Manifestimet janë vlerë, kurse nxënësit e shkollës shqipe janë mrekullia vetë
Nënës duhet t`i këndojmë çdo ditë, sepse nëna është simbol i sakrificës dhe dashurisë. Nënës i kanë kënduar dhe i këndojnë këngëtarët, poetët …. Por, kur nënës i këndojnë nxënësit e shkollës shqipe, është diçka më e bukur, më e thjeshtë, më simbolike, më e dashur dhe më dritëdhënëse për të ardhmen. Një përjetim i tillë qe në manifestimin e shkollës shqipe në Zvicër, ku këngën për nënën e interpretoi në mënyrë të shkëlqyer nxënësja e shkollës shqipe në Regensdorf, Eliona Muçaj. Por, ky përjetim u dyfishua, kur nxënësja Eliona Muçaj, pasi e këndoi këngën kushtuar nënës, një tufë me lule ia dhuroi mësuesit, sepse qe ditë feste, 7 Marsi – Dita e Mësuesit. Pra, edukimi fëmijëve që nis nga nëna e familja e mirë rrënjos tek ata, te nxënësit, edhe dashurinë për gjuhën shqipe, për popullin shqiptar e për atdheun tonë – Shqipërinë si tërësi, që edhe ne mësuesit e shkollave shqipe synojmë, punojmë e veprojmë në vazhdimësi, që nxënësit tanë ta përforcojnë e ta bëjnë pjesë e qëllim të jetës këtë atdhedashuri.