Isuf Ismaili: Mirënjohje për vatrën tonë arsimore ”Shkolla Shqipe” në Zvicër nga Radio Kosova e Lirë

Radio Kosova e Lirë është dhe mbetet e përkushtuar gjithmonë për të realizuar misionin atdhetar që nga themelimi i saj në kohën e UÇK – së heroike,  në flakët e luftës për çlirim, liri e bashkim kombëtar.

Ajo që atëherë e në vazhdimësi ka pasur hapësirë të veçantë, për të gjithë njerëzit, që kanë vepruar  e veprojnë me përkushtim e dashuri për atdheun e në fushat e ndryshme të arsimit, të kulturës, të shkencës e dijes përgjithësisht, duke i publikuar arritjet e realizimet e planeve në këto fusha e veprimtari, të cilat kanë për qëllim funksionimin e mbarëvajtjen e përgjithshme të shoqërisë shqiptare, qoftë në trojet shqiptare, qoftë në mërgatën shqiptare e cila ka qenë dhe është një ndihmesë e madhe e të gjitha hapësirave shqiptare.

Në programin e Radios Kosova e Lirë e Televizionit Dielli, janë përgatitur emisione dhe janë realizuar programe edhe për mërgatën tonë.

Në portalin e RKL – së , botohen shkrime informative, lajme, komente, analiza, vështrime, përkujtime për dëshmorët e heronjtë shqiptarë të të gjitha kohërave, për luftën heroike e madhështore të UÇK – së, për veprimtaritë e shumta në të gjitha trevat shqiptare, por një vend të veçantë kanë edhe arbëreshët e të gjithë të mërguarit shqiptarë që kanë dhënë e japin ndihmesë me përkushtim për gjallërimin e mbarëvajtjen e frymës atdhetare dhe jetësimin e idealeve shqiptare.

Në këtë vijimësi të atdhetarisë e përkushtimeve shqiptare është edhe veprimtaria e atdhetarëve të denjë e shkrimtarëve, shkencëtarëve e profesorëve, siç është edhe profesor dr. Vaxhid Sejdiu.

Ai me punën e veprimtarinë e tij prej një mësimdhënësi, koordinatori e veprimtari të madh, ka shfaqur gjithë përkushtimin e tij në misionin kombëtar për përhapjen e çeljen e sa më shumë shkollave shqiptare kudo në Zvicër. Ai kudo është gjendur i gatshëm të flasë, të veprojë, të kalojë qindra kilometra në Zvicër, nga skaji në skaj, nga qyteti në qytet, nga fshati në fshat, për të hapur sa më shumë shkolla shqipe, për t’u vënë në kontakt me kolegë, me administratorë vendorë e institucione arsimore kulturore të kantoneve e qyteteve dhe vendbanimeve zvicerane, por edhe me ambasadat e me institucionet shqiptare dhe në këtë drejtim ka arritur rezultate të mëdha, kuptohet në bashkëpunim e në bashkëveprim me kolegë, administratorë, veprimtarë shqiptarë e diplomatë shqiptarë, por duke gjetur edhe mirëkuptimin në institucionet e Zvicrës. Megjithëkëtë, parësor ka shkëlqyer puna e veprimtaria e profesor Vaxhidit. Si rezultat i kësaj veprimtarie të gjithanshme kemi edhe hapjen e qindra e mijëra shkollave shqipe në katundet, në qytetet zvicerane, pra gati në të gjitha kantonet e Zvicrës.

Kjo veprimtari është përhapur e përshkruar denjësisht edhe nga Radio Kosova e Lirë, në portalin e saj e në valët e saj. Radio Kosova e Lirë dhe profesor Ahmet Qeriqi, drejtor i kësaj radioje,  kanë shfaqur  me përkushtim  mirënjohjen e thellë për këtë veprimtari sa  arsimore e kulturore, aq edhe atdhetare që ka bërë në radhë të parë prof. dr. Vaxhid Sejdiu, por edhe mësimdhënës të tjerë shqiptarë në Zvicër, në Gjermani e në vende të tjera ku kanë mërguar shqiptarët.

Profesor Ahmet Qeriqi, që nga fëmijëria, që nga rinia e tij e hershme nuk e ka pushuar asnjëherë veprimtarinë atdhetare duke qenë i pranishëm përherë në aktivitetet konkrete, në shkencë, në letërsi, në gjuhësi, në procesin e mësimdhënies, në gazetari e në veprimtaritë kulturore. Prandaj që në rini atë edhe kishin burgosur pushtuesit jugosllav, por ai çdo herë ka gjetur shtigje e mundësi të veprojë e t’i përkushtohet veprimtarisë atdhetare, prandaj edhe në vitin 1981 e kishin burgosur pushtuesit jugosllavë, kur edhe qe mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Kështu ai nuk e shkëputi kurrë punën e veprimtarinë edhe në kohën e luftës heroike e madhështore të UÇK – së, dhe pas saj duke u vënë plotësisht në shërbim të luftës atëherë dhe të të gjitha përpjekjeve e veprimtarive shqiptare për lirinë e bashkimin e Shqipërisë së tërësishme. Me këtë motivacion e këtë përkushtim profesor Ahmet Qeriqi , ndau mirënjohje për profesor Vaxhid Sejdiun e disa mësimdhënës  të tjerë në Zvicër e në Gjermani, duke përmbledhur kështu edhe respektin për të gjithë mësimdhënësit e veprimtarët që punuan e vepruan në kuadër vatrës sonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër, por edhe në vatrat të tjera arsimore në Gjermani e vende të tjera.

E falënderojmë nga zemra, profesor Ahmet Qeriqin dhe Radion Kosova Lirë edhe për mirënjohjet e  shpërndara edhe për punën e veprimtarinë e gjithanshme  informative dhe përkushtimin e  tërësishëm atdhetar, për gjithë botimet e krijimet e botuara letrare, historike, shkencore  e kulturore dhe respektin e përkujdesjen ndaj mërgatës e veprimtarisë së saj, siç është edhe veprimtaria e vatrës sonë shkollore “Shkolla Shqipe” në Zvicër, veprimtari kjo e cila ka gjetur hapësirë dhe respekt të madh te Radio Kosova e Lirë!