Isuf Ismaili: Poema ”Nënë Shqipëri” e Dritëroit është prush i pashuar atdhetarizmi
Vështrim letrar për poemën:“Nënë Shqipëri” të Dritëro Agollit
Në letërsinë shqiptare ka emra të shquar, të cilët jo vetëm kanë shkruar vepra letrare e artistike të shkëlqyera, qoftë në prozë, qoftë në poezi, por edhe kanë shkëlqyer në rrugën e vështirë jetësore për t’i mishëruar vetitë njerëzore, idealet patriotike, shoqërore me veprën e tyre që flet e nuk shuhet kurrë.
Krahas Naim Frashërit, bilbilit të gjuhës shqipe, qëndron edhe poeti, tregimtari, novelisti, romansieri, dramaturgu, publicisti, njeriu i devotshëm dhe i madhërishëm, që shkëlqen me veprën e tij të tërësishme letrare, artistike e atdhetare, shoqërore, politike dhe njerëzore – Dritëro Agolli.
Naim Frashëri, veç të tjerave, qëndron lapidar në kurorën e letërsisë shqipe dhe të atdhetarizmit shqiptar edhe me vargjet: ”Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqiptar”, po kështu edhe Dritëro Agolli, veç të tjerave qëndron si një lapidar tjetër me poemën e tij : “Nënë Shqipëri”, poemë kjo sa letrare aq edhe atdhetare e ndërthurur me tiparet e veçanta të brumit e ndërgjegjes shqiptare dhe me vetitë më të mira njerëzore njëkohësisht.
Në këtë poemë Dritëro Agolli ka mbledhur prushin e dashurisë atdhetare, për të ndezur flakë zemrat e lexuesit shqiptar, si shkëlqim dashurie e dinjiteti për Nënë Shqipërinë. Ai me fjalën e kulluar të gurrës shqiptare, na ka dhënë një pasuri të madhe, të pazëvendësueshme për shpirtin atdhetar.
I ndjeshëm me aromën e tokës, të bimëve, me aromën e barit të kositur, me lulet e pemëve, me erën e maleve, me kënaqësinë e blegërimave të bagëtive, me aromën e odës shqiptare, me kënaqësinë e të shijuarit të rakisë, të ujit dhe bisedave me bashkëfshatarët dhe bashkatdhetarët të tjerë, me hapin e çliruar, duke peshuar lirisht këmba në atdhe, me bukurinë e ndërtimit të jetës edhe në qytete, me sakrificat dhe kënaqësinë e jetës kudo në atdhe, ai na e ka porositur që dashuria ndaj Atdheut dhe njerëzimit t`i tejkalojë të gjitha dashuritë.
Profesor Agim Vinca, studiues, poet, kritik letrar, publicist e pedagog, ndër të tjera në librin e tij: “Orët e poezisë” të botuar në Prishtinë më 1990, në studimin e titulluar: “Dritëro Agolli ose bukuria e thjeshtësisë” thotë se Dritëro Agolli “ është poeti ynë më fshatar dhe më shqiptar, nëse mund të themi kështu, ndonëse ai është njëkohësisht poet me kulturë e horizont të gjerë, madje njëri ndër poetët tanë më të kulturuar…”
Dritëro Agolli kur e shkroi poemën: “Devoll, Devoll” duke shprehur dashurinë e respektin e tij për vendin e tij të lindjes, thotë se baltën e Devollit e kishte çuar në: “Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve”. Ai edhe në biseda të shumta, vendin e tij të lindjes e thekson me një krenari dhe se përjetimet në Menkulas, në Devoll, e ndjekin pas kudo.
Vargu i tij poetik është shprehur me kthjelltësinë e thjeshtësisë e të mprehtësisë së mençurisë shqiptare, me një logjikë të shëndoshë ndërthurjesh artistike, më një bukuri të këndshme përthithet, përvetësohet, shijohet si uji i krojeve që buron nga rrënjët e ahut. Vargu i tij është plot humor, plot dashuri, plot tipare njerëzore. Agolli në një artikull ka theksuar: “Poezia si çdo art tjetër, duhet t`u flasë zemrave dhe të bëhet e nevojshme si ajri, uji dhe buka”
Padyshim, ai që ka lexuar dhe ka mësuar nga vepra e Dritëroit ka marrë ushqimin më të shëndetshëm shqiptar e njerëzor njëkohësisht, freskohet e këndellet me porositë atdhetare e me bukurinë letrare e artistike.
Poeti i letërsisë sonë, Llazar Siliqi thekson për Dritëro Agollin, se ai si poet “ka trashëguar në mënyrë krijuese gjerësinë e vargut naimian, mprehtësinë dhe forcën e vargut nolian, vargun e lehtë e plot humor të Çajupit”
( Llazar Siliqi, për librin e Dritëro Agoillit: “Kur fjala gdhend gurin” )
Dritëro Agolli duke shkruar për nënë Shqipërinë ka shprehur në mënyrën më të natyrshme dashurinë për të.
“Mendimet e mia më mblidhen si bletët rreth nënës,
Nënë Shqipëri, nënë Shqipëri!”
Ai duke evokuar historinë, luftërat, përpjekjet e popullit shqiptar, të Shqipërisë për të mbijetuar, për të gjallëruar, për të trashëguar bijtë e saj e duke i identifikuar dëshmorët e heronjtë dhe njerëzit e devotshëm shqiptarë me Shqipërinë, shpërthejnë vargjet e fuqishme artistike që kanë simbolikën e veçantë letrare dhe na thotë:
“Duart tua që u regjën nga puna
Dhe gishtërinjtë që zunë kallo nga këmbëzat e dyfekëve,
Dhe mesin që u hollua nga gjerdanët e fishekëve,
Dhe ballin që u rrudh dhe u lërua nga mendimi,
Dhe beben e syrit që u mpreh nga shënjestra,
Dhe këmbët që u zmadhuan nga ecja e mundimi,
Dhe qerpikët që dogjën nga baruti në shkrepa.”
Vetëm nga këto vargje mund të dalë një studim i mirë letrar, edhe pse fjalët na duken të thjeshta, ato janë brumë, i tëri artistik dhe fuqi e thellë patriotike.
Por le të vazhdojmë më tutje. Më vonë mbase një punim tjetër, do të zgjerojmë vështrimin për këto vlera që u cekën më sipër edhe për të tjera vlera të Dritëroit tonë. Tashti të mrekullohemi me vargjet e bukura dhe përshkrimin e birit të devotshëm të nënë Shqipërisë:
“Qëndroj para teje,
Ja tek më ke,
Në krahët e tua,
Mua,
Birin tënd, shëmbëllimin e qenies tënde,
Atë që tha sa hapi sytë
Në djep:
“Të dua”
Dhe fjalën e peshës së rëndë e ruajtën malet e rëndë.”
Kjo është ajo dashuria mbi të gjitha dashuritë, që duhet të na frymëzojë të gjithë ne si shqiptarë.
“Më thonë se shëmbëllej me ty këmbë e kokë,/Doemos,/Të kam nënë!/
Jam karakteri yt në shpirt e në ngjyrë,/Më njohin në çdo kënd të kontinenteve,/Më njohin në këngë,/Në ecje,/Në fytyrë;”
Kur poeti, shkrimtari e gdhend mirë fjalën, kur ajo i flet zemrës, siç e ka thënë Dritëroi, ajo bëhet aq e afërt, aq shpirtërore sa nuk ka asgjë që mund ta shqitë lexuesin nga një krijimtari e tillë. Prandaj lirisht mund të thuhet, se në tërësi vepra e tij është pasuria më madhe e letërsisë së sotme shqipe, që e ka bërë lexuesin e ndërgjegjshëm shqiptar të mos shqitet nga krijimtaria e këtij shkrimtari, i cili është padyshim bir i denjë i nënë Shqipërisë.
Në poemën: “Nënë Shqipëri”, poeti ka arritur të na paraqesë historinë shqiptare me ndjeshmërinë e fjalës artistike, aq sa ka mundësi të thuhen gjërat në kuptimin letrar. Na flet për Krujën e dhe Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, për Mesjetën, për Rilindjen Kombëtare, për Naimin, për copëtimin e Shqipërisë, pushtimin e disa pjesëve të saj nga serbët, nga maqedonasit, malazezët e grekët. Na flet për Kongresin e Berlinit , Traktatin e Londrës që i ndanë tokat shqiptare, na flet për trimat, dëshmorët e heronjtë si: Rrapo Hekali, Bajram Curri, Selam Musai, etj. , na flet për partizanin shqiptar që çliroi Shqipërinë, për ndërtimin e Republikës së Shqipërisë, për zhvillimin e përparimin e saj, për fshatarin e qytetarin shqiptar në atë pjesë të Atdheu që u bë zot në vendin e tij, që u arsimua etj.
“Nënë./ S`jam gëzuar veç paqen e thjeshtë të maleve,/S`jam gëzuar veç me luftën që zboi të huajt dhe solli lirinë,/ Gëzohem për shembjen e botës së halleve,/Gëzohem për shembjen e shtypjes së njeriut mbi njeriun.”
Dritëro Agolli na ka dhuruar pasurinë letrare- artistike të mendjes së tij të ndritur dhe na ka frymëzuar për një Shqipëri të bashkuar, për ta zhvilluar e përparuar dhe për t`iu përkushtuar asaj tërësisht, për të sakrifikuar e mbrojtur me të gjithë qenien tonë për të ruajtur në zemër dashurinë për atë, të freskët dhe mbi të gjitha dashuritë të tjera.
Literatura:
Dritëro Agolli, poema: ”Nënë Shqipëri” botuar në Tiranë, 1975
Razi Brahimi: “Parathënie” poema: “Nënë Shqipëri”, 1975
Dritëro Agolli, libri poetik “Fjala gdhend gurin” Tiranë, 1977
Historia e Letërsisë Shqiptare, pjesa e dytë, Tiranë, 1977
Naim Frashëri, poema: “Bagëti e bujqësia” Tiranë, 1995Agim Vinca, vepra: “Orët e poezisë”, botuar në Prishtinë 1990
Historia e Letërsisë Shqiptare, pjesa e parë, Tiranë,1983
Shënime të shkurtëra nga RKL për jetën e veprën e shkritarit të shquar e potit mendjendritur DRITËRO AGOLLI
Të dhëna të shkurtëra jetëshkruese të Dritëro Agollit : (Këto të dhëna janë marrë nga Kalendari i RADIOS KOSOVA E LIRË”
“”Më 13 tetor të vitit 1931, lindi Dritëro Agolli. në Menkulas të Rrethit të Devollit afër Korçës dhe u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 në Tiranë. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Ai vazhdoi studimet e tij në Falkutetin e Arteve në Shën Petersburg. Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës së madhe. Dritëro Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet ’60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sido që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për “rreptësinë” e poezisë. Më shumë përvoja e tij krijuese, se traktatet teorike, bëri që të ndryshohej rrënjësisht tradita e vjershërimit shqip. Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Vdiq më 3 shkurt të vitit 2017.”