Shkolla Shqipe – Zvicër

Veprimtaria dhe përkushtimi për të hapur sa më shumë shkolla në gjuhën shqipe shkruhet në faqet e librit të jetësisë së gjuhës shqipe, ndaj suksesi ynë duket gjithnjë e më shumë. Pas një pune këmbëngulëse të prindërve shqiptarë të Dullikenit, mësueses Besarta Halili dhe koordinatorit të “Shkollës shqipe” në Zvicër, Vaxhid Sejdiu, gjithmonë në shërbim të gjuhës dhe kulturës shqiptare, u bë e mundshme që fëmijët shqiptarë të fillojnë  mësimin e gjuhës shqipe dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse aty ku bëhen përpjekje, sukseset nuk mungojnë.

Fotografitë e bëra ditën ndërkombëtare të arsimit, më 24 janar 2024 përcjellin një mesazh shpresëdhënës për gjuhën shqipe.

Përpjekjet e vazhdueshme për ta shtuar numrin e nxënësve të pikave shkollore në Zvicër vazhdojnë edhe gjatë këtyre ditëve edhe pse viti shkollor ka filluar qysh në muajin gusht 2023. Koordinatori i “Shkollës shqipe” në Zvicër z. Dr. Vaxhid Sejdiu së bashku me prindërit vazhdon me një përkushtim të veçantë, siç është dokumentuar gjatë këtyre 3-4 viteve të fundit, me të vetmin qëllim që në orët mësimore në gjuhën shqipe të kemi sa më shumë nxënës.

Nxënësit, në orën e gjuhës shqipe, në pikën shkollore në Dulliken të Kantonit të Soloturnit

Pra, thënë shkurt edhe pika shkollore e porsahapur në Dulliken të Kantonit të Soloturnit i bashkëngjitet pikave tjera shkollore në gjuhën shqipe në mbarë Zvicrën. Ju bëhet thirrje të gjithë prindërve të kësaj komune, që fëmijët e tyre t`i regjistrojnë për mësimin e gjuhës shqipe. Mësimi zhvillohet çdo të mërkure në shkollën fillore Dulliken nga ora 13:30 – 15:15. Mjafton një telefonatë në tel. kujdestar 076 321 26 94 dhe regjistrimi është punë e kryer.

Mësuese Besarta Halili, së bashku me nxënësit e saj në shkollën shqipe

Ashtu siç ka thënë dekada më parë dijetari i madh shqiptar Sami Frashëri se “Shenja e kombit është gjuha.”, edhe ne i përmbahemi mendimit se kur një komb e humb gjuhën, ai e humb edhe veten. Në të njëjtën linjë janë edhe ekspertët zviceranë të edukimit, të cilët sa herë flasin për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve, rëndësi të veçantë i kushtojnë edhe mësimit të gjuhës amtare.

Nxënësit të cilët sa po filluan me mësimin e gjuhës shqipe: Erisi, Era, Joriku, Liana, Eniku, Ledijoni, Dritjona, por  edhe të tjerët, të cilët do t`iu bashkëngjiten në javët në vijim, ju bëjnë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre që të regjistrohen në shkollën shqipe, sepse nuk ka kënaqësi më të madhe kur mësojmë, ruajmë dhe zhvillojmë gjuhën e të parëve tanë, gjuhën e nënës – gjuhën shqipe.

Mesazhi ynë: “Ejani fëmijë – shqip të mësojmë”  është mesazh i përjetshëm, sepse pa këtë gjuhë, thënia: “Jam shqiptar.”, lë shumë për të dëshiruar.

 

“Shkolla shqipe” – Zvicër

Sektori për informim