Shkolla shqipe në diasporë – ura që lidh brezat me gjuhën dhe identitetin kombëtar
Shkruan: Vaxhid Sejdiu
Në një kohë kur proceset e globalizimit ndikojnë fuqishëm në jetën, edukimin dhe formimin e fëmijëve të mërgatës, ruajtja e gjuhës amtare mbetet një nga sfidat më të mëdha, por njëkohësisht edhe një nga misionet më fisnike të komunitetit shqiptar në diasporë. Në këtë kontekst, shkollat shqipe vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e ruajtjes së identitetit kombëtar, gjuhës, kulturës dhe traditave tona.

Manifestimi tradicional i organizuar nga Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) “Naim Frashëri” në Kantonin e Argaut, me rastin e përfundimit të vitit shkollor 2025/2026, ishte një dëshmi e qartë e kësaj pune të pandërprerë. Në një atmosferë festive dhe emocionale u mblodhën nxënës, mësimdhënës, prindër, përfaqësues institucionesh dhe mysafirë nga Zvicra dhe trojet shqiptare, duke reflektuar rëndësinë e madhe që ka shkolla shqipe në jetën e komunitetit tonë.
Manifestimi u hap me interpretimin e Himnit Kombëtar nga nxënësit e shkollave shqipe të kantonit, një moment që ngjalli emocione të veçanta dhe krenari kombëtare te të gjithë të pranishmit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i LAPSH-it për Kantonin e Argaut, z. Riza Demaj, vlerësoi punën e palodhshme të mësuesve, prindërve dhe veprimtarëve që kontribuojnë në ruajtjen dhe zhvillimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Ndërkaq, znj. Besarta Balaj, zyrtare e lartë për mësimin në mërgatë pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës, e cilësoi shkollën shqipe në diasporë si një faktor kyç në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe edukimin e brezave të rinj.
Në fjalën e saj, ajo përgëzoi të gjithë mësuesit për punën e tyre të përkushtuar, veçanërisht ata që ishin të pranishëm me nxënësit e tyre: Qefsere Sejdiu, Vaxhid Sejdiu, Safete Halimi, Halime Vjosa, Vjollca …, Elfete Hysenaj-Gashi, Nuraj Iljasi, Eshtrefe Nuhiji, Sadete …, Zyrafete Muqolli-Aliu dhe Ardita Abazi, duke vlerësuar lart angazhimin e tyre të vazhdueshëm në edukimin gjuhësor dhe kulturor të fëmijëve shqiptarë në diasporë.

Peshë të veçantë institucionale manifestimit i dha edhe pjesëmarrja e përfaqësuesve diplomatikë shqiptarë. Të pranishëm ishin znj. Monika Zguro, përfaqësuese e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Zvicër, si dhe z. Avni Zejnullahu, zëvendëskonsull i Republikës së Kosovës në Zvicër. Në emër të trupit diplomatik, znj. Zguro vlerësoi lart punën e mësuesve dhe prindërve shqiptarë për angazhimin e tyre të vazhdueshëm gjatë gjithë vitit shkollor, me qëllim që fëmijët të mësojnë, të flasin dhe të ruajnë gjuhën amtare.
Ajo përgëzoi veprimtarët Riza Demaj dhe Vaxhid Sejdiu për përkushtimin e tyre në zgjerimin e rrjetit të shkollave shqipe, duke theksuar se hapja e pikave të reja shkollore gjatë këtij viti është dëshmi e një vizioni të qartë dhe e një pune të organizuar për të ardhmen e gjuhës shqipe në diasporë.
Pjesa artistike e manifestimit përbënte kulmin e kësaj feste shkollore. Nxënësit e të gjitha shkollave shqipe të kantonit të Argaut prezantuan me krenari recitime, këngë dhe valle kushtuar gjuhës shqipe, flamurit kombëtar, historisë sonë, lirisë dhe atdheut. Programi u hap me interpretimin mbresëlënës të nxënëseve të Shkollës Shqipe në Neuenhof, Lira Zuka dhe Arnela Halimi, të cilat me këngën “Flasin shqip tingujt e zemrës” emocionuan dhe duartrokitën publikun e pranishëm.

Një moment veçanërisht emocionues ishte ndarja e certifikatave për semi-maturantët që kanë përfunduar me sukses programin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. LAPSH-i i Kantonit të Argaut i vlerësoi nxënësit për përkushtimin, suksesin dhe vijueshmërinë e tyre ndër vite, ndërsa Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës, përmes znj. Besarta Balaj, i nderoi nxënësit shembullorë me libra si shenjë mirënjohjeje për arritjet dhe angazhimin e tyre.
Me certifikata u nderuan shumë nxënës të dalluar nga mësues të ndryshëm, ndër ta: Ajla Sulejmani dhe Era Kelmendi (Qefsere Sejdiu); Shera Dakaj, Sara Zymeri, Lorena Rrafshi, Leon Hoxhaj dhe Loresa Hoxhaj (Vaxhid Sejdiu); Dioreta Fazliaj, Ardona Elezaj, Lina Muharremaj dhe Doresa Fazliaj (Ardita Abazi); Yllka Balaj, Luana Salihu dhe Kanina Zajmi (Elfete Hysenaj-Gashi); Esma Iljasi, Laila Ibrahimi, Amra Ibrahimi, Ailinda Canaj, Fatime Abdiji, Harun Amiti, Ayla Amiti, Eldion Bytyqi dhe Leon Dilla (Nuraj Iljasi); Diar Shala, Anik Rama dhe Aron Cerimi (Eshtrefe Nuhiji); si dhe Aulon Isufi, Amelia Sylejmani dhe Arbër Rexhepi (Zyrafete Muqolli-Aliu).
Manifestimi përfundoi me mesazhe falënderimi dhe urime për pushime të mbara verore, ndërsa organizatorët shprehën bindjen se edhe në vitin e ardhshëm shkollor do të vazhdojë puna për zgjerimin e rrjetit të shkollave shqipe dhe përfshirjen e sa më shumë fëmijëve në mësimin plotësues në gjuhën amtare.

Ky manifestim dëshmoi edhe një herë se shkolla shqipe në diasporë nuk është vetëm një institucion arsimor, por një vatër e gjallë e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar. Ajo mbetet ura më e fortë që lidh brezat e rinj me rrënjët e tyre shqiptare dhe garancia më e sigurt për vazhdimësinë e identitetit tonë kombëtar kudo ku jetojnë shqiptarë










