NXËNËSIT E SHKOLLAVE SHQIPE – SHPRESA E SË ARDHMES SË GJUHËS SHQIPE NË MËRGATË

Pjesëmarrja e nxënësve të “Shkollës Shqipe” në Zvicër në Akademinë Përkujtimore kushtuar Heroit të Kombit Abedin Rexha – Sandokani
Nxënësit e shkollave shqipe në mërgatë janë vetë shpresa e së ardhmes së gjuhës sonë amtare, janë ata që garantojnë vazhdimësinë e saj dhe ruajtjen e identitetit tonë kombëtar ndër breza. Sa herë që i shohim të ulur në bankat shkollore, duke mësuar shkronjat e alfabetit shqip, sa herë që i shohim në aktivitete kulturore, shkollore e manifestime kombëtare, zemra na bëhet mal dhe krenaria jonë për ta është e pafund.
Ata janë dëshmia më e bukur se gjuha shqipe jeton dhe do të vazhdojë të jetojë edhe larg trojeve shqiptare. Janë ura që lidhin të kaluarën me të ardhmen, vendlindjen e prindërve me vendin ku po rriten dhe trashëgiminë tonë kombëtare me brezat që vijnë.
Edhe kësaj radhe, në Akademinë Përkujtimore kushtuar Heroit të Kombit Abedin Rexha – Sandokani, njërit prej emrave të nderuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk munguan nxënësit e “Shkollës Shqipe” – LAPSh “Naim Frashëri” në Zvicër.

Në mesin e pjesëmarrësve të shumtë, ata sollën zërin e brezit të ri shqiptar që rritet në mërgim, por që në zemër ruan dashurinë për gjuhën, flamurin, historinë dhe atdheun e të parëve.
Nën drejtimin e mësuesit Dr. Vaxhid Sejdiu, nxënësit e Shkollës Shqipe në Zvicër e pasuruan programin artistik të kësaj akademie me poezi dhe këngë atdhetare.
Rina Shabani, nxënëse e “Shkollës Shqipe” në Volketswil të Cyrihut, recitoi poezinë “Rroftë Ushtria Çlirimtare”, duke përcjellë me vargjet e saj ndjenja krenarie, atdhedashurie dhe mirënjohjeje për luftëtarët që sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës.

Tana Limoni, po ashtu nxënëse e “Shkollës Shqipe” në Neuenhof, interpretoi këngën e njohur atdhetare “Në grykë të Kaçanikut”, duke sjellë para të pranishmëve emocionet e fuqishme të këngës shqipe dhe frymën e qëndresës sonë kombëtare.

Pjesëmarrja e këtyre dy nxënëseve në një akademi të tillë përkujtimore nuk ishte thjesht një paraqitje artistike. Ajo ishte një dëshmi domethënëse se “Shkolla Shqipe” në mërgatë nuk është vetëm vendi ku mësohet alfabeti, leximi dhe shkrimi, por edhe një vatër e rëndësishme e edukimit kombëtar, e ruajtjes së kujtesës historike dhe e kultivimit të dashurisë për atdheun.
Nëpërmjet poezisë dhe këngës, nxënësit tanë mësojnë të njohin historinë e popullit të tyre, të nderojnë figurat që kontribuuan për lirinë dhe të kuptojnë se identiteti kombëtar është një trashëgimi e çmuar, e cila duhet ruajtur dhe përcjellë nga një brez te tjetri.
Është veçanërisht emocionuese kur fëmijët që kanë lindur dhe po rriten në Zvicër, mijëra kilometra larg vendlindjes së prindërve të tyre, dalin para publikut dhe me krenari recitojnë shqip, këndojnë shqip dhe nderojnë historinë e kombit të tyre.
Kjo është fuqia e “Shkollës Shqipe”! Kjo është vlera e punës së mësuesve, e përkushtimit të prindërve dhe e dashurisë së fëmijëve për gjuhën amtare!
Një falënderim i veçantë u takon nxënëseve Rina Shabani dhe Tana Limoni për paraqitjen e tyre me shumë dinjitet si dhe prindërve të tyre për mbështetjen dhe përkushtimin e vazhdueshëm ndaj shkollës shqipe dhe aktiviteteve kombëtare.
Mirënjohje edhe organizatorëve të Akademisë Përkujtimore për mundësinë që u dhanë nxënësve tanë të bëhen pjesë e këtij aktiviteti me rëndësi historike dhe kombëtare.
Le të mos harrojmë se çdo fëmijë që mëson gjuhën shqipe në mërgatë është një fitore për të ardhmen tonë kombëtare. Çdo fjalë shqipe e mësuar, çdo poezi e recituar dhe çdo këngë atdhetare e kënduar është një hap drejt ruajtjes së gjuhës dhe identitetit tonë.

Kjo është kështu, sepse aty ku fëmijët flasin, mësojnë dhe këndojnë shqip, aty jeton Shqipëria dhe trevat e saj si: Kosova, tokat të tjera shqiptare në Maqedoninë e Veriut, , ato nën Serbinë, Malin e Zi e Greqinë, aty pra jeton edhe shpirti i popullit shqiptar!
Gjuha shqipe është rrënja jonë, “Shkolla Shqipe” është ura jonë, ndërsa nxënësit janë shpresa dhe e ardhmja jonë!
Nga Redaksia “Shkolla Shqipe” – Zvicër










