Isuf Ismaili: Vepër me taban atdhetarie

Kumtesë, për veprën: “Kujtime të ndritura të kohëve të errëta” – vepër e shkruar nga Fitim Fitimi

 

Fotografitë: Rexhep Rifati

Në pasurinë e botimeve të krijimtarisë atdhetare e  përshkuar fund e krye nga fryma njerëzore dhe vlerat e mirëfillta të dëshmive konkrete e të përjetimeve, të emocioneve, të një vërtetësie e të kohëve të ndryshme, radhitet edhe vepra e atdhetarit të shquar Fitim Fitimi, i njohur në të kaluarën me emrin Nysret Hajdari.

Fitim Fitimi radhitet në pjesën e më të ndritshme të veprimtarëve të denjë, të cilët jetën e veprën e tyre e kanë vënë plotësisht në shërbim të çështjes atdhetare, jetësimit të idealeve e synimeve të çlirimit të viseve të robëruara të Shqipërisë dhe përmbledhjes  së këtyre trevave në njësinë tërësore të Shqipërisë së natyrshme e të bashkuar.

Është jo vetëm pasuri, por edhe domosdoshmëri që pjesa më e shëndoshë shqiptare, bijtë e bijat e denja të popullit shqiptar, pjesëtar i të cilit me krenari radhitet edhe xhaxhi Fitim Fitimi, të shkruajnë e të botojnë vepra të cilat janë jo vetëm dëshmi e së kaluarës shqiptare, por edhe si gurët e themelit të fuqishëm të shqiptarësisë sonë.

Në historinë më të re shqiptare duhet të dalin në dritë, patjetër, dëshmitë autentike e përjetimet e dhembshme, por edhe krenare pikërisht të këtyre bijve e bijave të denja që me veprimtarinë, por edhe me vuajtjet e tyre i flasin kohës sonë e do t’i flasin edhe ardhmërisë, e mbi të gjitha brezave tanë, duke vënë theksin tek ato vlera që duhet të jenë drita e udhëtimit të këtyre brezave drejt vazhdimësisë në tabanin e dinjitetit atdhetar.

Brezat e ardhshëm, por edhe njerëzit e kohës sonë, duhet të dinë, se për lirinë e njëmendtë shqiptare, për çlirimin e tërësisë së tokave shqiptare dhe bashkimit të tyre, pikërisht, bijtë e bijat e denja atdhetare si Adem Demaçi e veprimtarët të tjerë shqiptarë në grupet e organizatat atdhetare e të fshehta nga pushtuesi, siç është e zakonshme të quhen ilegale, jo vetëm kanë vepruar, por edhe me gjakun e jetën e tyre e kanë mbrojtur pikërisht këtë vepër sa njerëzore e atdhetare aq edhe të dobishme e të nevojshme për popullin shqiptar e viset e tij tërësore.

Ata vepruan, punuan, sakrifikuan ditën e natën, në kushte e rrethana të vështira, të përballur me vuajtjet e skamjen, por me guxim e krenari  i thanë ballëhapur pushtuesve jugosllavë se Kosovën dhe viset të tjera shqiptare do t’i çlirojmë e do t’i bashkojmë, se janë pjesë e trungut të Shqipërisë.

Kështu, në rrethana të tilla veproi edhe xhaxhi Fitimi, por ai jetoi e veproi edhe në mesin e gjirit të mërgatës sonë në Gjermani, me vëllezërit Jusuf e Brdhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, të cilët e udhëhoqën Lëvizjen e tërësishme atdhetare e çlirimtare, jo vetëm në mërgim, por edhe në viset e robëruara.

Vepra e Fitim Fitimit (Nysret Hajdarit) është titulluar: “Kujtime të ndritura të kohëve të errëta” Kjo vepër është një përmbledhje e materialeve dhe të dhënave që karakterizojnë njerëz, që bëjnë fjalë për kohë të ndryshme e për veprimtari të shumta që lidhen me jetën e punën, me veprimtarinë e sakrificat, me punën e përkushtimin njerëzor e atdhetar, duke na dhënë realitetet  që kanë kaluar shqiptarët nën sundimin e Jugosllavisë së atëhershme, e cila nuk linte gurë e themele të natyrshme shqiptare pa i tronditur e pa i lëvizur për ta thyer jo vetëm tehun e rezistencës shqiptare, por edhe për ta deformuar e shuar krenarinë e guximin, por edhe qenësinë shqiptare edhe në Kosovë, por edhe në viset të tjera shqiptare që Jugosllavia pushtuese i mbante nën sundim.

Edhe pse pushtuesit jugosllavë, nuk lanë metodë e mjete dhune pa përdorur nuk e tundën e nuk arritën asnjëherë ta shuajnë qenësinë, krenarinë, e  shpirtin e shqiptarit të dëlirë, karakterin e tij të formësuar në shekuj, karakter ky i përcjellë nga brezi në brez, deri në ditët tona, simbol i të cilit është edhe Fitim Fitimi, i cili që në rininë e tij hershme nisi rrugën si një qëndrestari e veprimtari të denjë në përbërje të organizimeve atdhetare.

Vepra e tij krahas këtyre vlerave është e përmbushur me të dhëna të dorës së parë, qoftë për historinë, qoftë për rrëfimet interesante emocionale, prej të cilave mund të dalin të dhëna të shëndoshë për krijimtarinë letrare.

Vepra e tij nis me të dhënat familjare me traditat e doket, me zakonet e jetën e përgjithshme shqiptare të asaj kohe nën pushtimin jugosllav.

Në këtë vepër janë përmbledhur të dhënat biografike, ngjarjet politike, shoqërore e atdhetare, historike e deri te detajet e hollësishme të lëvizjeve atdhetare e veprimtarive që lidhen me personalitete, siç e thamë edhe më parë, me Heroin Jusuf Gërvalla, por edhe me veprimtarë të tjerë qoftë në mërgim, qoftë edhe në viset shqiptare, por edhe në burgjet e ferrit jugosllav e më pas në organizimet  e veprimtaritë qoftë në Kosovë apo në mërgim, por edhe kudo që ai shkoi e veproi.

Fitim Fitimi na thotë se shumica e të rinjve shqiptarë nën pushtimin jugosllav, me shpirt e me zemër ishin <<brenda një Shqipërie të bashkuar, ashtu siç e kishte parashikuar rilindësi ynë i madh, Sami Frashëri, para në shekulli, në libri e tij : “Shqipëria ç’ ka qenë, ç’ është e ç’ do të bëhet” >> (Faqe 225 )

Ai na jep përshkrime reale, të demonstratave e të Kryengritjes shqiptare në vitin 1981, ku rinia e populli shqiptar ia përplasi mu në surrat Jugosllavisë kundërshtinë, qëndresën e vendosmërinë për t’u çliruar nga prangat e saj. Kështu mund të themi se me një përkushtim shumë të madh shqiptarët nën pushtimin jugosllav, filluan që atëherë t’i çanin prangat të robërisë.

Janë shumë interesante takimet e bisedat me vëllezërit Gërvalla në Gjermani që Fitim Fitimi i përshkruan, madje edhe detajet e bisedave, të gjesteve, gjendjen psikologjike e emocionale, qëndrimet e të veprimtaritë me ta.

Pas bisedës telefonike që Xhaxhi Fitim e kishte bërë me të vëllain, kur edhe takohet me Bardhin e Jusufin, i mërzitur , por edhe i vendosur na thotë se i kishte thënë Jusufit  “ sot e tutje jam në gjendje të bëj atentat në secilin njeri që punon në ambasadën  jugosllave…” Ndërsa Jusufi do ta qetësojë, duke i thënë se ata bënin veprimtari dhe luftë të drejtë dhe aspak terroriste dhe se kështu do t’i bindnin popujt liridashës ta përkrahnin çështjen shqiptare dhe njëkohësisht ta bindnin edhe politikën dhe përbërjet institucionale evropiane për të na trajtuar çështjen tonë siç duhet e kështu të bëjmë ç’ është e mundur të kemi përkrahje të synimeve tona e angazhimeve çlirimtare për të gjitha viset tona nën pushtimin jugosllav.

Veprimtaria në mërgatë, aktiviteti në demonstrata e me punën e angazhimin e përgjithshëm në mërgatë, pastaj kapitujt të tjerë që shpjegojnë kohen në burgjet jugosllave, ku dalin në pah qëndresa dhe krenaria për veprimtarinë e përkushtuar atdhetare, përballja stoike në atë ferr, pastaj e veprimtaria me djemtë e rinj, siç është rasti edhe me djalin e tij e shokun tonë të dashur Skënder Hajdari, si dhe aktiviteti e veprimtaria në kohën e lavdishme e heroike të UÇK – së e deri në ditët tona përbën harmoninë e veprimtarisë së tërësishme e kurorën e atdhetarisë shqiptare e në historinë tonë më të re, të përshkruara mjeshtërisht edhe në këtë vepër.

Kjo vepër ka një gjuhë të zgjedhur të këndshme, të kuptueshme e të pranueshme nga  të gjitha shtresat, ka një qartësi  e lidhje të harmonishme logjike.

Ka mbetur edhe shumëçka për të thënë, por në përurime të tilla, jemi të kufizuar të themi një përmbledhje me pak rreshta.

Xhaxhi Fitimit i urojmë nga zemra të na dhurojë edhe vepra të tjera! I urojmë shëndet, punë e veprimtari të mbarë!

Këtu, përveç përurimit të kësaj vepre, do të bëhen edhe përurimet edhe të tri veprave të tjera, siç janë: “Syrigana” e Jashar Aliut ; “Rexhep Mala në shkresat e UDB – së” dhe “Për një atdhe të lirë e të bashkuar” (monografi për veprimtarin e devotshëm, Nazmi Hoxha) ,  të shkruara nga Agim Sylejmani. Jashari dhe Agimi janë veprimtarë të hershëm e atdhetarë të shquar të cilët janë dënuar me burg nga pushtuesit jugosllavë.

Edhe këta veprimtarë kanë shkruar faqe të lavdishme në veprat e tyre. I përgëzojmë nga zemra dhe urojmë të na dhurojnë edhe vepra të tjera të ardhmen!