Shkrim nga profesor dr. Vaxhid Sejdiu

Një nga veprimtaritë e mëdha për arsimin e kulturën shqiptare në mërgatë, qe Kuvendi i Mësuesve, i cili në fakt qe Kuvend Pune, prej nga dolën në pah një mori problemesh, kërkesash dhe nevojash për një organizim më të mirë të mësimit plotësues në diasporë. Pjesëmarrës përfaqësues institucionesh, studiues, dhe veçmas mësues, të cilët me angazhimin dhe përkushtimin e tyre janë shembulli më i mirë, se si duhet të angazhohemi në vendet ku jetojmë dhe veprojmë, me qëllim që sa më shumë të përhapin “dritën e diturisë” në gjuhën shqipe, kudo ku ka shqiptarë.

Pamje nga Kuvendi i Mësuesve të Diasporës më 9-10 mars 2024 në Augsburg të Gjermanisë

Me datën, 9 dhe 10 mars në Augsburg të Gjermanisë  u mbajt Kuvendi i Mësuesve me temë “Ruajtja  e gjuhës amtare te fëmijët e mërgatës shqiptare”. U quajt Kuvend pune, sepse kishte për qëllim që pjesëmarrësit, në rend të parë mësuesit të nxjerrin në pah problematikat me të cilat ballafaqohet ky lloj mësimi, të parashtrojnë kërkesat e tyre si dhe zgjidhjet e mundshme. Mësues, kryetar Lidhjesh të Shkollave Shqipe apo të Shoqatave, nga shtetet si Gjermania, Zvicra, Suedia, Anglia, Turqia, Italia, Greqia, Austria, Kroacia, Sllovenia, Franca, Amerika, Danimarka, Finlanda, Norvegjia etj., parashtruan punimet e tyre rreth temës në fjalë. Në bazë të kumtesave të parashtruara lirisht mund të thuhet se ky kuvend ia arriti qëllimit, duke vënë në rend dite çështjet që lidhen me të ardhmen dhe sfidat e mësimdhënies në diasporë në vendet e komuniteteve shqiptare.

Vëmendje, të veçantë te pjesëmarrësit, solli prezantimi i programit të punës së Qendrës së Botimeve për Diasporën,  kur është fjala për ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë për vitin 2024 të prezantuar nga drejtohesha e këtij institucioni znj. Mimoza Hysa dhe pastaj duke vazhduar me trajtimet e shumta nga vendet e ndryshme, si problematikat e organizimit të mësimit plotësues në Zvicër, problematikat e fëmijëve në vijimin e mësimit plotësues në Bavari – Gjermani, mësimi i gjuhës shqipe në Itali, në Turqi, në Austri, në Greqi, Slloveni, Angli, Francë etj.

Ajo që ngjalli kureshtjen e pjesëmarrësve ishin prezantimet e mësuesve nga shtetet ku mësimi i gjuhëve amtare është integruar siç janë: Norvegjia, Finlanda, Suedia, Danimarka, Austria, Kroacia, të cilat edhe për kundër sistemit të gjuhëve amtare në sistemin arsimor të këtyre shteteve numri i fëmijëve shqiptarë që vijojnë mësimet në gjuhën amtare është shumë i ulët, sa që nuk tejkalon numrin e fëmijëve të shteteve, ku pagesa bëhet nga ana e prindërve.

Një foto e përbashkët, pjesëmarrësit  e Kuvendit të Mësuesve

 

Ky krahasim na detyron që problematikat e organizimit të gjuhës amtare në diasporë t`i analizojmë më thellë duke i përkufizuar kërkesat me qëllim, që të ndryshojmë gjendjen në të mirë të një vijimi të rregulltë të orëve mësimore në gjuhën shqipe nga klasa e I – IX.

Me të drejtë u tha, se çështja organizative është një nga elementet bazë ku duhet të veprojmë të gjithë së bashku duke krijuar një strategji kombëtare për t`i përballuar sfidat e shumta.

Me interes u përcollën edhe ligjëratat tjera, ligjërata e mësueses Drita Gjongecaj  rreth organizimit të mësimit në gjuhët amtare Njujork të ShBA për “programet e gjuhës shqipe në SHBA dhe masat e nevojshme për arritjen e niveleve të reja”, kumtesa e Isuf Bytyçit me temë “Strategjia kombëtare e shtetërore për organizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë”, si dhe  prezantimi i temës “Ndikimet gjuhësore e letrare te nxënësit” e mësuesit Isuf Ismailit. Në mesin e shumë prezantimeve, pjesëmarrësit patën rast të dëgjojnë edhe ligjëratën e kryebashkiakut të Horës së Arbëreshëve Rosario Petta me temë: “Mësimi i arbërishtes te Hora e  Arbëresheve”, ndaj lirisht mund të thuhet, se arbëreshët janë modeli më i mirë përpjekjeve shekullore për ruajtjen e gjuhës amtare.

Vlen të përmendet se në këtë kuvend pune, të organizuar nga Këshilli Koordinues i Diasporës (KKD) në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën (QBD) dhe Këshillin Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), morën pjesë mësues dhe kryetar të Lidhjeve të shkollave shqipe, të cilët dhanë një ndihmesë të madhe Kuvendit, si Mustafë Krasniqi, Drita Gjongecaj, Mira Shehu, Dritan Mashi, Teuta Tabaku, Anila Kadija, Miradije Berisha, Aurela Konduri, Isuf Bytyçi, Neat Marku, Pjerin Lleshi, Entela Tabaku, Rosario Petta, Muhamet Idrizi, Vera Xhafa – Haliti, Valbona Trashani, Vjollca Zeqiri – Asllani, Daut Gërxhaliu, Nevzat Ibishi, Anita Duriçi, Isuf Ismaili, Enela Markja, Arta Emiri, Vaxhid Sejdiu etj, të cilët me prezantimet e tyre  për gjuhën shqipe gjatë dy ditëve Kuvendit i dhanë karakter të plotë pune. Mësuesve në këtë Kuvend iu bashkëngjiten edhe përfaqësuesit e institucioneve tona nga Ministria e Punëve të Jashtme e R. së Shqipërisë znj. Artemis Malo, nga Ministria e Punëve të Jashtme e R. së Kosovës, znj. Liza Gashi, nga Ministria e Arsimit të R. së Shqipërisë znj. Nina Guga, nga Ministria  e Arsimit të R. së Kosovës z. Taulant Kelmendi, nga Ministria  e Arsimit të R. së Maqedonisë së Veriut z. Agim Nuhiu, drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën znj.  Mimoza Hysa, ambasadori i R. së Kosovës z. Faruk Ajeti, drejtori i Departamentit për Diasporën z. Hamdi Reçica, kryetari i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare z. Ardian Lekaj, konsujt në Mynih të Gjermanisë Znj. Gentiana Mburimi  dhe z. Afrim Nura, të cilët gjithashtu përcollën te pjesëmarrësit qëndrimet  e institucioneve të cilat përfaqësojnë.

Ajo që duhet të shënohet është padyshim mbështetja e Kuvendit të Mësuesve nga donatorët vullnetarë si  veprimtari z. Mark Gjonaj, biznesmenët z. Lazim Destani dhe z. Ardian Lekaj nga Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare, znj. Emina Çunmulaj dhe z. Shaip Deda, ndaj të cilëve Grupi Organizues i Kuvendit shprehën një falënderim të veçantë.

Pra, thënë shkurt në bazë të kumtesave të pjesëmarrësve dhe fjalëve përshëndetëse të përfaqësuesve të institucioneve tona interesimi rreth organizimit të gjuhës shqipe në Diasporë është në rritje e sipër, por ende i pamjaftueshëm përballë numrit të madh të fëmijëve shqiptarë, të cilët vijojnë mësimin e rregulltë në shtetet pritëse. Me të drejtë u kërkua hartimi i një programi kombëtar për gjuhën shqipe nga shtet ku shqiptarët jetojnë që nga lashtësia, si në: Republikën e  Shqipërisë, Republikën e Kosovës dhe Republikën e Maqedonisë së  Veriut, apo ndryshe një strategji e përbashkët për trajtimin e gjuhës amtare në mërgatën shqiptare, tekste të mjaftueshme për të gjitha nivelet e mësimit, tekste shtesë të përshtatshme për këtë lloj mësimi, të krijohet harta e shkollave shqipe, të vazhdohet në mënyrë të rregulltë me trajnimin e mësuesve, që viti shkollor të shoqërohet me një promovim të theksuar të gjuhës shqipe gjatë gjithë vitit kalendarik etj.

Por, një nga çështjet kryesore, padyshim u theksua, se është dhe mbetet njësimi i shkollave shqipe si dhe përpjekjet e përbashkëta për ndërgjegjësimin e mërgatës shqiptare rreth ruajtjes së gjuhës dhe kulturës kombëtare.