VOREA UJKO (POET ARBËRESH)

HAPMA DERËN, ZONJA MËMË

Edhe sivjet, moj nënë,

nga mërgimi i shkretë,

më dogji malli për ty.

Unë e di që ti e pritje,

birin tënd të largët,

e qave fshehurazi,

kur s’pate mundësi ta përqafoje.

Ndjemë, o e paharruara,

mos qaj pse mjafton sa qave

për bijtë gjatë shekujve.

Tashti duhet të jesh e lumtur.

Ti e di nënë Shqipëri,

që unë s’kam faj,

nëse jetoj larg teje,

ashtu ka qenë fati i shkretë,

e është kot t’i kujtojmë hallet.

Erërat kanë fryrë mbi mua,

dëborërat kanë rënë mbi mua

si edhe mbi kokën tënde,

por mes erërave e dëborërave

fytyra jote e largët

më forcoi e ngushëlloi.

Ti paske qenë dhurata

që nuk e bleva në pazaret

por më vinte nga gjaku,

gjithmonë e kërkuar

te vorbulla e jetës endacake.

U krenova me legjendat e tua,

dashurova me fjalët e tua,

qava me vajtimet e tua.

E tash në buzë të së kaluarës e së ardhmes

i drejtoj ende sytë nga ti

e prej së largu ndjek emrin tënd

dhe orvatem ta mbaj lart.

Lëri dyshimet e mos mendo

që unë do të doja të kisha

një pretendim të padrejtë privilegji,

unë do të doja vetëm të isha

biri yt si të tjerët.

Ashtu unë e di

e i ardhur nga lufta e jetës

unë i bie derës sate:

hapma derën, zonja mëmë,

se yt bir jam unë, o nënë!

 

  • Fjalë e shprehje (shpjegime):

E dogji malli – e bëri të brengoset e të vuajë shumë.

Vorbulla e jetës – vala e rrëmbyeshme, që e merr me vete gjatë jetës së mbushur me përpjekje, gëzime e hidhërime.

 

VOREA UJKO

1918 – 1989

(Jetëshkrim i shkurtër)

Vora Ujko është poet arbëresh. Ai përmes vargjeve të tij ai ka shprehur mallin e dashurisë së zjarrtë për Atdheun, për Shqipërinë – Arbërinë, kudo ku rrojnë shqipet arbërore, në trevat e sotme shqiptare dhe në ngulimet arbëreshe në Kalabri, në Sicili, në Arbnesh të Zarës, në Argjentinë e gjetiu.

Ai u lind në Frashnitë, një katund arbëresh, në Kalabri, më 1918. Vorea Ujko është pseudonim letrar i Domeniko Belicit. Ai i kreu studimet e larta filozofike – teologjike dhe gjatë gjithë jetës ka shërbyer si prift i katundit. Që i vogël u ushqye me këngët e popullit dhe me këto këngë donte të ishte vore, d.m.th., erë e fuqishme dhe ujk malesh, d.m.th., njeri që nuk i trembej asgjëje. Kështu, ai me këto dy fjalë, krijoi pseudonimin e tij si krijues letrar.

Veprat e tij kryesore letrare, që i ka botuar janë: “Zgjimet e gjakut” (1971), “Kosovë” (1973), “Mote moderne” (1976), “Ankth” (1978), “Stinët e mia” (1980).

Me poezinë e tij, ai i këndon dashurisë dhe qëndresës arbëreshe, dashurisë së trevave shqiptare dhe mallit të pashuar për Arbërinë e tërësishme dhe për të tërë gjindtë  (njerëzit) e gjakut e të gjuhës sonë.

Vorea Ujko bën pjesë në brezin e parë të poetëve arbëreshë, të gjysmës së dytë të shekullit njëzetë, të cilët e ngjallën poezinë e Jeronim De Radës, Zef Serbes etj.

Vorea Ujko është një nga figurat qendrore të letërsisë arbëreshe, pra të letërsisë së sotme shqipe.

Ai e ka çmuar shumë poetin e prozatorin e shquar Dritëro Agolli dhe krijimtarinë e tij letrare. Thuhet se janë takuar shumë herë, por edhe kanë pirë ndonjë gotë, se ua ka pasur ënda.

Lavdi të përjetshme jetës e veprës së tyre!