Shkrim nga prof. dr. Vaxhid Sejdiu
Takim mësimdhënësish e miqsh në përfundim të vitit 2025

Mësimdhënës dhe miq, në ballë zonja Merita Pinta dhe prof. dr. Vaxhid Sejdiu
Takimi i mësuesve të shkollave shqipe në Zvicër, në përfundim të vitit, u shndërrua kësaj radhe në një hapësirë reflektimi, përvojash e përjetimesh të përbashkëta, një vit që na dha kënaqësinë e arritjeve të nivelit të lartë në misionin tonë arsimor. I mbajtur më, 14 dhjetor 2025, në sallën e seminareve të rezidencës Prima Pflege në Bad Zurzach, ky takim nuk ishte vetëm një moment festiv, por mbi të gjitha një takim konsultativ me përmbajtje profesionale dhe vizion të qartë për të ardhmen.
Programi nisi me shfaqjen e një videoje përurues të përgatitur nga mësuese Valbona Alili, video kjo që pasqyroi aktivitetet e vitit 2025, duke dëshmuar punën e vazhdueshme dhe përkushtimin e mësuesve për ruajtjen dhe zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe në diasporë. Fjalët përshëndetëse të z. Vaxhid Sejdiu dhe znj. Merita Pinta krijuan një atmosferë mikpritëse dhe bashkëpunuese, duke vënë në pah rëndësinë e këtij rrugëtimi të përbashkët arsimor.

Mësuese Valbona
Mësues nga disa kantone të Zvicrës u takuan në këtë fund të vitit me nderim të ndërsjellë për punën dhe angazhimin e njëri-tjetrit. Takimi u shfrytëzua për diskutime të hapura, kërkesa konkrete dhe prezantime profesionale, rreth organizimit të orëve mësimore, funksionimit të pikave shkollore dhe sfidave me të cilat përballen mësuesit në punën e përditshme me nxënësit. Disa prej tyre prezantuan shembuj konkretë të punës së tyre, duke dëshmuar se përkushtimi në klasë është themeli mbi të cilin formësohen brezat e rinj.

Prof. dr. Vaxhid Sejdiu
Një nga temat qendrore të takimit ishte organizimi i shkollave shqipe, e trajtuar nga z. Vaxhid Sejdiu. Në prezantimin e tij u theksua rëndësia e një strukture funksionale dhe të qëndrueshme të shkollave shqipe në Zvicër, bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet mësuesve, prindërve dhe institucioneve mbështetëse, si dhe nevoja për koordinim të mirëfilltë mes pikave shkollore. U vu në pah roli i mësuesit jo vetëm si edukator, por edhe si organizator dhe përfaqësues i shkollës shqipe në komunitet, duke nënvizuar se një organizim i mirë është parakusht për mësim cilësor dhe vazhdimësi institucionale.
U dëgjuan përvoja të vyera nga kolegë të ndryshëm, u ndanë vështirësi reale dhe u diskutuan mënyra për menaxhimin e tyre, gjithmonë me synimin për të hapur rrugë drejt sukseseve të reja. Në qendër të çdo diskutimi ishte misioni i mësuesit të shkollës shqipe – një mision që kërkon sakrificë, durim dhe përkushtim të vazhdueshëm.

Mësuese Anita
Pjesa e dytë e takimit iu kushtua prezantimeve tematike dhe konsultimeve profesionale. Mësuese Anita Duriçi theksoi rëndësinë e planifikimit mësimor afatshkurtër dhe afatgjatë, ndërsa mësuese Lumnije Klinaku–Neziri foli për rregullat që ndihmojnë funksionimin e shkollës shqipe.

Mësusese Lumnija
Znj. Iba Bulica sqaroi çështje që lidhen me pagesat, ndërsa tema të rëndësishme si komunikimi ndër-personal në klasë, përdorimi i rrjeteve sociale, roli i Instagramit dhe integrimi i teknologjisë në orët mësimore u trajtuan nga mësueset Artjola Ferizi e Valbona Alili si dhe nga mësueses të tjerë.

Në ballë mësuse Artijola
Në përmbyllje të takimit, znj. Merita Pinta, biznismene dhe drejtuese e Qendrës Prima Pflege në Bad Zurzach, kishte organizuar për të gjithë mësuesit nga një dhuratë simbolike duke i përgëzuar ata për punën dhe përkushtimin e palodhshëm në shërbim të arsimit shqip. Ky gjest mirënjohjeje i dha takimit një dimension edhe më njerëzor dhe motivues, duke dëshmuar mbështetjen e komunitetit ndaj mësuesve dhe misionit të tyre fisnik.
Takimi u përmbyll me një sesion pyetje-përgjigje, ku u theksua edhe një herë nevoja për bashkëpunim, transparencë dhe vizion të përbashkët. Ky takim fundviti dëshmoi se mësuesit e shkollave shqipe në Zvicër nuk janë vetëm transmetues të dijes, por bartës të një misioni kombëtar e kulturor, që përmes përkushtimit dhe organizimit të tyre vazhdojnë të formësojnë breza.










