Isuf Ismaili: Mësimdhënësit e veprimtarët arbëreshë – shqiptarë u mblodhën në një takim online

Mësimdhënësit dhe veprimtarët arbëreshë e shqiptarë, para disa pak kohësh u mblodhën online së bashku, për të nisur një projekt pune e veprimtarie për mësimin e arbërishtes e shqipes në një paralele nxënësish shqiptarë në Zvicër dhe arbëreshë në Kalabri.

Kjo nismë e bashkëveprim filloi nga Profesor Dr. Vaxhid Sejdiu dhe nga një veprimtare tanimë e njohur shqiptare në Itali – Ornela Radovicka e cila ka punuar e vepruar me një zell të madh për kulturën e të folmet e vëllezërve e motrave tona arbëreshe që të mos shuhen. U mendua dhe po punohet të jenë sa më të ndërlidhura veprimet tona arbëreshe e shqiptare. Po kështu shumë natyrshëm e japin ndihmesën e tyre edhe vëllezërit e motrat tona arbëreshe dhe një pjesë e mësimdhënësve dhe veprimtarëve shqiptarë në mërgim në Zvicër, Gjermani e Austri.

Mësimet do t’i mbajë profesor dr. Vaxhid Sejdiu i cili ka një përvojë shumë të gjatë të mësimdhënies në diasporë, për më shumë se tridhjetedy vite dhe të një veprimtarie po ashtu të gjatë në shërbim të interesave  atdhetare e të krijimtarisë letrare e kulturore, por natyrshëm do të mbajnë mësime edhe dy mësuese arbëreshe: Nicoletta Buono dhe Maria Tolisano së bashku me profesor Vaxhidin për nxënësit e klasës arbëreshe-shqiptare.

Siç u vu në dukje takimet e  mësimet do të zhvillohen me shumë kënaqësi e përkushtim , por planifikohen edhe takime në Itali e në Zvicër në manifestimet e veprimtaritë kulturore që do të zhvillojnë arbëreshët në vendbanimet e tyre dhe shqiptarët e mërguar në Zvicër.

Profesor Vaxhidi dhe veprimtarja Ornela Radovicka e nisën fjalën e tyre me shumë përkushtim e me shumë dëshirë dhe paraqitën  projektin e mësimit onilne të arbërishtes e shqipes nga nxënësit e të dyja vendeve, nxënës këta pra që natyrshëm i kanë rrënjët e tyre të përbashkëta.

Ky projekt është jo vetëm i mirëseardhur, por është edhe i pari ndërmjet bashkëpunimeve e bashkëveprimeve arsimore me vëllezërit arbëreshë. Profesor Vaxhidi siç e ka zakon e fillon dhe e mbaron punën e veprimtarinë pa bujë, por me përpikëri e me shumë sukses. Ai ndër të tjera tha se projekti ka të bëjë me mësimin e albërishtës e shqipes dhe përhapjen e dritës e diturisë në arbërishte e mbi të gjitha t’i ruajmë të folmet e kulturën arbëreshe, gjithmonë në shërbim të përbashkësisë sonë kulturore e kombëtare arbëreshe – shqiptare.

Tanimë ky projekt ka filluar dhe janë mbajtur disa orë të mësimi.

Mësimin e arbërishtes në Ungër (Lungro, italisht)  e mbajnë dy mësuese.: Nicoletta Buono dhe Maria Tolisano

Përshëndetën edhe mësimdhënësit të tjerë e veprimtarët që do ta mbështesin edhe ata këtë projekt kaq të rëndësishëm. Shpresojmë se kështu së bashku do të kemi gjithnjë e më shumë lidhje e bashkëveprime që  ta mbajmë gjallë e ta çojmë edhe më lartë edhe më tej, te brezat e rinj, veprimtarinë e përbashkësinë arbëreshe e shqiptare.