Valon Gashi: Nderim e përulje para figurës së shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli
Sekretar i Parë i Ambasadës së RSH-së në Bernë – Zvicër
Të nderuar të pranishëm!
“Shkolla Shqipe” në Zvicër, bashkë me këta fëmijë të zgjuar e të bukur na kanë mbledhur sot për një arsye të fisme kulturore, në nder shkrimtarit të shquar dhe Nderi i Kombit shqiptar, Dritero Agolli!
Në emër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë, më lejoni t’ju përcjell urimin tim!
Ne jemi sot së bashku në shenjë nderimi dhe përuljeje ndaj figurës së madhe të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Në përvjetorin e ditëlindjes së të përjetshmit Drithëro Agolli, ne kryejmë njëherësh aktin nderues dhe atë të shprehjes së mirënjohjes për figurën madhore dhe komplekse të Tij. Rikthejmë edhe një herë, në kujtesën dhe nderimin tonë, mirënjohjen për visaret dhe kryeveprat artistike të shkrimtarit tonë të dashur.
Përbashkojmë dhe shtojmë në emër të diasporës dhe emigracionit në Zvicër, nga të gjitha trevat, vlerësimin për autorë dhe vepra të shquara të letërsisë sonë kombëtare.
Dritero Agolli, ashtu sikundër e thotë një miku i tij i ndjerë, poeti i shquar popullor nga Jugu i Shqipërisë, Princi i Polifonisë Shqiptare Lefter Çipa, e ka zënë vendin nderues në majën e panteonit të kulturës sonë kombëtare, për shkak të vetive dhe lëndës shkrimore që na ka lënë.
Në shkrimin memorialistik:” Ç’më flet zëri i shpirtit, zëri i Dritëroit”, ndër të tjera Çipa i nderuar shprehet:
“Për këtë arsye, të nderuarit kombëtarë, kanë veti dritën, të cilën e derdhin për kombin, duke kryer, pse jo, flijimin e shpirtit dhe duke fituar shenjtërimin. Aspirimet e Dritero Agollit ishin edhe tonat, mes te cilave spikatën dituria, urtësia, dashuria për jetën dhe njeriun. Këto na krenonin. Virtytet e tij shpirtërore na çonin në zgjime zgjuarsie. Për këtë arsye, Dritero Agolli është i rralli ndër të rrallët”, – nënvizon poeti.
Të nderuar të pranishëm, i nderuari profesor Vaxhid Sejdiu, në emër të Ambasadës Shqiptare dua t’ju falenderoj dhe të shpreh vlerësimin tim që Ju nderoni një majë të lartë të kontributorve, kulturës dhe letërsisë shqiptare. Bekuar qofshi!
I përjetshëm Driteroi ynë!