Një orë mësimore ndryshe – Magjia e vjeshtës në Shkollën Shqipe

shkruan: Vaxhid Sejdiu

Në “Shkollën Shqipe”, nën udhëheqjen e mësueses Valbona Alili, u zhvillua një orë mësimore e veçantë, kushtuar stinës së vjeshtës. Me dashuri, krijimtari dhe shumë ngjyra, nxënësit sollën para të pranishmëve atmosferën e kësaj stine të mrekullueshme.

Fëmijët, me duart e tyre të vogla dhe zemrat plot gëzim, krijuan çadra prej letrash, reshje shiu e figura të tjera artistike, duke përdorur edhe gjethet e mbledhura së bashku në natyrë. Çdo punim ishte një copëz fantazie, një tregim i vogël që fliste gjuhën e artit dhe të pafajësisë fëminore.

Përveç krijimeve, ata recituan vjersha të bukura dhe mësuan më shumë për ndryshimet që sjell vjeshta – nga rënia e gjetheve, tek ngjyrat e arta që mbulojnë peizazhin. Çdo moment ishte një ndërthurje e mësimit me lojën, e dijes me shpirtin krijues.

Në këtë prezantim spikati pasioni i nxënësve: Eloisa, Ariani, Blearti, Bleroni, Eliza, Loriku, Era, Dielloni, Jona, Juna, Elias, Elina, Ayadi, Ayana, Elsa, Luela, Luisi dhe shumë të tjerë. Me buzëqeshjet e tyre, ata sollën jo vetëm frymën e artit, por edhe dashurinë për gjuhën shqipe, kulturën dhe traditat tona.

Vjeshta, me ngjyrat e saj të ngrohta, u shndërrua në burim frymëzimi. Punimet e fëmijëve na kujtuan se bota është gjithmonë më e bukur kur shihet me sytë e pastër të fëmijërisë.