Shkollave shqipe në Zvicër iu bashkëngjit edhe shkolla shqipe në Egg.
Nga Isuf Ismaili
Vatrat e arsimit dhe kulturës shqiptare janë duke u përhapur kudo në Zvicër, pasi që puna aktiviteti dhe përkushtimi i mësuesve, prindërve e fëmijëve shqiptarë është duke dhënë rezultate të shkëlqyera, gjithnjë duke pasur pikënisjen e mbështetjen dhe organizimin e mirëfilltë që po bën profesor dr. Vaxhid Sejdiu në kuadër të Shkollave Shqipe në Zvicër, të cilat janë duke i përkrahur edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Zvicër, si dhe institucionet arsimore.
Kështu pasi u hapën shumë shkolla, kohët e fundit, si në Regensdorf, në Shkollën “Rüttihof” të qytetit të Cyrihut, por ashtu siç u çel shkolla në Otewil am See, edhe në Egg të Cyrihut, më 22 shtator 2020 u hap shkolla shqipe për nxënësit shqiptarë. Mësimi mbahet ditëve të marta nga ora 16:00 deri në orën 18:00 dhe në këtë pikë shkollore punon mësuesja Albulenë Jusufi.
Natyrisht, gëzimi vihej re që në sytë, fytyrat e gjestet e nxënësve dhe prindërve që i kishin sjellë këta fëmijë në shkollën shqipe.
Kështu sukseset jo vetëm nuk na kanë munguar, por edhe zgjerimi e mbarëvajtja e shkollave shqipe ka ecur e po ecën në një udhëtim të mbarë dhe aktivitete të këtilla do të vazhdojnë me intensitet edhe në javët në vazhdim.
Suksese nxënësve dhe Shkollës shqipe në Egg, të kantonit të Cyrihut.