Sudiuesi, profesori, gjuhëtari i nderuar e atdhedashësi i shquar Eroll Sejdiu ka shkruar për bilbilin e gjuhës sonë, për Naim Frashërin, për Naim Shqipërinë dhe ka përmbledhur disa mendime e shkrime të shquara të këtij shkrimtari e atdhetari të pavdekshëm. (Isuf Ismaili)
Profesor Eroll Sejdiu: „Naim Frashëri rrugën e tij jetësore në krijimtari e kishte orientuar në drejtim të hapave të parë, që duhej të merrnin shqiptarët për ta ribërë Shqipërinë. Ishte tejet i ndërgjegjshëm se kombi ishte nisur në rrugën vendimtare të rizgjimit dhe ai do të përparonte vetëm nëse arsimohej, nëse në rrugën e tij drejt qytetërimit do të ruante vlerat e mirëfillta, si: nderin, besën, respektin, mikpritjen dhe tërë vlerat pozitive. I bindur se rruga ishte e gjatë dhe me shumë pengesa, ai do të tretej si qiriri duke bërë dritë për të tjerët. Dhe, në këtë drejtim arriti shumë. Naimi, edhe pse i sëmurë, botën e tij të pasur shpirtërore e emancipoi duke përhapur rreze drite, duke i kënduar Shqipërisë.
- E parë e gjithë mbrothësive, që i duhen një kombi është gjuha e mëmëdheut. Gjuha e bashkon kombin, e ndriton, e nxjerr nga errësira, shpirtin e mendjen e lartëson, vetitë i zbukuron, vetëdijen e njohjen e lulëzon, vëllazërinë e shton dhe miqësinë e shumëzon.
- Është turp të mos dijë shqiptari gjuhën e tij e të mos e këndojë e ta shkruajë. Djemtë e vegjël e vashat e vogla lipset të mësojnë gjuhën e tyre, ta këndojnë drejt e ta shkruajnë mirë.
- Gjuha jonë duhet shkruar thjesht shqip, se fjalët e huaja e shëmtojnë shumë. Është e gjerë gjuha jonë dhe e bukur shumë, ka fjalë fort të mira për të vënë në vend të fjalëve të huaja.
- Gjuha shqipe është mjaft e gjerë për ata që e dinë mirë, por ka edhe lehtësinë që bashkon dy fjalë, si: vetë-dije, mëmë-dhe, punë-mbarë, bukë-dhënës etj.
- Gjuha jonë dhe dituria janë shumë të nevojshme , se mosnjohja e gjuhës dhe padija i ka lënë shqiptarët pas sot.
- Gjuha jonë mund të punohet pandërprerë.
- Perëndia e shqiptarëve është shqipja.
- Të gjithë kanë bërë faj që s’falet e të metë që s’ndjehet, kur kanë përzier gjuhën e bukur shqipe me fjalë të huaja!
Sevasti Qiriazi-Dako, kështu e përshkruan Naim Frashërin: “Ishte me shtat të mesëm dhe i imët, po kishte një fytyrë fort të qetë dhe të përshkruar me ato sentimente të larta të cilat vetëm një vjershëtor i lindur mund t’i ketë. Sytë e tij plot zjarr që mund të djegë vetëm në zemër të atij atdhetari që është i kthjellët dhe i vërtetë. Të gjitha këto të përmbledhura, i jepnin fytyrës së tij një pamje intelektuali të shquar. Pasi u përshëndet me të gjithë, Naimi më afrohet, më përshëndeti, më uroi dhe më tha këto fjalë, të cilat janë të gjalla në zemrën time; fjalë që tronditën shpirtin e të gjithëve që i dëgjuan; fjalë plot entuziazëm edhe flakë që derdheshin prej një zemre plot idealesh të larta: “MOTËR… pengime dhe trazime të shumta edhe të mëdha do të keni në këtë udhë që keni nisur, por si një shqiptare trime të gjitha ke për t’i kapërcyer. Të gjitha ato çupa e gra që do të vijnë nën hijen tënde, i frymëzo me ideale të larta e të vërteta që të arrijmë në qytetërimin e vërtetë dhe kështu ta bëjmë edhe brezin tonë të pushtojnë gjithë ato virtyte dashurie, vëllazërie, atdhetarie dhe bashkimi që karakterizonin kohërat e SKËNDERBEUT.”
Nderim dhe lavdi veprës së tij madhore!“