Festë e madhe në Uster për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Uster, 16 shkurt 2025
Shoqata “Bashkimi” në Uster organizoi një koncert festiv për të shënuar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku morën pjesë rreth 600 të pranishëm, përshirë këtu edhe përfaqësuesit nga institucionet shqiptare dhe personalitete të njohura të kulturës dhe artit.
Në këtë ngjarje të veçantë, të ftuarit e nderit ishin përfaqësuesit e tri shteteve tona, duke përshirë Ambasadorin e Republikës së Kosovës, z. Mentor Latifi, dhe Sekretarin e Parë të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, z. Valon Gashi, drejtuesin e Shkollës Shqipe në Zvicër, Dr. Vaxhid Sejdiu, si dhe gazetarin e njohur dhe mikun e madh të komunitetit shqiptar, z. Rexhep Rifati. Po ashtu, në këtë festë ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Ansamblit “Vatra”, z. Shaban Haliti dhe z. Zhuj Gashi, përfaqësuesi i Shoqatës “Gjergj Kastrioti”, z. Agim Pepaj, si dhe fotografi Afrim Nevzadi.
Programi artistik ishte i pasur dhe emocionues. Shtatë grupe valltarësh të Shoqatës “Bashkimi”, me rreth 118 pjesëmarrës, interpretuan valle tradicionale shqiptare. Grupi “Fluturat”, “Bilbilat”, “Harabelat”, “Dallëndyshet”, “Pulëbardhat”, “Shqiponjat e Iliridës” dhe “Shqiponjat e Dardanisë” sollën një atmosferë të gjallë dhe plot ngjyra.
Gjithashtu, pjesë e koncertit ishin edhe interpretimet muzikore nga artistët shqiptarë në Zvicër, që me zërat e tyre emocionuan dhe argëtuan publikun. Himni Kombëtar dhe ai i Kosovës u interpretuan me solemnitet të madh, duke e kthyer momentin në një simbol të krenarisë kombëtare.
Pjesëmarrësit vlerësuan organizimin dhe mesazhin e kësaj feste, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kulturës dhe traditës shqiptare në mërgatë. Atmosfera festive dhe fryma e unitetit e bënë këtë përkujtim të veçantë dhe të paharrueshëm për komunitetin shqiptar në Zvicër.
Sektori për informim