Marin Mema – frymëzim, flamurtar i atdhedashurisë
shkruan: Vaxhid Sejdiu

Më 3 maj 2026, në një manifestim kombëtar të pagëzuar me emrin “ADN-ja Shqiptare”, patëm rastin të dëgjonim fjalën dhe prezantimin shumë kuptimplotë të gazetarit kombëtar Marin Mema, i cili sot në gazetarinë shqiptare është një emër i veçantë dhe një kryefjalë e atdhedashurisë shqiptare.

Marin Mema është një nga gazetarët më të njohur dhe më të përkushtuar shqiptarë të kohës sonë. Përmes punës së tij shumëvjeçare, ai ka arritur të sjellë në vëmendje histori të panjohura, plagë të harruara dhe realitete të dhimbshme të shqiptarëve, jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe në të gjitha trojet ku ata kanë jetuar ndër shekuj dhe vazhdojnë të flasin shqip edhe sot.
Një nga veçoritë më të spikatura të veprimtarisë së tij është udhëtimi i pa ndalur në hapësirat shqiptare, duke vizituar zona të ndryshme jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, ku identiteti shqiptar ka mbijetuar mes sfidash të shumta. Në këto udhëtime, Marin Mema nuk ka qenë thjesht një gazetar, por një dëshmitar i gjallë i historisë dhe një zë i fuqishëm për ata që shpesh nuk kanë pasur mundësi të flasin. Ai ka dokumentuar jetën e shqiptarëve në kushte të vështira, duke prekur nga afër vuajtjet e tyre, por edhe duke nxjerrë në pah krenarinë dhe qëndresën e tyre.
Puna e tij ka pasur një ndikim të thellë emocional dhe kombëtar. Me ngrohtësinë dhe qasjen njerëzore, ai ka arritur të fitojë besimin e bashkëbiseduesve, duke sjellë rrëfime autentike që pasqyrojnë tragjedinë e asimilimit të dhunshëm, por njëkohësisht edhe dëshirën për t’u kthyer tek rrënjët. Shpesh, gjatë intervistave të tij, janë dëgjuar fjalë që prekin thellë ndërgjegjen kombëtare, si pohimet e atyre që, mes lotësh dhe emocionesh, riafirmojnë identitetin e tyre shqiptar.

Megjithatë, udha e tij nuk ka qenë pa pengesa. Në disa raste, Marin Mema është shpallur “non grata” në vende të caktuara, çka tregon se puna e tij prek tema të ndjeshme dhe sfidon narrative të vendosura nga pushtete të ndryshme. Këto pengesa nuk e kanë ndalur; përkundrazi, e kanë forcuar misionin e tij për të vazhduar kërkimin e së vërtetës dhe për të mbrojtur identitetin shqiptar.
Një moment i rëndësishëm i vlerësimit të figurës së tij ishte pjesëmarrja në veprimtarinë me karakter kombëtar “ADN-ja Shqiptare”, e mbajtur më, 3 maj 2026 në Uster, ku qindra pjesëmarrës patën rastin të dëgjojnë fjalët e tij. Në këtë aktivitet, ai u ftua nga Këshilli Organizues si një figurë përfaqësuese e përkushtimit kombëtar. Prezantimi i tij u kthye në një reflektim të thellë mbi historinë, identitetin dhe sfidat e shqiptarëve ndër shekuj.
Marin Mema mbetet një figurë kyçe në gazetarinë shqiptare dhe një zë i fuqishëm i ndërgjegjes kombëtare. Ai ka arritur të ndërtojë ura mes së kaluarës dhe së tashmes, duke rikujtuar se identiteti nuk është thjesht një trashëgimi, por një përgjegjësi që duhet ruajtur dhe kultivuar brez pas brezi.
Në hapësirën mediatike shqiptare, pak emra kanë arritur të ndërthurin gazetarinë hulumtuese me misionin kombëtar ashtu si Marin Mema përmes ciklit të njohur televiziv “Gjurmë Shqiptare”. Ky emision nuk është thjesht një produkt televiziv; ai është një arkiv i gjallë kujtese, një thirrje për ndërgjegje dhe një përballje e drejtpërdrejtë me historinë e dhimbshme të shqiptarëve në trojet e tyre etnike dhe përtej.
Në udhëtimet e tij në Serbi, Mali të Zi dhe në rajonin e Sanxhakut, emisioni sjell një realitet që shpesh është mohuar: ekzistencën e shqiptarëve të asimiluar, të cilët “zyrtarisht nuk ekzistojnë”, por që vazhdojnë të jetojnë në heshtje identitetin e tyre. Në Rozhajë, Plavë dhe Guci, dëshmitë e banorëve rrëfejnë për një histori të gjatë presioni, ndryshimi identiteti dhe mbijetese shpirtërore.
Një nga momentet më tronditëse mbetet rrëfimi i një nëne nga Sanxhaku: “Po ne jemi shqiptar, mor bir”. Një fjali e thjeshtë, por që rrëzon male heshtjeje dhe frike, duke dëshmuar se identiteti nuk shuhet lehtë, edhe kur shtetet përpiqen ta zhdukin atë nga regjistrat dhe memoria kolektive.
Në kufijtë te Molla e Kuqe, pranë Nishit, gazetari ngre pyetje të forta mbi atë që historia zyrtare serbe ka zgjedhur të fshehë. Këtu, ashtu si në fshatra të zhdukur apo të transformuar, shpaloset drama e asimilimit të detyruar. Dokumente, dëshmi gojore dhe gjurmë të trashëgimisë kulturore dëshmojnë për një proces të gjatë zhdukjeje identiteti.
Në qytete si Jagodina dhe në vendbanime të tjera të harruara, kamera e “Gjurmë Shqiptare” depërton aty ku historia është zbehur qëllimisht. Rrëfimet për ndërhyrjet e policisë, për ndryshimet e emrave dhe për ndalimin e përdorimit të gjuhës shqipe janë pjesë e një realiteti që ende sot mbart plagë të hapura.
Po aq domethënëse janë udhëtimet në Greqi, ku në Parga, në zemër të Çamërisë, ende dëgjohen fjalë shqip – jehona të një popullsie autoktone e cila megjithë shpërnguljet dhe mohimin, nuk e kanë humbur plotësisht identitetin. Dhe dënimi “non grata” për katërmbëdhjetë vjet nuk ia ndali hovin atij që frymon shqiptarisht.
Në Maqedoninë e Veriut, në zona si Ohri, Velesi, Prilepi, Manastiri dhe Prespa, emisioni dokumenton gjurmët e një trashëgimie të lashtë shqiptare që shpesh mbetet në periferi të narrativeve zyrtare.
Një tjetër dimension i rëndësishëm është përballja me manipulimet historike, si rasti i të ashtuquajturës “Shtëpia e Verdhë”, të cilën Marin Mema e ka cilësuar si një shpikje propagandistike. Këto qëndrime tregojnë se gazetaria e tij nuk është vetëm dokumentuese, por edhe sfiduese ndaj narrativeve të rreme.
Në të gjitha këto episode, ajo që mbetet më e fortë janë dëshmitë njerëzore: gra dhe burra që kanë përjetuar dhunë, ndalim të gjuhës, ndryshim identiteti dhe regjistrime të manipuluara në dokumentet shtetërore. Janë histori që të rrëqethin, sepse nuk i përkasin vetëm së kaluarës, por vazhdojnë të kenë jehonë edhe sot.
“Gjurmë Shqiptare” nuk është thjesht një rikthim në histori; është një përpjekje për të rikthyer dinjitetin e humbur, për të dokumentuar të vërtetat e pathëna dhe për të mbajtur gjallë kujtesën kolektive. Në një kohë kur asimilimi shpesh ndodh në heshtje, ky emision mbetet një nga zërat më të fuqishëm që thërret: kujtesa nuk duhet të shuhet.










