Në Bulle të kantonit Fribourg hapet shkolla shqipe – mbi 45 fëmijë shqiptarë e presin 28 Nëntorin në bankat shkollore

Një tjetër vatër e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar hap dyert në Zvicër.

Prindërit, veprimtarët shqiptarë dhe strukturat e LAPSH -it “Naim Frashëri”  janë organizuar mirëfilli dhe kanë dhënë ndihmesën e tyre me shumë përkushtim për hapjen e pikës shkollore në Bulle dhe kështu si rezultat i të gjitha këtyre veprimtarive  dhjetëra fëmijë në këtë pikë shkollore  kanë nisur rrugëtimin e tyre drejt njohjes dhe ruajtjes së gjuhës së të parëve.

 

Bulle, Fribourg, nëntor 2026

Ky nëntor, muaji i flamurit dhe i krenarisë kombëtare, ka sjellë një gëzim të veçantë për komunitetin shqiptar në qytetin Bulle të kantonit Fribourg në Zvicër. Për herë të parë, dhjetëra fëmijë shqiptarë të kësaj qyteze dhe të rrethinës do ta presin festën e 28 Nëntorit, Ditën e Flamurit dhe të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, të ulur në bankat e shkollës shqipe, duke mësuar gjuhën amtare dhe duke recituar vargje kushtuar flamurit kuqezi, atdheut dhe historisë sonë kombëtare.

Mbi 45 nxënës të regjistruar dhe interesim në rritje

Veprimtaritë dhe përkushtimi i disa prindërve dhe veprimtarëve shqiptarë të qytetit Bulle, në bashkëpunim me Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) “Naim Frashëri” në Zvicër janë përshkuar nga mbarësia dhe me sukseset e ndërlidhura mirë, prandaj u bë i mundur edhe organizimi e hapja e kësaj pike shkollore. Në këtë vit shkollor janë regjistruar më shumë se 45 nxënës, ndërsa interesimi i familjeve shqiptare vazhdon të rritet. Që në dy javët e para të mësimit, numri i fëmijëve që iu përgjigjën thirrjes për të mësuar shqip ishte aq i madh, sa hapësira e klasës rezultoi e pamjaftueshme për t’i përfshirë të gjithë njëkohësisht.

Në këtë pikë shkollore, procesin mësimor e zhvillon mësuesja Zhuljeta Balla, e cila ka marrë përsipër misionin fisnik të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe të edukimit kulturor e kombëtar të fëmijëve shqiptarë që lindin dhe rriten larg atdheut.

Ambasadori Ermal Dredha në hapjen e shkollës shqipe

Një rëndësi të veçantë kësaj ngjarjeje i dha edhe prania e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Zvicër, z. Ermal Dredha, i cili mori pjesë në hapjen e pikës shkollore në Bulle. Me këtë rast, ambasadori shpërndau tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit, duke dëshmuar mbështetjen institucionale të shtetit shqiptar për mësimin e gjuhës amtare në diasporë. Këto tekste, të siguruara në kuadër të bashkëpunimit dhe marrëveshjeve institucionale për furnizimin me libra të fëmijëve shqiptarë në mërgatë, tashmë janë pjesë e rregullt e procesit mësimor.

 

Prindërit shqiptarë – nismëtarë të një vatre të re të dijes

Hapja e shkollës shqipe në Bulle nuk do të ishte e mundur pa përkushtimin dhe bashkëpunimin e prindërve shqiptarë, të cilët e kuptojnë se gjuha amtare është një nga pasuritë më të çmuara që mund t’ua trashëgojnë fëmijëve të tyre. Një kontribut të veçantë në organizimin dhe realizimin e kësaj nisme kanë dhënë: Nazlije Avdiji, Sherif Jerliu, Besnik Avdiji dhe Llokman Sadiku. Këta prindër dëshmuan se, kur ekziston vullneti dhe bashkëpunimi, edhe nismat që fillimisht duken të vështira mund të shndërrohen në realitet.

Nxënësit e shkollës shqipe u bëjnë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre

Gëzimi më i madh i kësaj nisme u përket vetë fëmijëve, të cilët tashmë kanë mundësinë të ulen në bankat shkollore për të mësuar gjuhën e nënës, gjuhën shqipe. Dhe tani më Rroni, Deoni, Sohani, Gjejona, Lediani, Lea, Diori, Leo, Loriku, Amila, Omeri, Dayeni, Sadi, Rijadi, Lura, Teona, Stina, Elita, Gjenisi, Iliami, Rayani, Romeo, Loroina, Wanisi, Aymani, Sara, Ardiana, Ema, Andi, Linda, Dorela, Zana, Jetmiri, Lorisi, Saidi, Diana, Arlindi, Edi, Ezani, Rioni, Erdi, Adena, Floriani, Edina, Liana, Arona dhe Edeni janë ndër fëmijët që i janë bashkuar kësaj vatre të re të gjuhës shqipe duke iu bërë thirrje bashkëmosatarëve të qytetit Bulle dhe të rrethinës: “Ejani edhe ju në shkollën shqipe! Kërkojuni prindërve t’ju regjistrojnë, sepse gjuha shqipe është gjuha e prindërve, e gjyshërve dhe e të parëve tanë. Së bashku do të mësojmë të lexojmë, të shkruajmë, të këndojmë dhe të recitojmë në gjuhën tonë të bukur shqipe!”

Kjo thirrje simbolike e fëmijëve është një mesazh për çdo familje shqiptare në mërgatë: fëmijëve duhet t’u krijohet mundësia të mësojnë gjuhën e origjinës së tyre, sepse njohja e saj i ndihmon të ruajnë lidhjet me familjen, historinë dhe trashëgiminë kulturore.

Kontributi i LAPSH “Naim Frashëri” dhe bashkëpunimi me institucionet zvicerane

Një rol të rëndësishëm në hapjen dhe organizimin e kësaj pike shkollore ka pasur edhe Dr. Vaxhid Sejdiu, bashkëkryetar i LAPSH “Naim Frashëri” në Zvicër, ai ka realizuar procedurat administrative dhe ka bashkërenduar komunikimin me autoritetet arsimore zvicerane, në bashkëpunim me prindërit shqiptarë, për të siguruar kushtet e nevojshme për fillimin e mësimit.

Një 28 Nëntor ndryshe për fëmijët shqiptarë në Bulle

Për nxënësit e kësaj shkolle, festa e 28 Nëntorit këtë vit do të ketë një domethënie të veçantë. Ata do ta presin Ditën e Flamurit jo vetëm me flamuj kuqezi në duar, por edhe me abetaren shqipe mbi bankat shkollore, me shkronjat e para të mësuara në gjuhën amtare dhe me vargjet kushtuar Shqipërisë, flamurit dhe heronjve të historisë sonë kombëtare. Në një shoqëri shumëgjuhëshe si Zvicra, njohja e gjuhës amtare është një pasuri shtesë që e ndihmon fëmijën të zhvillohet në mënyrë të gjithanshme, duke ruajtur njëkohësisht lidhjen me kulturën e familjes dhe duke u integruar në shoqërinë ku jeton.

Hapja e shkollës shqipe në Bulle është një fitore e përbashkët e fëmijëve, prindërve, mësueses, veprimtarëve dhe institucioneve që mbështesin arsimin shqip në diasporë.

LAPSh “Naim Frashëri” – Zvicër

Sektori për informim