Takim zemrash vëllazërore në Frasnitë – një ditë e paharruar për nxënësit e Shkollës Shqipe në Zvicër
Shkruan: Vaxhid Sejdiu
Në kuadër të një vizite të veçantë me karakter edukativ e kulturor, nxënësit dhe mësuesit e “Shkollës Shqipe” në Zvicër u nisën drejt ngulmimeve arbëreshe në Itali, për të njohur nga afër jetën, përpjekjet dhe qëndresën shekullore të arbëreshëve që mbajnë të gjallë në zemrat e tyre gjuhën dhe kulturën kombëtare shqiptare. Një ndër ndalesat më mbresëlënëse të kësaj vizite ishte padyshim qyteti i Frasnitës, ku u përmbyll edhe shëtitja disaditore me karakter shkollor.
Qëndrimi në Frasnitë ishte një përvojë e veçantë e ngarkuar me emocione, mikpritje të ngrohtë dhe një atmosferë festive që dëshmonte për lidhjet e thella shpirtërore ndërmjet shqiptarëve nga Zvicra dhe vëllezërve tanë arbëreshë. Aktiviteti filloi në shkollën fillore të qytetit, ku nxënësit, mësuesit dhe prindërit arbëreshë na pritën me entuziazëm të jashtëzakonshëm. Drejtori i shkollës, z. Mario Miranda, së bashku me mësueset Rosita Braile dhe Stefania Aversa, u bënë mikpritës të denjë të këtij takimi ku dominonte ngjyra kuqezi, flamuri shqiptar dhe ai italian, si dhe veshjet tradicionale që kishin “pushtuar” ambientet e shkollës.
Mbishkrimi “Mirë e na erdhit” i vendosur në hyrje të shkollës, shpaloste ndjenjën e përkatësisë dhe dashurisë për gjuhën dhe atdheun. Në një atmosferë të gëzuar, nxënësit nga Zvicra dhe ata arbëreshë u bashkuan në vallen e madhe arbëreshe, duke kënduar këngë kushtuar Arbërisë dhe Shqipërisë. Po ashtu, nxënësit shqiptarë sollën tingujt dhe emocionet e atdheut përmes këngëve për Kosovën, Shqipërinë, recitimeve për Skënderbeun dhe interpretimeve plot ndjenjë si “Moj Arbëri”, “Moj e bukura More”, kënga për Adem Jasharin dhe “Xhamadani vija-vija”.
Nxënësit arbëreshë u bënë pjesë e këtij manifestimi kulturor përmes valleve të tyre të lashta, që i ruajnë ritmet e kohës dhe të traditës. Vallja arbëreshe i bashkoi fëmijët shqiptarë nga Zvicra me ata të Frasnitës, duke krijuar një atmosferë magjike që do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve.
Pasdite, grupi i nxënësve dhe mësuesve, nën udhëheqjen e mësuesit Vaxhid Sejdiu dhe të veprimtarëve Ornela Radovicka, Tommaso Ferrari dhe Rexhep Rifati, u ngjit drejt bibliotekës së njohur “At Antonio Beluschi”. Aty, përmes librave, dokumenteve dhe kujtimeve, u bë edhe një herë e qartë se ruajtja e gjuhës shqipe dhe trashëgimisë kulturore në diasporë, është një përpjekje fisnike që duhet t’i frymëzojë brez pas brezi.
Vizita në Frasnitë nuk ishte thjesht një udhëtim, por një takim zemrash, një përqafim simbolik mes shqiptarëve të dy brigjeve që dëshmojnë se gjuha, kultura dhe kujtesa kombëtare jetojnë dhe rrezatojnë përtej kufijve.