Hapet pika e re e shkollës shqipe në Widnau, në kantonin e St. Gallen

Nxënësit e “Shkollës Shqipe” në Widnau të kantonit të St. Galen së bashku me mësuesen Njomza Maliqi
Në Widnau të Kantonit të St. Gallenit u hap zyrtarisht pika e re e shkollës shqipe e cila u krijua pas një angazhimi të gjatë dhe përpjekjesh të vazhdueshme. Kjo pikë i shtohet rrjetit të dhjetëra shkollave shqipe që veprojnë në kantonin e St. Gallen nën kujdesin e LAPSH “Naim Frashëri”, ku tani më kemi disa pika shkollore si në Rebstein, Buchs SG, Trübach, Mels, Flums, Grabs, Oberriet, St. Gallen, Rorschach, Niederuzwil, Gossau , Rapperswil – Jona, Uznach etj.
Në javën e parë, klasës së gjuhës shqipe në Widnau iu bashkuan nxënësit Ajana, Liana, Jerina, Aulona, Leona, Lorenti, Shpati dhe Luani, të cilët me gëzim dhe emocion nisën udhëtimin e tyre për mësimin e gjuhës amtare. Bashkë me ta, edhe prindërit e shprehën mirënjohjen për hapjen e kësaj klase dhe apeluan që edhe familjet e tjera shqiptare të orientonin fëmijët e tyre drejt shkollës shqipe, duke theksuar rëndësinë e gjuhës amtare në ruajtjen e identitetit kombëtar.
Mësimin në këtë klasë e udhëheq mësuesja Njomza Maliqi, e cila shprehu kënaqësinë për t’u bërë pjesë e këtij rrjeti arsimor. Ajo u shpreh:
“Gjuha amtare është ura më e fortë që i lidh fëmijët me rrënjët e tyre. Ne kemi detyrimin që kjo urë të mos thyhet kurrë.”
Në realizimin e këtij projekti një rol të veçantë pati z. Vaxhid Sejdiu, bashkëkryetar i shkollave shqipe – LAPSH “Naim Frashëri” në Zvicër, i cili dha kontribut të çmuar për hapjen dhe organizimin e kësaj pike të re mësimore. Ai theksoi:
“Të humbasësh gjuhën amtare do të thotë të humbasësh një pjesë të shpirtit. Me hapjen e kësaj shkolle ne po mbrojmë shpirtin tonë kombëtar.”
Kjo nismë përbën një hap të rëndësishëm në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar tek brezat e rinj në diasporë. Siç shprehej edhe rilindësi i madh Naim Frashëri:
“Gjuha është themeli i një kombi. Po ta humbim gjuhën, humbim edhe kombin.”

Dhe fare në fund mund të shtojmë ejani nxënës të dashur se mësimi në gjuhën shqipe në Widnau të Kantonit të St. Gallenit po ju pret. Mësimi zhvillohet çdo të marte nga ora 16:30 -18:30 në shkollën “Schulhaus Gässeli” në Widnau
Sektori për informim










