Në seminarin e XVI Mbarëkombëtar me Mësuesit e Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë, të organizuar nga data 30 korrik – 2 gusht 2023, në Vlorë, pata nderin të prezantoj ligjëratën me titull “Si ta organizojmë një pikë shkollore”.
Një prej temave kryesore në organizimin e mësimit plotësues në Diasporë është padyshim funksionimi i pikave shkollore, në të cilat zhvillohet mësimi në gjuhën amtare. Fakt është se pika shkollore janë hapur dhe hapen vazhdimisht, por për ta mbajtur gjallë një pikë shkollore më se tridhjetë vjet është padyshim një punë dhe përkushtim i veçantë që barazohet me suksesin e pamohueshëm. Një pikë shkollore që regjistron në gjirin e saj më se dyzet nxënës, të ndarë në tri nivele. Një pikë shkollore apo disa pika shkollore të cilat si për nga nxënësit ashtu edhe për nga sukseset në garat shkollore, sukseset e vazhdueshme në aktivitetet e lira dëshmojnë se kemi të bëjmë me punë profesionale dhe një përkushtim të veçantë në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare.
Dhe si mund të përkufizohet një pikë shkollore në Zvicër?
– «Shkolla shqipe», apo një pikë shkollore është një vend pune, është një shtëpi që ndërtohet nga duart tona…
– Pra, një vend pune që nuk ka qenë dhe bëhet apo është bërë…
– Një «institucion» arsimor dhe edukativ për ta ruajtur gjuhën dhe kulturën kombëtare
– Një «shtëpi» për gjuhën dhe kulturën kombëtare në dhe të huaj!
– Një vend takim që bashkon nxënësit, prindërit dhe mësuesit
– Një bashkësi, që në mënyrën më të mirë të mundshme prezanton kulturën kombëtare…