhe nëpërmjet krahasimit, se si prindërit e tyre e duan dhe ëndërrojnë për atdheun edhe ata duhet ta duan dhe ta ruajnë lidhjen me atdheun, sepse kur shkojnë për pushime në vendlindje, ata nuk janë qiraxhinj apo nuk shkojnë nëpër hotele, por shkojnë në shtëpitë e tyre.
Përvoja, më ka dhënë gjithmonë të drejtë sepse ato këshilla që ua kam thënë nxënësve të mi para 20 e sa viteve, sot ua thonë edhe kolegët e mi zviceranë. Ata në mbledhjet prindërore vazhdimisht ua tërheqin vërejtjen prindërve shqiptarë që t`i dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe dhe ta mësojnë gjuhën amtare. Edhe pedagogët zviceranë e përsërisin vazhdimisht qëndrimin e tyre që prindërit t`i orientojnë fëmijët në mësimin e gjuhës amtare. Pastaj pa njohjen e gjuhës amtare fëmijët në atdhe ndihen si të huaj, nuk mund të merren vesh as me anëtarët e familjes. Dhe një fakt i këtillë është një plagë më shumë në jetën e mërgimtarit shqiptar. Të jesh shqiptar por pa gjuhë amtare është e rëndë dhe nuk përjetohet lehtë. Prandaj në këtë drejtim duhet të gjithë të punojmë bashkërisht. Unë personalisht jam shumë mirënjohës institucioneve vendore zvicerane për angazhimin dhe bashkëpunimin në sensibilizimin e prindërve shqiptarë në hapjen e shkollave shqipe. Unë jam mirënjohës ndaj dhjetëra e dhjetëra kolegëve zviceranë dhe drejtorive të shkollave zvicerane, të cilat pothuajse çdo kërkesë që e kemi parashtruar ka gjet mbështetje dhe përpjekje deri në realizim.
Për prindërit apo bashkatdhetarët e mi, me të cilët ndajmë “bukën e hidhur të kurbetit” ju drejtohem me fjalët e dijetarit shqiptar, Sami Frashërit “shenja e kombit është gjuha, kur një komb e humb gjuhën, ai humb edhe veten.” Prandaj orientoni fëmijët tuja drejt gjuhës dhe shkollës shqipe, sepse emrat e tyre të bukur: Flamur Shqiprinë, Durim, Qëndrim, Gëzim, Besë, Krenare, Vlorë, Berat, Shkodran, Milot, Sarandë, Krutan, Kosovare, Iliridë, Shqipe etj., nuk kanë kuptim pa njohjen e gjuhës shqipe, sepse mësimi i gjuhës amtare nuk është luks, por nevojë dhe mbi të gjitha obligim moral dhe kombëtar.
Ejani, ta bëjmë shkollën shqipe temë të përditshme sepse fëmijët shqiptarë ashtu siç kanë nevojë për bukën, ujin, mësimin në gjuhën gjermane, frënge apo italiane, kanë nevojë edhe për mësimin në gjuhën shqipe. Ejani të bëhemi më shumë sepse kështu kontribuojmë ndaj gjuhës dhe kulturës sonë.