Shkolla Shqipe hap një klasë në Buchrein të Zvicrës
Shkollave shqipe në Zvicër, tanimë u shtohet edhe një klasë e re në gjuhën shqipe, klasa në Buchrein të kantonit të Lucernit
Shkruan: Lumnije Klinaku – Neziri
Shkollat shqipe gjithnjë e më shumë po e përhapin dritën e diturisë në mendjet dhe shpirtrat e nxënësve shqiptarë në vendbanimet e Zvicrës. Kështu, vazhdimisht lexojmë lajme për hapjen e klasave në gjuhën shqipe në mbarë Zvicrën. Nga java në javë, nga njëri kanton në tjetrin kanton të Zvicrës, mërgimtarët shqiptarë njoftohen e gëzojnë për njoftimet kur hapen pikat e reja shkollore, të cilat janë bërë kryefjalë e jetës së tyre. Duke i falënderuar njerëzit e përkushtuar, shkolla shqipe po përhapet gjithandej. Kështu themi se gjuha jonë e bukur tanimë e ka marrë një udhë të mbarë, pikërisht, nga fëmijët shqiptarë, të cilët e shqiptojnë ëmbël atë, edhe pse kanë lindur dhe po rriten larg Atdheut.
Një lajm shumë i mirë është edhe ky për hapjen e një klase të re në gjuhën shqipe, në Buchrhein të kantonit te Lucernit.
Të hënën me 14.4.2025 në shkollën HLB (Hinterleissbach) në klasën me 12 fëmijë, filloi ora e parë në gjuhën shqipe. Prindër , fëmijë e mësues së bashku kaluan një pasdite qe do t`u mbetet gjithmonë në kujtesë. Pasi u hap kjo klasë në Buchrein u ngjallën emocione të forta, sidomos nga prindërit që punuan shumë, për këtë sukses. Ata janë mirënjohës për veprimtarinë e mësimdhënësve të Shkollës Shqipe në Zvicër, në të cilët po punojnë me përkushtim, që fëmijëve në Zvicër t`iu ofrohet mundësia e mësimit të gjuhës së nënës në shkollën, që ata ndjekin mësimet e rregullta.
Ora iku shumë shpejt, meqë edhe fëmijët janë ata të cilët kontribuan, që gjithçka të ngjante me një klasë si në vendlindje, si një orë mësimi kudo në Shqipërinë tonë. Dikush një vjershë, dikush një këngë, dikush një përgjigje të pastër shqipe, dikush një përshëndetje të ëmbël, ndaj për një çast harruan se janë diku larg, në një vend ku flitet gjuhë tjetër. Prindërit ishin aty gjatë gjithë orës, ku përveç kënaqësisë e gëzimit që përjetuan, ata u interesuan edhe për detajet tjera të funksionimit të klasës së re. Mësuesja Lumnije Klinaku – Neziri ua dha informacionet e duhura, ua sqaroi rrugën se si vihet deri te hapja e një klase, se si bëhen punët administrative që duhen bërë. Kur jemi te kjo pikë e ndërlidhjes, si më lartë, ajo e falënderoi z. Vaxhid Sejdiu për ndihmesën që e dha.
Në këtë vijimësi të dy palët (mësimdhënës e prindër) u zotuan për bashkëpunimin e mëtutjeshëm për hapjen e të klasave të reja në kantonin e Lucernit. Pastaj ajo i njoftoi me mësuesen e re Festina Bërdynaj që do ta mbajë mësimin në këtë klasë. Mësuese Festina u prezantua dhe u zotua se do të punojë me përkushtim me fëmijët e tyre.
Të lumtur u përshëndetëm, për të vazhduar mësimin pas pushimeve pranverore.
Orari i mësimit për këtë vit shkollor 2024/25, pra deri në muajin korrik është ditën e hënë, nga ora 17.30- 19.15
Pushime të këndshme nxënës të dashur!
Suksese mësuese Festina!
Ne pjesëtarët e “Shkollës Shqipe” gëzohemi pamasë kur hapen klasat shkollore në gjuhën shqipe, siç gëzon njeriu për rrezet e diellit.