Gjaku arbëror
Duke e lexuar reportazhin e studiueses Ornela Radovicka me titull: “Mos flit litisht ( italisht) fol arbërisht, kultura arti gjuha, riti”
Shkruan: Vaxhid Sejdiu
Një artikull në formë kronike më nxiti të shkruaj për dy nga studiuesit e botës arbëreshe, studiuesen Ornela Radovicka dhe gazetarin Rexhep Rifati, të cilët në janar të këtij viti qëndruan në Horë të Arbëreshëve me qëllim konsultimesh rreth shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, shtatore e cila do të ngrihet falë angazhimit dhe mbështetjes së mërgatës shqiptare. Qëndruan në Horë të arbëresheve, aty ku i priti miku ynë i përbashkët Rosario Petta dhe arbëreshët e kësaj ane.
Nuk është hera e parë që veprimtarët e botës arbëreshe Ornela Radovicka dhe Rexhep Rifati bëhen bashkë dhe i shërbejnë komunitetit arbëreshë, nuk është hera e parë që këta dy studiues me fjalën e tyre ringjallin botën arbëreshe dhe i motivojnë vëllezërit e një gjaku për të mbijetuar gjuha dhe kultura arbëreshe, nuk është hera e parë që me veprimet e tyre motivojnë mijëra e mijëra shqiptarë për t’u kujdesur më shumë për veten, për rrënjët tona, për traditën dhe mbi të gjitha për të vazhduar për të ruajtur gjuhën dhe kulturën arbëreshe. Me të drejtë studiuesja Ornela Radovicka thotë: “Shqiptarët kudo në botë i bashkon gjuha, kultura, ritet – Mos flit litisht ( italisht) fol arbërisht”. Një thënie që edhe ne mësuesit në Zvicër, Gjermani, Austri… ua themi fëmijëve shqiptarë në orët mësimore që ta flasin sa më shumë gjuhën shqipe, duke iu thënë në mes veti flisni shqip, me anëtarët e familjes, flisni shqip me shokë dhe shoqe (shqiptarë), flisni shqip, sepse gjuha ruhet aty ku përdoret dhe kur i kushtohet një rëndësi e veçantë.
Thënia në Horë të Arbëresheve “Mirë se na erdhët vëllezër!” dedikuar mysafirëve nga Kosova ka një kuptim dhe një domethënie më të gjerë se sa një mikpritje e rëndomtë shqiptare, por një ndjenjë gjaku e gjuhe, një ndjenjë vëllazërie dhe një ndjenjë për të mbijetuar në aspektin gjuhësor, kulturor dhe kombëtar.
Arbëreshët ashtu sikurse shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, në Serbi në Mal të Zi, në Çamëri kanë pasur dhe kanë të njëjtin fat, përpjekje mbinjerëzore për të ruajtur rrënjët, për të ruajtur gjuhën dhe kulturën kombëtare. Prandaj ata e njohin njëri – tjetrin dhe gëzohen, por edhe vuajnë njësoj.
Gjaku arbëror i bashkon vëllezërit dhe i motivon të punojnë për qëllime të njëjta. Tepër mbresëlënëse janë takimet në shkollën ku mësohet arbërisht, ku mësuesja Sara komunikon me nxënësit në gjuhë arbëreshe apo në bibliotekën e Horës, ku takimi merr përmasa shpirtërore kombëtare.
Në vazhdimësi e kam thënë dhe e them se gjuha i mban gjallë njerëzit e një gjaku, gjuha është ADN-ja e një kombi, edhe pse jetojmë me mijëra kilometra larg atdheut në çastin që dëgjojmë një fjalë shqipe shpirti ynë merr një ndjenjë tjetër, reagojmë ndryshe dhe frymëzohemi ndryshe. I njëjtë është edhe dedikimi që më bën studiuesja Ornela Radovicka, fjalë që dalin nga shpirti i saj arbëror me një përkushtim të veçantë kombëtar duke prekë majat e frymëzimit njerëzor:
“Gazetari Rexhep Rifati kishte sjellë me vete edhe disa libra për klasën e parë të cilat mësuesi Vaxhid Sejdiu me banim në Svizër, themelues i shumë shkollave për diasporën në kantonet e Zvicërës i cili ia dhuronte mësuesve dhe nxënësve arbëresh të Horës. Hora falënderonte këtë bir të Kosovës Z Vaxhid,i cili nuk ndalet vetëm në themelimet e shkollave në diasporë, por shkon më tutje, e rrahjet e shpirtit të tij prekin Horën Arbërshe. “
Ky dedikim më jep forcë që edhe më tutje bashkë me veprimtarë të tjerë, të punojmë dhe të veprojmë në shërbim të gjuhës dhe kulturës sonë të përbashkët me qëllim që trashëgimia për gjeneratat e së ardhmes të jetë sa më frymëzuese, sa më e pasur dhe sa më dobiprurëse për shqiptarët (arbëreshët), por edhe për kulturën botërore.