Në Aachen të Gjermanisë, në prani të shumë bashkëkombësve, u bë promovimi i librit të Mustafë Krasniqit me titull “Atdhetari i shtigjeve të lirisë” kushtuar heroit të kombit Xhavit Hazirit.
Shkruan: Vaxhid Sejdiu
Një mbrëmje që tuboi qindra bashkatdhetarë, të cilët kishin ardhur jo vetëm për të marrë monografinë, por edhe për ta nderuar, e për ta kujtuar heroin e kombit Xhavit Hazirin. Një mbrëmje që solli të kaluarën e afërt të shqiptarëve në atdhe dhe në mërgatë, përpjekjet e popullit shqiptarë në luftë për liri dhe çlirim kombëtar. Një mbrëmje, e cila ktheu kujtesën tonë në fund të shekullit XX, në ato ditë të vështira ku shqiptari nën thundrën e hekurt luftonte për jetë a vdekje. Një mbrëmje ku nëpërmjet personifikimit të figurës së heroit, u nderuan dhe u kujtuan të gjithë ata, të cilët u bënë themel të Lirisë së Kosovës.
Programi u hap me himnin kombëtar në përcjellje edhe nga nxënësit e shkollës shqipe në Aachen, të cilët gjatë programit recituan edhe vargjet e heroit të shkruara nën hijen e tmerrit të burgjeve jugosllave, siç janë poezitë: ,, Duart shtrihen“, “Për Vitin e Ri” apo vargjet “Në Pritje” të shkruar nga M. Krasniqi dhe “Për një trim hero kombëtar” të shkruar nga Sh. Salihu.
Udhëheqjen e programit e bëri mësuesja e shkollës shqipe Elizabeta Statovci, kurse në emër të Këshillit organizues mirë se ardhje pjesëmarrësve ju dëshiroi Arbër Haziri, i cili falënderoi anëtarët e Këshillit Organizues, veprimtarët, pjesëmarrësit e këtij promovimi, autorin, me një fjalë të gjithë ata, të cilët u bënë bashkë që kjo monografi dhe ky promovim të bëhen realitet. Në pjesën e parë të programit, pjesëmarrësit patën rastin të dëgjojnë rrëfimin e z. Binak Berisha, i cili kishte përjetuar së bashku me Xhavitin burgjet jugosllave, kazamatet më të egra të kohës. Ai evokoi kujtime gjatë kohës si dhe portretizoi figurën e heroit, duke e përshkruar si atdhetarë i pashoqë, idealist i veçantë, njeri familjar dhe shok tepër i dashur. Gatishmëria e tij deri në sakrificë për lirinë e Kosovës ishte veti që dallohej në shpirtin liridashës të Xhavitit. Ai asnjëherë nuk e kurseu veten, por gjithmonë priu në të gjitha dallgët e organizimit ilegal të kohës duke u bërë shembulli më i mirë në mesin e bashkëveprimtarëve. Nuk kishte detyrë që i jepej dhe nuk e pranonte Xhaviti. Po në të njëjtin përshkrim ishte edhe fjala e autorit, Mustafë Krasniqit, i cili kishte pasur rastin ta njoh nga afër dhe të bashkëveprojë me të. Ai, heroin e portretizon si luftëtar lirie me gjithë gatishmërinë për t`u përballur me sfidat e kohës ditë e natë. Shok besnik, atdhetar i përkushtuar, vizionar dhe trim, në vazhdimësi punoi dhe veproi me qëllim që detyrat e aktivitetit kombëtar të ndara në mes shokësh të realizohen. Për të nuk kishte pushim, çdo kohë e humbur ishte më shumë jetë nën robëri, gjë që ai dhe bashkëveprimtarët e tij nuk mund ta duronin. Me të drejtë autori, M. Krasniqi citon fjalët e heroit “T’i mbyllësh sytë para kësaj gjendjeje të mjerë, që e ka kapluar popullin do të thotë të mos kesh kurrfarë ndjenje kombëtare”.
Binak Berisha, i cili kishte përjetuar së bashku me Xhaviti Hazirin burgjet jugosllave evokon kujtime për heroin
Në pjesën e dytë u fol për librin, për monografinë, për strukturën e saj, por përsëri në thelb ishte vijëzimi i portretit të heroit. Fillimisht recensenti i librit, Vaxhid Sejdiu, foli për vizionin kombëtar të heroit dhe gjeneratës së tij, të trajtuar mjaft mirë në monografi. Edukimi kombëtar i heroit mund të përkufizohet në nyjet e fjalëve: gjuha, kultura kombëtare, flamuri kombëtar, identiteti kombëtar, Atdheu, Kosova, Shqipëria…dhe padyshim arrijmë në përfundim se Xhavit Haziri i takon njërës nga gjeneratat më të ndritshme të kombit shqiptar dhe vetë është një ndër luftëtarët më të denjë të saj.
Redaktori i librit Isuf Ismaili nënvizoi jo vetëm guximin dhe gatishmërinë e heroit së bashku me atdhetarët tjerë për t`i dalë zot atdheut, por edhe kontributin e tij në unifikimin e grupeve për bashkim që vepronin në atë kohë në Kosovë dhe më gjerë, në kuadër të LPRK-së me qëllim që rezistenca kundër planeve të pushtuesit të përgatitet edhe më fortë, për të penguar politikat antishqiptare në Kosovë dhe në trojet ku jetonin shqiptarët nën ish- Jugosllavi. Dhe kur flet për monografinë dhe heroin, ai thotë, se “Mustafë Krasniqi i ka përmbledhur shumë të dhëna konkrete e jetësore të heroit Xhavit Haziri, por edhe përjetime të njëmendta të tij dhe shokëve të tjerë, që kanë ecur së bashku, kanë vepruar së bashku, kanë sakrifikuar e luftuar së bashku. Një nga shokët e veprimtarët e denjë që ka qenë i një mendje, i një rruge të mundimshme, por krenare e të shenjtë atdhetare së bashku me Xhavit Hazirin është edhe Mustafë Krasniqi, prandaj Mustafa diti të shkruajë me përkushtim, por edhe me një dashuri, mallëngjim e me një ndërlidhje të gjithanshme të përkryer profesionale.”
Për veprën krijuese të autorit Mustafë Krasniqi, foli edhe z. Hasan Qyqalla, i cili në pika të shkurtra radhiti veprat e botuara, angazhimin e tij letrar dhe mbi të gjitha punën dhe përkushtimin e autorit rreth monografisë për heroin e kombit Xhavit Hazirin.
Arbër Haziri, përshëndet pjesëmarrësit dhe anëtarët e Këshillit organizues të promovimit të librit
Në pjesën kryesore të promovimit u shfaq filmi dokumentar kushtuar heroit të kombit Xhavit Hazirit, ku pjesëmarrësit patën rastin të dëgjojnë dhe të shohin punën dhe angazhimin e tij në kuadër të LPRK-së, patën rastin të dëgjojnë prezantimin e konkluzioneve të organizatës për situatën politike të kohës, në Mbledhjen e tretë të LPRK-së, të mbajtur në tetor 1991 në fshatin Ujmirë, patën rastin të shohin disa sekuenca mbi veprën artistike të heroit kombëtar, punime të punuara në Burgun e Dubravës, fotografi të kohës dhe të aktivitetit patriotik. Zëri i tij liridashës zgjoi emocione të forta, jo vetëm te familjarët e tij, por te të gjithë pjesëmarrësit duke e kujtuar njërin nga atdhetarët më të mëdhenj të kohës. Dhe në vend të përfundimit mund të shtojmë se aktiviteti kombëtar në shërbim të lirisë, arrestimi, burgu, proceset politike antishqiptare, vuajtjet, përpjekjet për të vepruar kundër pushtuesit janë në fakt pjesët e dramës së madhe shqiptare nëpër të cilat kaloi edhe vetë Heroi ashtu siç kaluan me qindra e mijëra shqiptarë. Me këtë filozofi politike identifikohet gjenerata e tij, atdhetarët, të cilët përpjekjet e tyre u sintetizuan në emblemën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e së cilës ishte edhe vetë Xhavit Haziri.
Autori i librit Mustafë Krasniqi së bashku me vëllanë e heroit, Arsim Hazirin
Të pranishmit në emër të familjes Haziri, i përshëndeti vëllai i heroit, Arsim Haziri, i cili në mes emocioneve të forta përkujtoi heroin dhe falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen, veçanërisht autorin e librit për përkushtimin rreth monografisë.
Në fund të këtij promovimi familja e heroit dhe autori i librit “Atdhetari i shtigjeve të Lirisë-Xhavit Haziri” librin e shpërndanë falas për të gjithë pjesëmarrësit si dhe shtruan një apero.