Ditë më parë doli edhe numri i shtatë i revistës “Bashkimi” në Uster të Zvicrës, e cila si në çdo numër sjell risi dhe freski nga aktivitetet e ndryshme në kuadër të Shoqatës dhe rreth saj.
Në 28 faqet, takohemi me anëtarët e Shoqatës dhe miqtë e saj, të cilët mbajnë gjallë aktivitetin dhe emrin e Shoqatës “Bashkimi” ndër vite. Shfletime nga arkivi i Shoqatës, intervista me anëtarët e saj, takime dhe angazhime në kuadër të punës së përditshme etj. Në revistë do të gjejmë dhe materiale dokumentare për Qendrën e kulturës në Uster si dhe prezantime të qyteteve shqiptare. Kësaj radhe i bëhet një prezantim qytetit të Korçës, si një nga qendrat më të rëndësishme kulturore në Shqipëri.

Numri i shtatë i revistës “Bashkimi”, revistë e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Bashkimi” në Uster të Zvicrës
Në rubrikën “Personalitete shqiptare”, kësaj radhe lexuesi ka mundësinë të njihet nga afër me njërin nga prozatorët më të shquar shqiptar Mitrush Kutelin, me jetën dhe krijimtarinë e tij, kurse në rubrikën e krijimtarisë artistike, lexuesi ka mundësi të lexoj një fragment nga romani më i ri shkrimtarit Muharrem Blakaj “ Vitet e brishta”.
Në revistë, si zakonisht i kushtohet një rëndësi të veçantë edhe shkollës shqipe, hapjes së shkollave shqipe në Kantonin e Cyrihut dhe më gjerë në Zvicër si dhe aktiviteteve të saj. Vlen të përmendet organizimi i mësimit online me nxënësit e shkollave shqipe në Kantonin e Cyrihut, ku gjatë masave të pandemisë dhjetor 2020- mars 2021 mësimi ishte pezulluar nga objektet shkollore. Në faqet 18 – 19 kemi klasat në Regensdorf dhe Volketswil gjatë një ore mësimore.

Në foto, nxënës të shkollave shqipe, të cilët me recitimet, me këngët për atdheun, flamurin, dëshmorët, 17 Shkurtin, Adem Jasharin, Shqipërinë, të bëjnë për vete.