Vendbanimi Rickenbach bëhet me një vatër të re për mësimin e gjuhës shqipe
Një hap i rëndësishëm për fëmijët shqiptarë, një nismë e re, një dritë e gjuhës shqipe dhe identitetit që e shkëlqen mendjen e shpirtin e nxënësve tanë në mërgatë.
Shkruan: Vaxhid Sejdiu

Çdo klasë e re e “Shkollës Shqipe” në mërgatë është më shumë se një hapësirë, ku zhvillohet mësimi. Ajo është një vatër, ku fëmijët e përvetësojnë gjuhën e prindërve dhe të gjyshërve të tyre, historinë, kulturën dhe traditat shqiptare. Pikërisht një vatër e tillë tashmë është hapur edhe në Rickenbach, në kantonin Luzern.
Në kuadër të veprimtarisë së LAPSh-it “Naim Frashëri” – Zvicër, fëmijët shqiptarë të Rickenbachut dhe të rrethinës kanë tashmë mundësinë të ndjekin mësimin e gjuhës shqipe pranë vendbanimit të tyre.
Mësimi zhvillohet çdo të mërkurë, nga ora 15:20 deri në 16:40, në shkollën fillore të Rickenbachut, nën përkujdesjen e mësueses Dorentina Berisha.

Kjo klasë e re ka nisur punën me një grup nxënësish të cilët me entuziazëm janë bërë pjesë e saj: Diara, Lijana, Dijana, Nina, Reah, Ilir, Noar, Rion, David dhe Marku. Ata tashmë kanë bërë hapin e parë drejt një lidhjeje më të fortë me gjuhën e tyre amtare. Kështu, përmes shembullit të tyre, u bëjnë thirrje edhe fëmijëve të tjerë shqiptarë që t’u bashkohen.
Një klasë, një mundësi, një përgjegjësi
Hapja e një klase të re e “Shkollës Shqipe” është gjithmonë një lajm i mirë për komunitetin. Por, mbi të gjitha, është një mundësi që duhet shfrytëzuar.
Fëmijët shqiptarë që rriten në Zvicër jetojnë në një mjedis shumëgjuhësh dhe shumë-kulturor. Ata mësojnë gjermanishten në shkollë, komunikojnë në gjuhë të ndryshme në jetën e përditshme, ndërsa shqipja mbetet gjuha e familjes dhe e trashëgimisë. Për ta ruajtur këtë gjuhë nuk mjafton vetëm përdorimi i saj në bisedat familjare, por nevojitet edhe mësimi i rregullt, leximi, shkrimi dhe njohja e saj në mënyrë të strukturuar.
Pikërisht këtu qëndron rëndësia e “Shkollës Shqipe”.
Ajo nuk synon vetëm t’ua mësojë fëmijëve alfabetin, drejtshkrimin apo rregullat e gjuhës. Ajo synon t’i afrojë ata me një pjesë të rëndësishme të identitetit të tyre dhe t’ua krijojë mundësinë që shqipen ta përdorin me siguri, dashuri dhe krenari.
Prindërit janë çelësi i suksesit
Hapja e një klase është vetëm fillimi. Për të pasur jetëgjatësi dhe për t’u zhvilluar, ajo ka nevojë për mbështetjen e vazhdueshme të prindërve dhe të komunitetit.
Prandaj, nga Rickenbachu dhe rrethina vjen një mesazh i qartë: prindër shqiptarë, regjistrojini fëmijët tuaj në Shkollën Shqipe!
Mos të presim që gjuha të ruhet vetvetiu. Ajo kërkon përkushtim, kohë dhe vullnet. Çdo orë mësimi në shqip është një investim në të ardhmen e fëmijëve tanë.
Fëmija që mëson shqip sot, nesër do të mund të lexojë një libër në gjuhën e të parëve të tij, të shkruajë një letër për gjyshërit, të kuptojë më mirë historinë e familjes dhe të komunikojë me bashkëmoshatarët shqiptarë kudo që ndodhen.
Kjo është arsyeja pse “Shkolla Shqipe” nuk duhet parë vetëm si një aktivitet shtesë për fëmijët, por si një pjesë e rëndësishme e edukimit dhe e trashëgimisë së tyre.










