Takimi me miq e bashkatdhetarë nga shumë vende të botë
Samiti i IV i Diasporës në Tiranë më, 13–15 prill 2026, ishte më shumë se një takim – ishte një rikthim tek rrënjët, një bashkim zemrash dhe mendjesh që vijnë nga katër anët e botës, por që rrahin njësoj për Shqipërinë.

Në këtë ngjarje pata fatin të takoj miq të rinj dhe të takoja përsëri disa të vjetër – njerëz të mirë, të përkushtuar dhe me shpirt të madh. Secili prej tyre kishte bërë rrugë të gjatë, jo vetëm në kilometra, por edhe në përpjekje e sakrifica, për të mbërritur në këtë pikë takimi. Ajo që na bashkonte ishte më e fortë se çdo dallim: dëshira për të bashkëbiseduar, për të ndarë përvoja dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi për të ardhmen.
Mjaft interesante ishin takimet me anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës dhe përfaqësuesit e institucioneve tona, në veçanti me drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe të Qendrës së Botimeve për Diasporën. Biseduam dhe trajtuam tema të ndryshme, duke u frymëzuar me njëri-tjetrin për punë të reja në shërbim të gjuhës shqipe, identitetit dhe kulturës kombëtare.
U takova miqtë e mi, si Mark Gjonaj nga Nju Jorku i SHBA-së, veprimtar i dalluar i cili me punën dhe përkushtimin e tij është bërë shembull në mërgatën shqiptare. Po ashtu, ishte nder i veçantë të takoj yllin e kombëtares shqiptare, legjendën e futbollit Lorik Cana, së bashku me Arbër Agalliun, të cilët me dokumentarin për arbëreshët kanë arritur të na bëjnë për vete dhe të na rikujtojnë rrënjët tona të thella historike.
Gjithashtu, pata kënaqësinë të takoj gazetarin dhe moderatorin e njohur të Deutsche Welle, Bahri Cani. I lindur në Kosovë dhe prej vitesh aktiv në Gjermani, ai është bërë një zë i rëndësishëm i informimit në gjuhën shqipe, duke trajtuar tema politike, sociale dhe zhvillime ndërkombëtare që lidhen me Ballkanin.

Nuk mund të lë pa përmendur edhe mësuesit e përkushtuar nga Zvicra, si Isuf Ismaili dhe Anita Duriçi, si dhe shumë të tjerë, të cilët në vazhdimësi janë aty ku është fjala shqipe dhe flamuri kombëtar.

Një vlerë e veçantë e këtij samiti ishte edhe takimi me Rosario Petta, veprimtar i devotshëm dhe kryetar i bashkisë së Horës së Arbëreshëvet, i cili me punën dhe përkushtimin e tij është një shembull frymëzues i lidhjes së fortë me rrënjët arbëreshe dhe shqiptare.
Po ashtu, një respekt i veçantë shkon edhe për Sezar Jakupi nga Australia, një veprimtar i largët, por shumë i afërt në zemër, i cili së bashku me komunitetin shqiptar në Australi po bën një punë të madhe në shërbim të ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe bashkimit të komunitetit shqiptar atje.
Bisedat tona nuk ishin thjesht formale. Ato ishin të sinqerta, të thella dhe plot ide. Në to ndjehej qartë përgjegjësia që secili prej nesh mbart për komunitetet tona në diasporë dhe për lidhjen që nuk duhet të shkëputet kurrë me atdheun. Ishte frymëzuese të dëgjoje histori suksesi, sfida dhe përkushtim, por mbi të gjitha, ishte e bukur të shihje se sa shumë dashuri për gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar jeton larg kufijve të Shqipërisë.

Patëm rastin e takuam edhe me arbëreshë të tjerë si me Carlo Pellicano, një veprimtar i shquar nga Frasnita, po ashtu edhe me dy veprimtare të shquara: Rosa Carbone e Saverina Bavasso, nga Ungra, me të cilat kuvenduam dhe dhamë mendime e shfaqëm përvoja të rëndësishme, që lidhen zhvillimin e aktiviteteve kulturore e arsimore, por edhe për vazhdimin e këtyre veprimtarive edhe në të ardhmen, për ndihmën që mund ta japim në mënyrë të ndërsjellë.
Këta miq dhe shumë të tjerë nuk ishin thjesht pjesëmarrës në një samit – ata janë ambasadorë të heshtur të kombit tonë, që çdo ditë punojnë për ta mbajtur gjallë shpirtin shqiptar – arbëresh kudo ku jetojnë. Takimi me ta më la një ndjenjë shprese dhe besimi se, pavarësisht largësive, ne dimë të bëhemi bashkë kur ka qëllime të mëdha.

Nga Tirana u largova me më shumë se kujtime. U largova me miqësi të reja, me ide të reja dhe me një energji të re për të vazhduar punën tonë në shërbim të diasporës dhe të kombit, sepse në fund, ajo që na bashkoi në këtë samit ishte e thjeshtë dhe e fuqishme: dëshira për t’u takuar, për të bashkëbiseduar dhe për të ecur përpara së bashku.










