Një dhuratë në shenjë nderimi për prof. Vaxhidin

Urimet më të mira për prof. Vaxhid Sejdiun!

Kjo dhuratë simbolike është shenjë respekti për punën dhe angazhimin tuaj në shërbim të shkollave shqipe në Zvicër dhe më gjerë, në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare. Ashtu siç e theksoni shpesh, qëllimi ynë i përbashkët është përhapja e “dritës së diturisë” në gjuhën shqipe, kudo ku ka fëmijë shqiptarë.

Ky është urimi ynë – i mësuesve të përkushtuar, të cilët prej vitesh punojmë në pikat shkollore, duke i mësuar fëmijët shqiptarë jo vetëm ta përvetësojnë, por edhe ta ruajnë gjuhën shqipe, si sytë e ballit.

Urime, sepse kemi nevojë t’i urojmë dhe t’i përgëzojmë ata që punojnë e veprojnë me gjithë qenien e tyre për gjuhën shqipe dhe identitetin kombëtar. Ju jeni shembull për të gjithë ne, jo vetëm për një vit, por për dekada të tëra, duke dëshmuar se për gjuhën, kulturën dhe Atdheun asnjëherë nuk mjafton sa bëjmë. Me përkushtim, duke vrapuar nga një pikë shkollore te tjetra, nga një koleg te tjetri, ju na keni bërë bashkë në shërbim të gjuhës shqipe – gjuhë që sot mësohet nga qindra fëmijë shqiptarë, të cilët, edhe pse të lindur larg Atdheut, përmes mësimit jetojnë me Atdheun në zemër.

Ky urim është për angazhimin tuaj të përditshëm, për këmbënguljen dhe punën e palodhur, edhe atëherë kur sfidat dhe sulmet nuk kanë munguar. Ju keni ditur të qëndroni mbi to, duke dhënë fjalë motivuese, duke bërë punë konkrete e shpesh të lodhshme, por gjithmonë të suksesshme.

Ky urim është për urat që kemi ndërtuar bashkë me prindërit shqiptarë, me kolegët mësues nga të gjitha trojet shqiptare, në të katër anët e Zvicrës. Është urim i qindra nxënësve që në orët e mësimit kanë mësuar prej jush se si duhet Atdheu.

Sot, të gjithë së bashku themi një fjalë motivuese: Urime, profesor!
Me një dhuratë modeste, por shumë domethënëse, shprehim mirënjohjen për punën dhe përkushtimin që buron nga thellësia e shpirtit dhe që mban brenda madhështinë e shkronjave shqipe.

Faleminderit!
Ky është rrugëtimi ynë, sepse vetëm kështu i shërbejmë gjuhës, flamurit e kombit tonë.

Nderimet e përhershme nga miqtë mësues!