Emisioni “Fol shqip”, kushtuar 28 Nëntorit – Ditës së shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë apo siç themi ne në gjuhën e përditshme, Ditën së Flamurit, nuk ishte vetëm një emision i mrekullueshëm, por edhe tepër domethënës dhe kuptimplotë. Thënë shkurt ky emision nuk është vetëm për një ditë festive, por reflekton fortë për të ardhmen e këtyre fëmijëve të cilët lindin dhe rritën larg atdheut.
Vaxhid Sejdiu
Emisioni “Fol shqip”, i cili tani është bërë kryetemë e emisioneve për diasporën, me rastin 28 Nëntorit – Ditës së shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë arriti të dëshmojë edhe njëherë se emisionet në të cilat, në qendër kanë fëmijët shqiptarë të cilët ruajnë gjuhën dhe kulturën kombëtare janë vlerë e shtuar e të ardhmes së shqiptarëve në mërgim. Unë nuk dua të flas për emisionin, i cili ka bërë emër falë punës së Altin Markut dhe bashkëpunëtorëve të tij, por dua të them një gjë, se ideja e tij për të bërë një manifestim me nxënësit e shkollave shqipe me rastin e festës kombëtare është ide e përkryer dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur idetë, puna dhe përkushtimi i të gjithëve me radhë; stafit të emisionit, nxënëseve dhe mësuesve bëhen bashkë dhe e shndërrojnë emisionin në qendër të festës kombëtare. Në këtë emision për shkaqe organizative kanë marrë pjesë (edhe atë jo të gjithë) nxënësit e shkollave shqipe të mësuesve Lumnije Klinaku – Neziri, Qefsere Sejdiu, Vaxhid Sejdiu, si dhe Grupi i valleve i shkollës shqipe të Buchs-it, nën përgatitjen e koreografit Remzi Sylejmani.
Ajo që bie në sy gjatë këtij emisioni është edukimi kombëtar i këtyre fëmijëve, dashuria ndaj gjuhës dhe kulturës kombëtare, dashuria ndaj veshjes kombëtare, ndaj ngjyrave kuq e zi dhe përpjekjeve të tyre për t`i shqiptuar fjalët dhe vargjet sa më drejtë dhe sa më mirë. Fakt është se të gjithë këta nxënës kanë filluar me mësimin në gjuhën shqipe në dy vitet fundit, me disa përjashtime të vogla, na detyron të themi se shkolla shqipe është vendi i shenjtë ku mësohet gjuha amtare. Aty ku takohen fëmijët shqiptarë dhe të këshilluar nga prindërit e tyre të mësojnë gjuhen e nënës. Nuk ka gjë të bukur kur i sheh këta fëmijë, të cilët vijnë rregullisht dhe mësojnë gjuhën amtare.
Dhe emisioni “Fol Shqip”, është një nga emisionet më domethënëse, një nga emisionet ku qindra fëmijë shqiptarë e ndien veten si në shtëpinë e tyre. Dhe ka të drejtë Altini, që e ka pagëzuar “shtëpia e diasporës”. Dhe ky emision ishte mesazhi më i mirë që zëvendëson me mijëra ligjërata teorike sepse është çdo gjë vizuale edhe belbëzimet vogla, edhe pakujdesitë teknike, pro gjithë çka e drejtpërdrejtë, e bukur, gjithë çka shqip, në shërbim të festës, flamurit dhe identitetit kombëtar.
Dhe në emër të nxënësve, prindërve dhe mësuesve të “Shkollës Shqipe” në Zvicër falënderojmë publikisht stafin e emisionit “Fol Shqip” nën drejtimin e moderatorit Altin Markut, për emisionin e mrekullueshëm kushtuar 28 Nëntorit – Ditës së shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë apo siç themi ne në gjuhën e përditshme, Ditën e Flamurit. Ky emision nuk është vetëm për një ditë, por është histori më vete, që përcjell një mesazh në nivel kombëtar, se si duhet të kujdesemi, të punojmë dhe të veprojmë në ruajtjen e identitetit kombëtar.