Hapet edhe një klasë shkollore në Fahrweid të Kantonit të Zyrihut!

Rrjetit të shkollave shqipe në Zvicër iu bashkëngjit gjatë këtyre ditëve edhe pika shkollore në Fahrweid, të kantonit të Cyrihut

 

Nxënësit janë ata të cilët e përjetojnë me një gëzim të veçantë fillimin e mësimit në gjuhën amtare. Nxënësit e Shkollës Shqipe në Fahrweid të Kantonit të Zyrihut

Të martën  me datë 23 maj 2023  “Shkolla Shqipe” në Zvicër, hapi dyert edhe në Fahrweid të Kantonit të Zyrihut, duke iu mundësuar fëmijëve shqiptarë të këtij vendbanimi të vijojnë mësimet në gjuhën amtare.

Nxënësit  Brilanti,  Bleona, Sara, Hira, Arioni, Auroni, Luena, Darseni, Elonisa, Tiana, Lonisi, Subija, Sumeja,  të cilët erdhën  në orën e parë dhe të tjerët të cilët do t`iu bashkëngjiten në ditët në vazhdim ishin të gëzuar se më në fund po fillonin me mësimet në gjuhën shqipe. Të gëzuar ishin e dhe prindërit të cilët kishin marrë përsipër të njoftojnë edhe prindërit e tjerë të këtij vendbanimi, se më në fund edhe në këtë pjesë të kantonit kishte filluar mësimi në gjuhën shqipe. Si zakonisht nxënësit u pajisën edhe me tekstet e reja shkollore, të cilat janë dhuruar nga Ambasada Shqiptare në Bernë.

 

Ora e parë mësimore nuk ishte edhe aq e lehtë, edhe pse kaloi me emocione të veçanta nga ana e nxënësve. Ata, e përjetuan këtë fillim të mësimit në gjuhën shqipe me një dashuri të veçantë sepse shumicën e fjalëve që i dëgjonin, i kishin dëgjuar edhe më herët, por jo në këtë mënyrë. Shkronjat e shqipes dhe veçanërisht bashkëtingëlloret jepnin një ndjenjë ndryshe te fëmijët. Pasiguria ndaj tyre dhe shpeshherë gabimet gjatë shqiptimit të fjalëve apo shkronjave e mbushnin klasën me plot gaz, kurse në anën tjetër mësuesja i motivonte ata, që shumë shpejt do t`i mësojnë.  Por nevojitet pak më tepër punë dhe kujdes.

 

“Shkolla shqipe” në Zvicër mësueses dhe nxënësve iu dëshiron shumë suksese, duke iu bërë thirrje  te të gjithë mërgimtarëve në këto vendbanime që fëmijët e tyre t`i dërgojnë në shkollën shqipe. Mësimi zhvillohet çdo të marte nga ora 16:00 – 19:30, edhe atë në dy grupe. Suksese nxënës!

 

 

“Shkolla Shqipe” – Zvicër

Sektori për informim

 

Vendbanime