Isuf Ismaili
Arsimi dhe edukimi i nxënësve shqiptarë në frymën e jetësisë shqiptare me brumin kulturor e shpirtëror të kësaj jetësie, është jo vetëm i rëndësishëm për të gjitha familjet shqiptare në diasporë, por edhe për vetë zhvillimin e përparimin e popullit shqiptar, pjesëtarë të të cilit janë edhe mërgimtarët tanë.
Dallgët e jetës njerëzit i degdisin në vende të ndryshme të botës dhe i orientojnë në qytete e fshatra të ndryshme, ku gjejnë punë e kanë mundësi për të jetuar dhe padyshim shumëçka marrin nga ato vende, marrin dije e profesione të ndryshme, vese e sjellje të shumta si vendësit etj., por ajo që shqiptarët i bënë më të veçantë më të lidhur me rrënjët e atdheut, me kulturën e mirëfilltë e në hap me zhvillimin e tërësisë së popullit shqiptar, padyshim është mësimi dhe përvetësimi sa më i mirë e sa më i drejtë i të folurit dhe të shkruarit në gjuhën shqipe.
Gjuha shqipe, pa mëdyshje, është dhe mbetet çelësi më i madh dyerve të fatit tonë si shqiptarë, i lidhjeve sa më të mira e sa më të forta për të kultivuar e përcjellë dashurinë atdhetare te brezat e rinj, për ta mbajtur qenësinë e pastërtinë shqiptare, siç na kanë ruajtur e kultivuar të parët tanë, siç na ka edukuar shkolla, letërsia, historia e dija e shumanshme dhe e mirëfilltë shqiptare.
Jo rrallë shikojmë njerëz të shumtë shqiptarë që shkëlqejnë në fusha e të ndryshme të profesioneve e dijeve të shumta dhe kjo arrihet me punë, me studime, me këmbëngulje e organizim të mirë e të përpiktë, por krahas punëve e shërbimeve të shumta, shqiptarët duhet të këmbëngulin që të përfshihen sa më shumë në shkollat ku mësohet gjuha, letërsia, historia, e kultura shqiptare. Kjo na nderon e na ruan origjinalitetin tonë.
Mërgimtarët e ndërgjegjshëm shqiptarë, pa mëdyshje janë organizuar e kanë vepruar e kanë dhënë ndihmesën e tyre në atdhe, disa kanë lënë edhe pikën e fundit të gjakut. si luftëtarë e dëshmorë të atdheut, disa të tjerë pasurinë, disa janë organizuar e kanë bërë veprimtari të tjera si në kulturë, arsim etj.
Në vazhdën e organizimeve e veprimtarive të shkëlqyera atdhetare radhitet edhe Shkolla Shqipe në Zvicër, rrjedha e cilës ka shkuar drejt sukseseve të shumta në qytete e fshatra të kantoneve zvicerane. Kështu, janë hapur e po hapen shkolla të shumta në gjuhën shqipe. Nxënësit shqiptarë edhe pse fillimisht mezi flisnin disa fjalë shqip, dialektore, kuptohet, të cilat i kanë mësuar nga prindërit e të afërmit, tanimë ata jo vetëm lexojnë e shkruajnë, por edhe recitojnë, këndojnë e flasin bukur.
Të gjitha këto të arritura janë një rezultat i shkëlqyer i punës, veprimtarisë dhe organizimit të përpiktë, por tepër të mundimshëm, në radhë të parë, të profesor Vaxhid Sejdiut, i cili edhe pse mban titullin doktor në lëmin e letërsisë, nuk pushon fare, por vepron pa hezitim që sa më shumë e sa më mirë të shkëlqejë Shkolla Shqipe në Zvicër. Nuk do mend se në krah të tij, në punët, veprimtaritë, në arsim e edukim janë edhe mësimdhënësit shqiptarë që punojnë me ndërgjegje e përkushtim. Por, ajo që ata i bënë edhe më motivuar e me vullnet të madh është përkrahja që e ka dhënë e po e jep Ambasada e Republikës së Shqipërisë, dhe ajo e Republikës së Kosovës si dhe institucionet e tjera shqiptare.
Kështu Shkolla Shqipe në Zvicër me përkrahjen edhe të Ambasadës së Republikës të Shqipërisë në Bernë, organizuan një garë me nxënësit shqiptarë. Për shkak të pandemisë, gara u zhvillua për herë të parë në platformën “Zoom” online. Në garë morën pjesë një numër i madh i nxënësve si lexues, recitues e këngëtarë. Në këtë garë morëm pjesë njëqindenjëzetenëntë (129) nxënës, të cilët më të shumtit, lexuan disa pjesë të përgatitura me shumë përkushtim.
U vu re që pjesa më madhe e nxënësve lexonin duke zbatuar rregullat e drejtshqiptimit të gjuhës standarde shqipe.
Siç dihet, në disa pjesë shqiptare veriore e verilindore shqiptare është e theksuar hundorësia, prandaj, fjala vjen, edhe te zanorja A kur shqiptohet, por edhe disa bashkëtingëllore ngatërrohen e nuk theksohen mirë, siç janë bashkëtingëlloret: Ç, Xh, Q dhe Gj. Por, te këta nxënës, u vu re se edhe këto bashkëtingëllore e zanore u theksuan mirë. Kështu, ata lexuan duke iu përmbajtur edhe shenjave të pikësimit, intonacionit e aftësisë artistike, aq sa kishin mundësi. Kjo tregon për punën e përkushtimin e madh të mësimdhënësve shqiptarë.
Nxënësi Lind Maxhuni, në klasën e katërt, nxënës i profesor Vaxhidit, lexoi në mënyrë të përkryer një pjesë të tregimit për Komandantin legjendar të UÇK – së Adem Jashari.
Ashtu siç ishte paraparë, nxënësit kishin filluar të hyjnë në platformën online aty rreth orës 18:45 minuta dhe pikërisht në ora 19:00 filloi edhe programi shkollor duke iu bërë thirrje fëmijëve që të koncentrohen për garën të cilën ishin regjistruar. Programin e udhëhoqi mësues Vaxhid Sejdiu
Garat zgjatën dy orë të plota. Të parët filluan garat në lexim
Pas garës së leximit, ishte gara e recitimit dhe ajo e këndimit, ku nxënësit dëshmuan edhe njëherë se janë artistë të vërtetë.
Dhe në fund anëtarët e komisionit, mësuesit e shkollave shqipe ( Isuf Ismaili, Mimoza Dako, Qefsere Sejdiu, Teuta Myrtaj, Ardjan Shaqiri, Nora Macula, Anita Duriçi, Liljana Doda – Gojani, Boralda Kuçi, Nazmije Kamberi, Arbresha Zimberi, Shkelzime Kurtaj dhe Jonida Bërdëllima) përgëzuan nxënësit për përkushtimin e tyre, edhe pse të gjithë qenë të mirë. Komisionet dhanë këtë vlerësim: në Garën e leximit fituesit janë: Ardita Kaliqi (Spreitenbach), Xhemali Elshani (Fällanden) dhe Alea Halimi (Neuenhof). Në Garën e recitimit: Gentonis Shala (Uster), Kjara Rashiti dhe Iad Ajgeraj (Bern), si dhe në garën e këndimit: Gresa Shala (Uster), Erina Lumani dhe Leona Malo (Rüti) dhe Anina Kurtaj (Bern).
Kjo garë, këto suksese le të shërbejnë si motivim e nxitje që sa më shumë fëmijë të përfshihen në rrjedhën e natyrshme të mësimit të gjuhës e letërsisë, historisë e kulturës shqiptare.