Isuf Ismaili: Në Birr të kantonit Aargau mësohet shqip
Në Zvicër gjithnjë e më shumë po hapen klasat e shumta për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Kështu edhe në Birr të kantonit Aargau, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” hapi një paralele, ku fëmijët shqiptarë me shkëlqimin e tyre të natyrshëm, me harenë në shpirt e me dashurinë për gjuhën e kulturën shqiptare filluan të mësojnë e të marrin nektarin e ëmbëlsisë së gjuhës sonë.
Çdo herë kur veprimtarët dhe mësuesit shqiptarë i bashkojnë forcat, rezultatet nuk mungojnë. Vlen të përmendet si shembulli më i mirë mësuesja Nuraj Ilasi së bashku me prindërit e Birrit dhe veprimtarët Riza Demaj dhe Prof. Dr. Vaxhid Sejdiu. Kështu mund të themi pa hezitim se në bazë të gjithë punës e veprimtarisë së shumanshme, në bazë të këmbënguljes dhe përkushtimit të pashoq shoqëror, kulturor, atdhetar, administrativ, në bazë të të gjithë veprimtarisë, mësimdhënësit shqiptarë i kanë hedhur dritë jo vetëm kësaj kohe, por edhe ardhmërisë së procesit mësimor e edukativ të nxënësve shqiptarë.
Siç e kemi theksuar edhe më parë gjuha shqipe është dritëhedhëse e shpirtit dhe identitetit të çdo shqiptari të ndershëm. Me gjuhën shqipe lidhen fijet e historisë, gjeografisë, e shkencës, por edhe të qëndresës e frymëzimeve dhe të gjithë veprimtarisë së mirëfilltë shqiptare.
Në këtë hulli, në këtë shkëlqim të veprimtarisë atdhetare e kulturore radhitet edhe çelja e klasës për nxënës në Birr të kantonit Argau, ku fëmijët shqiptarë kanë filluar të mësojnë me hare, siç cicërojnë zogjtë e bukur në natyrë.
Nxënësit shqiptarë në këtë pikë shkollore kanë mësuesen e nderuar me përvojë e përkushtim të madh Nuraj Ilasi. Mësimi mbahet çdo të premte nga ora 15:00-17:50
Nxënësit e dashur Ryve , Jara, Tara A, Tara V, Viviana, Denisa,Denisi, Erina, Leoni, Eldioni, Florenti do të mësojnë me zell e dashuri gjuhën e kulturën shqiptare
Për ne është një gëzim i pa përshkruar, sepse jemi të përkushtuar që krahas gjuhës të mbajmë të ngrohtë e të pacenuar shqiptarësinë tonë
Urojmë që këta fëmijë të kenë suksese e ardhmëri të ndritur!