Zhvillimi i vrullshëm i gjuhës standarde shqipe dhe fërkimet e saja me gjuhë të huaja, në këto vitet e fundit , bënë të mundshme që shumë shprehje e trajta të gabueshme të hyjnë në gjuhë dhe ashtu të mbesin si mish i egër në trupin e saj. Konstrukte të huaja gjuhësore mund të ndeshim sidomos në gjuhën e portaleve televizive , e të mos flasim për gjuhën e çoroditur të analfabetëve në fejsbuk e në internet !
Në procesin e njësimit të gjuhës standarde shqipe duhen bërë përpjekje që termat, shprehjet që përdoren, të jenë në frymën e konvergjencës gjuhësore. Jemi dëshmitarë të përdorimit të gabueshëm të shumë termave, fjalëve e shprehjeve të ndryshme, të cilat , me një syçelëti fare të vogël dhe me një përkushtim më të madh e me një ndjenjë të latë përgjegjësie , do të mund të zëvendësoheshin me brumë të shqipes.
Një rol të veçantë në këtë sferë, siç është folur e shkruar sa e sa herë , kanë mjetet masive të informimit, radio, televizioni, gazetat e përditshme e periodike, fejsbuku (Facebook ), të cilat janë të mbytura me të folme dialektore, me skema e gjedhe të gjuhëve të huaja e që i sjellin dëm të madh kulturës së gjuhës në procesin e kristalizimit të saj. Është mëkat, që të mos them turp, të përdorim shprehje të huaja kur kemi tonat, që janë përdorur qyshkur ekziston populli ynë e që janë të gjalla edhe sot në gojën e popullit. Visari i popullit është si një det, në fundin e të cilit kurrë s’mund të zbulosh se ç’ fshihet. Në këtë shkrim kam paraqitur, në mënyrë telegrafike, disa shprehje e kalke , që po përdoren dendur në televizion , por edhe në mjetet e tjera të informimit.
Të vret sytë e veshët shprehja e shpikur kushedi nga kush , por që s’i vjen era fare shqip :
… i dyshuari dërgohet në mbajtje , në vend që të thuhet : … i dyshuari dërgohet në paraburgim ose i është caktuar masa e ndalimit për 24 orë. E për këtë person thuhet : I njëjti akuzohet për keqpërdorim të detyrës , në vend që të thuhet : Ai ( e jo i njëjti ) akuzohet … Kështu thuhet edhe në shumës : Të njëjtit, në vend që të thuhet : Ata ose ato… Pra, mbiemri i njëjti ose të njëjtit nuk duhet të përdoren në raste të tilla. Këto shprehje më së shumti po i përdorin zëdhënësit e Policisë së Kosovës, e pastaj qendrat televizive po i transmetojnë ashtu, pa ndonjë ndërhyrje ! I njëjti është jashtë rrezikut për jetën , në vend që të thuhet : Ai nuk e ka jetën në rrezik .
Gazeta Sinjali ka mësuar nga burimet se bëhet fjalë për ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Fadil Syleviq. Siç ka mësuar gazeta, i njëjti ( në vend se : ai ) dyshohet se ka qenë dëshmitar i Gjykatës Speciale…Sinjali ka tentuar të marrë edhe një përgjigje zyrtare, por të njëjtit ( në vend se : ata ) nuk kanë konfirmuar asgjë .
Madje Vojisllav Sheshel i shajti me nënë trupin gjykues në Gjykatën e Hagës, në vend se të thuhet … ia shau nënën ( jo , me nënë ) trupit gjykues…
Në gjuhën e folur , por edhe në gjuhën e shkruar, shumë shqipfolës, andej e këndej kufirit , po e përdorin gabimisht numërorin tre ( 3 ). Siç dihet, numërorët nuk e kanë kategorinë gramatikore të gjinisë. I vetmi numëror që ka kategorinë gramatikore të gjinisë është numërori tre : P.sh. Kush erdhi ?- Erdhën tri vajza. Sa burra erdhën ?- Erdhën tre burra . Kështu lexojmë : “ Tre femra rrahin një mashkull shkaku i pronës “ !
“ Tre shpata të Skënderbeut “ !
Duhet ditur se për dallim nga gjuhët indoevropiane dhe ato sllave, shqipja është e vetmja gjuhë që te numërorët tre dhe dy dallon dy gjini . Pra, një veçori me të cilën do të duhej të mburreshim ne shqiptarët. Ka për mashkullorin dy ( dy meshkuj, dy burra ) dhe për femëroren dy , me y të gjatë ( dy gra, dy vajza ) etj.
Po edhe për numërorin tre , siç thamë më lart, shqipja ka dy gjini : tre për gjininë mashkullore dhe tri për gjininë femërore. P.sh., sllavët nuk dallojnë numërorin tre . Ata thonë , si në gjuhën e folur ashtu edhe në gjuhën e shkruar, : tri zhena i tri mushkarci –
Një tjetër shprehje, që s’tingëllon shqip, është shprehja : Po më shkon në nerva , në vend se : Po m’i shkatërron nervat.
Në ligjërimin e folur, po edhe më gjerë , dëgjojmë përditë shprehje si këto : “ Kalo mirë “ ose në shumës “ Kaloni mirë”, në vend të shprehjes pasthirrmore në mënyrën dëshirore : “Kalofsh mirë !”, “ Kalofshi mirë !” Çka tregon kjo ? Kjo tregon se këta njerëz , që i përdorin këto shprehje të çoroditura, nuk i kanë mësuar fare mënyrat e foljes, kohët, vetat, që mësohen qysh nga klasa e gjashtë e shkollës fillore, sepse po t’i kishin mësuar qysh atëherë, nuk do t’i përdornin ashtu.
Në këto vitet e fundit, jemi dëshmitarë të depërtimit në gjuhën shqipe të shumë fjalëve të huaja, sidomos të anglicizmave , po edhe të gjuhëve të tjera. Kështu , p. sh., disa intelektualë, për të treguar veten si tepër “ të dijshëm” , po e përdorin fjalën “eveniment “ ose “ event”, në vend të fjalës shqipe” ngjarje” : eveniment, -i m. ( fr.evement –ngjarje ) ; event ,- i (angl.- ngjarje).
Kalket, kur janë të goditura mirë, qofshin leksikore apo sintaksore, duhet t’i përqafojmë, por, siç thotë prof. Eqrem Çabej, : “ Të marrim modelin e huaj , po ta gatuajmë me brumë të vendit “.
Gjuha shqipe ka veçoritë e saja , që e dallon atë prej gjuhëve të tjera indoevropiane.
Pra, shprehjet e tilla është mirë t’i luftojmë e t’iu vëmë një ledh sa s’kanë lëshuar rrënjë. Thjeshtësia dhe pastërtia e gjuhës qëndron në të përdorurit e atyre shprehjeve e konstrukteve , të cilat janë të përdorshme e të gjalla në gojën e popullit. Kur s’kemi mundësi ta shprehim nocionin me një fjalë të vetme , mund ta perifrazojmë , në mënyrë që nocioni të shprehet qartë. Çdo gjuhë ka natyrën e vet dhe shprehjet e veta. Edhe gjuha shqipe ka shprehjet e veta , që janë specifike dhe një bukuri e rrallë e gjuhës sonë.
Është e ditur se kultura e mirëfilltë gjuhësore mësohet në shkollë. Të gjithë shqipfolësit , kudo qofshin ata, e kanë për obligim kombëtar që ta flasin gjuhën standarde . Krerët e institucioneve ( ministrat, deputetët e të tjerët në këto institucione ) e kanë për detyrë ta respektojnë shqipen standarde. Si mund të lejohet që një ministër ose deputet i zgjedhur në krye të një institucioni shtetëror të flasë me orë të tëra në televizion , duke mos respektuar fare gjuhën standarde! Secili shqiptar, kudo qoftë ai, duhet të ketë një ndjenjë përgjegjësie kombëtare ndaj gjuhës . Gjuha shqipe është një vlerë kombëtare, atë duhet ta ruajmë nga ndikimet e huaja, që po futen për çdo ditë si mish i egër në zemrën e gjuhës shqipe. Ajo, si vlerë kombëtare, duhet të gëzojë mbrojtje –kujdes shtetëror . Moris Dryon ( Maurice Druon ), shkrimtar e akademik francez, thotë : “ Gjuha ime e shkruar është atdheu im . Kush e përdhos gjuhën time, e përdhos atdheun tim. “