Isuf Ismaili: Përcaktimi i vendit të formimit të bashkëtingëlloreve

Për klasifikimin e bashkëtingëlloreve janë marrë parasysh: vendi i formimit, mënyra e formimit, pjesëmarrja e zhurmës, pjesëmarrja e zërit, rezonanca hundore.

Për të përcaktuar vendin e formimit të bashkëtingëlloreve, mbështetemi në organin aktiv  dhe pasiv që merr pjesë në nyjëtimin dhe formimin e pengesës.

Sipas organit aktiv bashkëtingëlloret ndahen në: buzore, gjuhore dhe glotale.

Bashkëtingëlloret buzore nyjëtohen me pjesëmarrjen aktive të buzëve. Këto ndahen në dy grupe:

dybuzore, pengesa formohet, kur dy buzët formojnë mbyllje: p, b, dhe m.

buzore – dhëmbore, pengesa formohet, kur buza e poshtme afrohet te dhëmbët e sipërm: f, v.

Bashkëtingëlloret gjuhore ndahen:

në paragjuhore: t, d, ll, c, x, s, n, l, rr, ç, xh, zh, th, dh.

mesgjuhore: q, gj, nj, j.

prapagjuhore: k, g.

Bashkëtingëlloret paragjuhore ndahen në: majore  (apikale) dhe në kulmore (kakuminale).

Majoret nyjëtohen duke ngritur majën e gjuhës, bashkë me shpinën e saj e duke formuar pengesë te alveolat, te dhëmbët etj. Majore janë shumica dërrmuese e paragjuhoreve të shqipes , si p.sh. t, d, n, ç, th etj.

Tani problemi që na intereson më shumë është ngatërrimi i bashkëtingëlloreve: q, gj, ç, xh. Kjo vështirësi ndodh më shumë në disa pjesë veriore e verilindore të trevave shqiptare.

Pjesa më e madhe e nxënësve të mi, kanë pasur vështirësi për t’i shqiptuar këto bashkëtingëllore, prandaj për ta pasur më të lehtë nyjëtimin, për të mos i ngatërruar nxënësit me këto bashkëtingëllore, kam punuar veç e veç me secilin dhe thosha: “ Kur duam t’i shqiptojmë sa më mirë bashkëtingëlloret: ç dhe xh duhet maja e gjuhës të shkojë tek qiellza e epërme, afër dhëmbëve dhe i mëshojmë më shumë zërit, ndërsa për t’i shqiptuar bashkëtingëlloret: q dhe gj duhet të shkojë maja e gjuhës më poshtë, pra te dhëmbët poshtë dhe zëri të dalë më i butë.”

Sqarim: Alveolar, – e lat. fon. Kanal, trysor. Tingujt alveolar quhen edhe paraqiellzorë. Paraqiellza është pjesa, ku janë mbirë dhëmbët e parë të pjesës së epërme. Tingujt që shqiptohen në atë pjesë, përhapin një zhurmë më të madhe se disa tinguj të tjerë, të cilët nyjëtohen më lehtë.