Isuf Ismaili: Gjuha shqipe i bashkoi nxënës e mësimdhënës  e bashkatdhetarë në Shqipëri

Kanë kaluar disa ditë nga përfundimi i një vizite të mrekullueshme në Shqipëri nga nxënësit e mësimdhënësit shqiptarë të “Shkollës Shqipe” në Zvicër.

Nxënësit shqiptarë dhe mësuesit e “Shkollës Shqipe” të udhëhequr nga koordinatori , njëkohësisht edhe anëtari i KKD -së, (Këshilli Koordinues i Diasporës) mësimdhënës i shquar dhe organizator i përkryer prof. dr. Vaxhid Sejdiu më, 5 korrik 2025 u nisën nga aeroporti i Cyrihut për në Tiranë, të ftuar dhe të mbështetur përzemërsisht nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, të Republikës së Shqipërisë, nga zëvendësministre, znj. Silda Anagnosti dhe Agjencia Kombëtare e Diasporës, përfaqësuar nga  Drejtoresha Ermenela Xhafa; gjithashtu në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, konkretisht nga ministrja znj. Ogerta Manastirliu dhe Qendra e Botimeve për Diasporën, përfaqësuar nga drejtoresha znj. Mimoza Hysa.

Lidhjet e shkëlqyera  gjuhësore, të botëkuptimeve shpirtërore në përbashkësinë e shqiptarësisë sonë, jo vetëm krijojnë, drejtojnë kahet e shëndosha të veprimtarive, por edhe ndërtojnë një bazë të shëndoshë të ardhmërisë e të sigurisë sonë nga brezat e sotëm te brezat e rinj. Kështu merr drejtim edhe një zhvillim i përsosur i kulturës dhe mentalitetit sa njerëzor po aq edhe atdhetar.

Në ketë drejtim u përqendrua e gjithë veprimtaria dhe vizita dhjetë ditore në Shqipëri e nxënësve dhe mësimdhënësve shqiptarë që rrojnë në Zvicër

Në rrethana të tilla, mërgimtaret e ndërgjegjshëm, kur arrijnë në tokën mëmë, kanë një hare e madhe, kështu ata ndjehen aq të lumtur shpirtërisht sa iu duket sikur nuk ecin, por fluturojnë në viset e atdheut, në vendet e të bëmave të krenarisë ilire-arbëreshe-shqiptare.

O sa ndryshe ndjehet fryma kur je në Shqipëri! Atje, edhe ajri ka një aromë tjetër – një përzierje malli, sakrifice dhe krenarie. Nxënësit shqiptarë që morën pjesë në këto veprimtari janë të lindur në perëndim, por të rritur me zemrën te rrënjët tona – në tokën e shqiponjave.

Këta fëmijë që jetojnë larg, ndoshta nuk e dinë akoma plotësisht, por në atë tokë që shkelën, çdo hap është i shenjtë, sepse është e mbushur me gjak e sakrifica, me rrëfime heronjsh e dëshmorësh, burrash e grash që vdiqën për të na dhënë neve të drejtën të quhemi shqiptarë.

Në tokën e heronjve dhe dëshmorëve të kombit, fëmijët e mësimdhënësit e tyre në mërgatë morën frymë thellë me ndjenjën se kjo tokë është burim force për të ruajtur gjallë identitetin shqiptar, në çdo cep të botës ku jetojmë. Kjo vizitë nuk ishte thjesht një projekt arsimor, por një akt atdhedashurie, një angazhim i sinqertë për të mos harruar kush jemi dhe nga vijmë.

Ne kemi nevojë të madhe të marrim krah e forcë nga toka e heronjve e dëshmorëve të atdheut për të orientuar veprimtarinë e për të mbajtura të ngrohta rrënjët tona, që ato të japin jetësinë e vazhdimësisë shqiptare.

Vizita e nxënësve e mësimdhënësve shqiptarë nga Zvicra, mori, pikërisht drejtimin e cekur më sipër, ndaj ndjehemi krenarë që nga institucionet shqiptare u krijuan rrethanat kaq të mira, të shkëlqyera për t’i dhënë jetë këtyre qëllimeve e lidhjeve mbarëshqiptare.

Në aeroportin e Tiranës

Pas një udhëtimi të gjatë, edhe pse të lodhur, por të mbushur me emocione e me kënaqësi, nxënësit e mësimdhënësit shqiptarë arritën në aeroportin e Tiranës. Kishin dalë në kohën e caktuar Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare për Diasporën Ermonela Xhafa, së bashku me bashkëpunëtoren e saj Mirela Thanasi. Pas përqafimeve e fjalëve të ngrohta, duke u futur në autobus, zonja Ermonela, ka thënë:

  • Ju keni fatin e madh që udhëhiqeni nga profesori më i mirë që kemi, nga njeriu që punon e vepron me kaq përkushtim e profesionalizëm, nga prof. Vaxhidi.

Profesor Vaxhidin e karakterizon një gjallëri e paparë e shumë e adhuruar, qoftë në takime zyrtare, qoftë në takime shoqërore, qoftë me nxënësit e mësimdhënësit, qoftë edhe në tribuna shkencore e në manifestime kulturore e atdhetare, me të është kënaqësi të jesh, të udhëtosh, të veprosh. Ai nuk e ka hijen e rendë, por e ka dashurinë e respektin me të gjithë, qofshin këta: bashkëpunëtorë, kolegë, nxënës, miq e dashamirë, nuk e mban veten aspak për të madh, por është këmbëngulës, i përkushtuar, i përpiktë në punën me nxënës, në arsim, në shkencë, në letërsi, në takimet e nevojshme e kudo e merr barrën më të madhe në supet e tija, i ndihmon pa u kursyer kolegët, nxënësit, shokët, miqtë.

Është orator i shkëlqyer e me dije enciklopedike, me atë dashamirësinë e tij të madhe, hap dyert ngado. Puna dhe veprimtaria e tij daton herët që kur ka qenë në bankat e shkollës në Kumanovë e në auditorët e universititet në Prishtinë, po kështu edhe  në Zvicër e kudo, ai pa hezitim e me përkushtim të madh ka ngarendur nëpër vende të ndryshme me flamurin e gjuhës e kulturës shqiptare dhe ka qenë ngaherë, por edhe është shembulli më i mirë i mësimdhënësit të dashur, por edhe i veprimtarit të shquar, kështu e gjithë historia e tij është plot sakrifica e mundime, por e kurorëzuar përherë me suksese, ngase përveç përkushtimit e respektit, dashurisë e emocioneve atdhetare e kulturore atë e karakterizon, puna e veprimtaria sistematike e përpiktë, prore korrekte.

Plotë gjallëri edhe atë natë ka shpjeguar për udhëtimet dhe veprimtaritë me arbëreshët, në shkollat e në disa qendra arbëreshe me vëllezërit e motrat arbëreshë.

Kështu autobusi ka mbërritur në Tiranë, pranë hotelit, pas orës 02:00 të natës. . Ashtu të lodhur janë ulur nxënësit e mësimdhënësit, edhe pse darka kishte mbaruar, ata kishin harruar edhe lodhjen, kur papritmas ka arritur drejtoreshë Ermonela me bashkëshortin e saj, duke sjellë ushqime e pije të shumta.

Në Tiranë

Pasi vendosen nxënësit e mësimdhënësit në hotel, në mëngjes arrijnë bashkëpunëtoret e zonjës Mimoza Hysa, të cilat janë edhe mësuese të gjuhës e letërsisë si Eva dhe Fabjola. Kështu filloi edhe mësimi në shkollën verore: “Jam Shqiptar” për fëmijët shqiptarë të diasporës.

Shrime, analiza e përshtypje të tjera do të ketë në vazhdim.